Itamar Ben-Gvir (ne te majtë) dhe Bezalel Smotrich

Izraeli, ministrat kërcënojnë Netanyahun nëse pranon armëpushim në Gaza! Avionët izraelitë godasin pozicionet e Hezbollahut në Liban

2 Qershor, 07:47| Përditesimi: 2 Qershor, 16:54

  • Share

Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kërcënojnë se do të largohen dhe do të rrëzojnë koalicionin qeverisës nëse kryeministri Benjamin Netanyahu bie dakord me propozimin e armëpushimit në Gaza të prezantuar nga presidenti amerikan Joe Biden të premten, e 31 majit.

Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir thanë se ishin kundër arritjes së ndonjë marrëveshjeje përpara se Hamasi të shkatërrohej.

Por lideri i opozitës Yair Lapid është zotuar të mbështesë qeverinë nëse Netanyahu e mbështet planin, shkruan BBC.

Vetë kryeministri këmbënguli se nuk do të kishte armëpushim të përhershëm derisa të shkatërroheshin aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të liroheshin të gjithë pengjet.

Propozimi i planit në tre faza i zotit Biden do të fillonte me një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës. Marrëveshja përfundimisht do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve, një "ndërprerje të përhershme të armiqësive" dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.

Nuk do të ishte pjesë e një qeverie që pajtohet me planin e propozuar dhe i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin dhe pa i kthyer të gjithë pengjet" I ka thënë Smotrich Netanyahut, shkruan ai në rrjetet sociale

Edhe Ben-Gvir ka thënë se "marrëveshja do të thotë fundi i luftës dhe braktisja e qëllimit për të shkatërruar Hamasin. Kjo është një marrëveshje e pamatur, e cila përbën një fitore për terrorizmin dhe një kërcënim për sigurinë e shtetit të Izraeli".

Ai u zotua të "shpërndajë qeverinë" në vend që të pajtohet me propozimin. 

Ndërkohë avionët izraelitë kanë goditur pozicionet e Hezbollahut në zonat në perëndim të qytetit antik të Baalbeck në Libanin lindor.

Tre fazat e planit Biden

Faza e parë e marrëveshjes së propozuar nga zoti Biden do të zgjaste 6 javë dhe do të përfshinte “armëpushim të plotë”, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjjtha zonat e populluara të Gazës, lirimin e një numri të personave që po mbahen peng, përfshirë, gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur.

Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetur gjallë, përfshirë ushtarët dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga Gaza.

Faza e tretë parashikon fillimin e rindërtimit të Gazës, për çka do të nevojiten dekada të tëra, pas shkatërrimeve të shkaktuara nga lufta.

Ora 16:51
Ndihmësi i Netanyahut: Plani i Bidenit, nuk është më i miri, por e pranojmë

 

Një ndihmës i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi të dielën se Izraeli e ka pranuar një projekt marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gazë, e cila po çohet përpara nga Presidenti Joe Biden, edhe pse plani sipas tij nuk është i përsosur dhe ka nevojë për shumë ndërhyrje.

Në një intervistë për gazetën britanike “Sunday Times”, këshilltari i kryeministrit Netanyahu për politikën e jashtme, Ophir Falk tha se Izraeli kishte rëndë dakord me propozimin e Presidentit Biden, duke shtuar se “nuk është një marrëveshje e mirë, por se Izraeli dëshiron lirimin e të gjithë pengjeve”.

“Ka shumë elementë që duhen diskutuar”, tha ai duke shtuar se kushtet e Izraelit, përfshirë lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit nuk kanë ndryshuar.

Të premten, Presidenti Biden ofroi hollësi për një plan me tre faza, që sipas tij ishte plan i qeverisë së Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Ora 16:09
Ushtria izraelite njofton një operacion të ri në Rafah

Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se kanë nisur një operacion të ri në Rafah, pikërisht brenda kampit Yabna, në pjesën qendrore të qytetit.

Ata thanë se kanë vrarë disa terroristë, kanë lokalizuar një infrastrukturë ushtarake dhe kanë gjetur disa armë, duke përfshirë artilerinë kundërajrore. Që prej datës 6 maj, Izraeli ka nisur një operacion në Rafah, ku mbi një milion palestinezë janë larguar nga pjesa veriore dhe qendrore e Rripit të Gazës.

 

Ora 12:35
Ushtria izraelite vret dy adoleshentë palestinezë pranë Jerikos

1717050995_luftanerripinegazes.JPG

Dy adoleshentë palestinezë janë vrarë nga të shtënat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi sot Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Ushtria izraelite nuk i konfirmoi vdekjet, por tha se dy të dyshuar hodhën eksploziv drejt një komuniteti lokal, duke rrezikuar civilët dhe trupat u përgjigjën me zjarr.

“Të shtënat janë identifikuar”, është shprehur ushtria në një deklaratë. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy djem, 16 dhe 17 vjeç, u vranë në perëndim të kampit të refugjatëve Aqabat Jaber, pranë qytetit të Jerikos në Bregun Perëndimor.

Mediat palestineze raportuan se ekipet mjekësore u penguan të arrinin njërin prej të plagosurve dhe se tjetri vdiq nga plagët e marra në një spital të Jerusalemit. Një adoleshent u qëllua në kokë, ndërsa tjetri në gjoks.

Bregu Perëndimor i pushtuar, të cilin palestinezët e duan si bërthamën e një shteti të ardhshëm të pavarur përkrah Gazës, ka parë një valë dhune që nga fillimi i luftës në Gaza dhe një goditje të fortë nga forcat izraelite të sigurisë, të cilat kanë bërë mijëra arrestime.

Ora 08:35
Avionët izraelitë godasin pozicionet e Hezbollahut në Liban

Avionët luftarakë izraelitë kryen disa sulme ajrore këtë mbrëmje kundër pozicioneve të Hezbollahut në zonat në perëndim të qytetit antik të Baalbeck në Libanin lindor.

Kjo është bërë e ditur nga burime libaneze të sigurisë, duke shpjeguar se sulmi i parë ka ndodhur pranë një ferme në periferi të qytetit Qald al-Sabaa, në pjesën perëndimore të Baalbek.

Të paktën dy persona u plagosën në sulm, por nuk është e qartë nëse ata ishin anëtarë të lëvizjes pro-iraniane Hezbollah.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 02/06/2024 08:38

    A mendon dikush me te vertete qe Amerika nuk eshte ne gjngje ta ndaloj vrasjen e femijve ne Gaza ,QESHARAKE kur Amerikanet e lejuan Izraelin qe te benin nji spastrim etnike ne Gaza dhe nga ana tjeter i shesin genjeshtra botes kurse goja Amerikanet duan paqe qe nga viti 1948 me ndihmen Amerikane Izraeli po e zhduk popullin Palestineze kudo qe jetojne ,Amerikanet jane ata qe vendosin veto qe mos te krijohet nji shtet Palestineze por dikush e sheh te verteten se qellimi i Amerikaneve dhe Izraelitet ta pastrojne Gazen nga populli Palestineze qe te ndertohet nji baze ushtarake Amerikane per ta mbrojtur Izraelin nga afer.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?