VIDEO/ ‘Ishte shumë e vështirë’, 11 shqiptarë i shpëtojnë luftës në Izrael! Kthehen në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi

10 Tetor 2023, 11:59| Përditesimi: 10 Tetor 2023, 13:21

  • Share

TIRANË- Një tjetër grup shqiptarësh i ka shpëtuar luftës në Izrael dhe janë kthyer në atdhe. 11 shqiptarë përmes ndihmës nga ambasada dhe Ministria e Jashtme janë kthyer në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.

Avioni i kompanisë ajrore Air Montenegro me dhjetëra udhëtarë në bord është ulur në Podgoricë pas fluturimit nga Izraeli të martën në mëngjes. Në bord kishte edhe udhëtarë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Serbia dhe Suedia. Fluturimi i evakuimit për në Podgoricë u krye në orën 03:17 të mëngjesit të sotëm (10 tetor 2023).

Ministria e Jashtme shqiptare thotë se janë në kontakt me vendet fqinje për të ndihmuar shqiptarët që duan të ikin nga Izraeli.

“11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, njofton ministria e Jashtme.

Shqiptarët që u kthyen tregojnë edhe sa e vështirë ishte situata në Izrael.

Unë jetoj këtu në Izrael që 29 vjet. Kam ardhur nga Shqipëria, por në këto ditë të veçanta që po kalon Izraeli ishte shumë e vështirë për mua. Me ndihmën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe me ambasadën shqiptarë në Izrael neve na bënë të mundur që të udhëtojmë drejt Shqipërisë.

Izraeli po kalon një periudhë shumë të vështirë. Ne jemi shumë të mërzitur, të stresuar, na qan zemra për tragjedinë që ka ndodhur ditët e fundit dhe po e lëmë Izraelin me një dhimbje shumë të madhe në zemër. Dua të falënderoj ambasadën dhe ministrinë e jashtme që e ka ndjekur gjatë gjithë kohës gjendjen tonë dhe na kanë ndihmuar për çdo gjë që të kthehemi në atdhe dhe të jetojmë disa ditë të qeta.

Jemi në Izrael, e vërteta është që unë udhëtoj shumë dhe kam kërkuar nga ambasada të tjera, por ambasada shqiptare në Izrael më ndihmoi shumë. Falënderoj ambasadën dhe shtetin shqiptar. Shumë faleminderit po kthehemi në Shqipëri.

Kujtojmë që më 8 tetor nga Izraeli u evakuuan 40 studentë shqiptarëtë cilët janë kthyer në Atdhe përmes ‘Air Albania’, e cila e ka kryer këtë shërbim pa asnjë pagesë. Ministria e Jashtme njoftoi se do të ketë fluturime të tjera të posaçme në ditët në vijim.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?