Bota

Izraeli i bllokon/ Gaza 2 muaj pa marrë ndihma jetike, OKB: Ushqimi drejt fundit, përdorimi i ujit i pamundur

3 Maj, 22:43| Përditesimi: 3 Maj, 22:52

  • Share

Në Gaza u shënua 2 muaj që prej nisjes së bllokimit të ndihmave nga ushtria izraelite. OKB thotë se Gaza ndodhet në një situatë katastrofike humanitare, në prag të kolapsit. Sipas zyrtarëve të organizatës, rezervat ushqimore janë drejt fundit, ndërsa shpesh, banorët e mbetur luftojnë për ujë.

Dy muaj pas bllokadës shkatërruese të ndihmave në Gaza, ushqimi ka mbaruar dhe njerëzit po luftojnë për ujin mes bombardimeve të pamëshirshme. Përshkrimin e kësaj situate e dha zyra e koordinimit të çështjeve humanitare të OKB-së (OCHA).

Zëdhënësja e kësaj zyre në Gaza, Olga Cherevko, u tha gazetarëve në Gjenevë se të gjitha pikat e hyrjes në enklavë janë shkatërruar nga ushtria izraelite në mars dhe se pasojat sollën skenarin më të keq.

Me konfliktin që vazhdon, OKB thotë se rezervat ushqimore kryesisht kanë mbaruar, ndërsa qasja në ujë është bërë e pamundur. Zëdhënësja e OKB-së tha se pamjet në Gaza janë të tmerrshme, me fëmijë të cilëve u është hequr fëmijëria për shumë muaj dhe të moshuar që gërmojnë nëpër grumbuj plehrash në kërkim të ushqimit dhe lëndëve për t'u djegur për gatim, në mungesë të karburantit. Gjatë një vizite të enjten në Spitalin Patient Friends, një spital pediatrik në qytetin e Gazës, i cili ishte sulmuar disa herë gjatë luftës, zyrtarët e OKB-së dëgjuan shqetësimin e mjekëve për rritjen e nivelit të kequshqyerjes.

Zëdhënësja e OKB-së në Gaza: Spitalet raportojnë se po mbarojnë rezervat në bankat e gjakut, pasi masivisht vazhdojnë të mbërrijnë të plagosur dhe viktima. “Ne deri tani kemi përdorur mekanizma që zbusin bllokadën dhe sigurojnë që ndihma të arrijë te njerëzit,” – tha Cherevko.

OKB thotë se janë "në kontakt të vazhdueshëm" me autoritetet izraelite dhe po bëjnë thirrje për rihapjen e pikave kufitare. Në një apel drejtuar autoriteteve izraelite të enjten, zyrtari më i lartë humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, bëri thirrje për heqjen e bllokadës brutale. Organizata thotë se gjatë 45 ditëve të fundit, 420,000 njerëz janë detyruar edhe një herë të ikin, shumë prej tyre vetëm me rrobat në shpinë, të qëlluar gjatë rrugës, duke mbërritur në strehimore të mbipopulluara, pasi tendat dhe objektet e tjera ku njerëzit kërkojnë siguri po bombardohen.

Izraeli e bllokoi hyrjen e ndihmave në Gaza në datën 2 mars, pasi faza e parë e armëpushimit me Hamasin përfundoi. Një fazë e dytë është duke u negociuar me ndërmjetësimin e vendeve të rajonit, por pa rezultate konkrete deri më tani.

H.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 04/05/2025 07:07

    Turp per boten ku 198 shtete lejojne qe te ndodhe kjo,te gjith jane te blere nga Amerikanet qe te mbyllin gojen dhe lejojne zhdukjen e nji popullate ku eshte Turqia,Egjipti ,Jordania ,Katari, Arabia Saudite dhe te tjeret qe mbeshtesin Fashizmin Izraelit,dhe Amerikan .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?