Ekipi i nisur në Gazë me anijen Madleen

Bota

Izraeli do të bllokojë mbërritjen e aktivistes Greta Thunberg me anije në Gaza për të shpërndarë ndihma

8 Qershor, 17:10| Përditesimi: 8 Qershor, 21:20

  • Share

Urdhri i Izraelit është i prerë: anija “Madleen” e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, që në orët në vijim pritet të përpiqet në mënyrë simbolike të thyejë bllokadën rreth Rripit të Gazës për të dërguar ndihma për popullsinë, duhet ndalur me çdo kusht.

“Kam dhënë urdhër që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të veprojnë për të mos lejuar që ‘Madleen’ të arrijë në Gaza. Drejtuar antisemitës Greta dhe miqve të saj, po e them qartë: kthehuni mbrapsht, sepse nuk do të arrini në Gaza”, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke iu referuar aktivistes suedeze Greta Thunberg, e cila ndodhet në bord së bashku me 11 vullnetarë të tjerë nga Brazili, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Turqia. Në mesin e tyre është edhe eurodeputetja franko-palestineze Rima Hassan.

Velieri 18 metra i gjatë u nis më 1 qershor nga Katana e Italisë dhe aktualisht po lundron në ujërat territoriale egjiptiane, drejt brigjeve të paarritshme të Gazës. Rima Hassan ka me vete një letër-apel, të firmosur nga mbi 200 eurodeputetë, me kërkesën që “Madleen”, e ngarkuar me ndihma humanitare, të lejohet të kalojë.

Izraeli, nga ana tjetër, ka theksuar se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë shkeljen e bllokadës detare të vendosur më 9 tetor 2023, dy ditë pas masakrës së kryer nga Hamasi.

E njëjta linjë u ndoq edhe muajin e kaluar ndaj anijes “Conscience”, e cila u dogj pas një sulmi me dron në ujërat ndërkombëtare. Po ashtu, të gjitha përpjekjet e mëparshme për të thyer bllokadën kanë dështuar — përfshirë flotiljen e parë të lirisë për Gazën më 31 maj 2010, e cila përfundoi në tragjedi pranë brigjeve të Qipros: në një ndërhyrje të forcave speciale izraelite u vranë 10 aktivistë, kryesisht turq, ndërsa 10 ushtarë izraelitë u plagosën.

Sipas ministrit Katz, Izraeli nuk do të lejojë askënd të thyejë bllokadën detare, e cila sipas tij ka për qëllim të parandalojë dërgimin e armëve drejt Hamasit — të cilin e cilësoi si një “grup terrorist vrasës që mban peng qytetarë izraelitë dhe kryen krime lufte”.

Ndërkohë, nga bordi i “Madleen”, Rima Hassan tha:

“Do të qëndrojmë të mobilizuar deri në minutën e fundit. Jemi dymbëdhjetë civilë. Nuk jemi të armatosur. Kemi vetëm ndihma humanitare.”

Ajo parashikoi që aktivistët do të ndalohen, do të prangosen, do të dërgohen në Ashdod dhe më pas do të dëbohen.

Ndërkohë, gjakderdhja në terren vazhdon me dhjetëra viktima në të gjithë Rripin e Gazës. Pesë civilë të tjerë u vranë teksa prisnin në radhë për ushqim, pranë një pike shpërndarjeje të organizatës izraelito-amerikane “Gaza Humanitarian Foundation” (GHF), në jug të Gazës.

“Sipas mbrojtjes civile në Gaza, pesë dëshmorë dhe dhjetëra të plagosur janë dërguar në spitalin Nasser në Khan Yunis, pasi forcat pushtuese izraelite hapën zjarr ndaj civilëve në agim.”

Versioni i IDF-së pohon se zjarri u hap kundër një turme që po avanconte në mënyrë kërcënuese, pavarësisht paralajmërimeve.

Një dëshmitar i tha agjencisë AFP se turma kishte filluar të mblidhej rreth orës 04:30 dhe pas një ore e gjysmë nisi të afrohej drejt pikës së shpërndarjes së GHF-së — një organizatë e kritikuar nga OKB-ja dhe OJQ-të ndërkombëtare, të cilat e akuzojnë se e tërheq popullsinë në zona të rrezikshme, të favorshme për ofensivën ushtarake izraelite.

Për këtë arsye, GHF ka njoftuar se ka filluar shpërndarjen e ndihmave përmes kamionëve, drejtpërdrejt te udhëheqësit lokalë të komuniteteve, për të shmangur lëvizjet e gjata dhe të rrezikshme të një popullsie të uritur./ ANSA

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?