Foto ilustruese

Bota

Izraeli zhvillon ofensivën tokësore në Gazën qendrore! 26 vende nënshkruajnë deklaratën e përbashkët: Lufta të ndalet tani! Telefonatë mes Papa Leonit dhe Abu Mazenit

21 Korrik, 10:25| Përditesimi: 21 Korrik, 15:36

  • Share

Forcat izraelite nisën këtë të hënë një ofensivë tokësore dhe ajrore në qytetin Deir al-Balah, në Rripin qendror të Gazës, duke shkaktuar valë të reja zhvendosjeje të civilëve. Mediat e huaja raportojnë se tanket dhe automjetet ushtarake izraelite hynë në qytet nga pika e kontrollit Kisufim nën zjarrin ajror dhe të artilerisë së rëndë.

Dhjetëra predha raportohet se goditën lagjet Abu al-'Ajin dhe Hikr al-Jami ndërsa forcat tokësore përparuan. Sipas BBC, operacioni filloi këtë mëngjes, disa orë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime për evakuim për banorët e gjashtë blloqeve të banimit në pjesën jugperëndimore të qytetit.

Deir al-Balah është aktualisht i mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur nga Rafah dhe Khan Younis. Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë shpërthime dhe zhurma të vazhdueshme të armëve të zjarrit ndërsa trupat izraelite përparojnë.

Nga ana tjetër, janë bërë 25 ministrat e Jashtëm që kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, në të cilën bëhet thirrje për një ndalim të menjëhershëm të luftimeve në Gaza. Ndër vendet firmëtare janë edhe Japonia dhe Zvicra, përfaqësuese të kontinenteve aziatik, evropian, amerikan dhe oqeanik, të cilat kritikojnë modelin izraelit të menaxhimit të ndihmave humanitare dhe “vrasjen çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijë, që përpiqen të plotësojnë nevojat themelore për ujë dhe ushqim”.

Deklarata kritikon gjithashtu planet e Izraelit për zhvendosjen e popullsisë palestineze në një “qytet humanitar”, veprim që 25 vendet e quajnë “shpërngulje e detyruar”, si dhe planet e shpallura nga Administrata Civile Izraelite për ndërtimin e vendbanimeve të reja në të gjithë Bregun Perëndimor dhe dhunën e ushtruar nga kolonët ndaj palestinezëve.

Firmëtarët kërkojnë gjithashtu lirimin e menjëhershëm të pengjeve që mbahen nga Hamasi dhe që të gjitha palët e përfshira të respektojnë detyrimet e tyre sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare.

Papa Leoni XIV zhvilloi një telefonatë me Mahmoud Abbas (Abu Mazen), Presidentin e Shtetit të Palestinës, mbi zhvillimet e fundit të konfliktit në Rripin e Gazës dhe dhunën në Bregun Perëndimor. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit e Vatikanit.

Gjatë bisedës telefonike, Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen për respektimin e plotë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, duke theksuar detyrimin për të mbrojtur civilët dhe vendet e shenjta, ndalimin e përdorimit të forcës në mënyrë të pa dallueshme, si dhe ndalimin e shpërnguljes së detyruar të popullsisë.

Duke marrë parasysh situatën dramatike humanitare, u theksua urgjenca për t’i ardhur në ndihmë atyre që janë më të ekspozuar ndaj pasojave të konfliktit dhe për të mundësuar hyrjen e duhur të ndihmave humanitare.

Në fund, Papa kujtoi me gëzim përvjetorin e dhjetë të Marrëveshjes së Përgjithshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, e nënshkruar më 26 qershor 2015 dhe e hyrë në fuqi më 2 janar 2016.

Ora 10:29
Sulme të reja në Gaza/Forcat izraelite nisin ofensivë në pjesën qendrore të territorit

Ushtria izraelite nisi një sulm tokësor dhe ajror në qytetin Deir al-Balah, në Rripin qëndror të Gazës, duke shkaktuar valë të reja të zhvendosjes së civilëve. Operacioni filloi këtë mëngjes, disa orë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime për evakuim për banorët e gjashtë blloqeve të banimit në pjesën jugperëndimore të qytetit.

Gjatë fundjavës, BBC dhe organizata të përqëndruara në Gaza, thanë se 70% e banesave në të gjithë Rripin e Gazës janë shkatërruar dhe janë të pabanueshme, ndërsa Izraeli akuzohet se kërkon të bëjë spastrim dhe pushtimin e plotë të territorit.

E diela u mbyll me një bilanc të rëndë, ku të paktën 85 persona u vranë teksa ishin në pritje për të marrë ndihma. Po të dielën, IDF tha se sulmet ndaj Hamasit do të vijojnë. 

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 21/07/2025 17:47

    Izraelin e ndalin vetem prishjet maredhenieve dipllomatike ne tere boten perndryshe vetem me fjale lufta dote vazhdoj derisa te zhduket Palestinezi i fundit ,por kjo nu dote ndodhe pse e gjysma e botes jane kunder njerezimit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?