Ushtria izraelite tha të dielën se kishte filluar "operacione të gjera tokësore" në veri dhe jug të Gazës, duke intensifikuar një fushatë të re në enklavë, ku autoritetet shëndetësore palestineze thanë se sulmet izraelite vranë të paktën 130 persona gjatë natës.
Izraeli bëri këtë njoftim pasi burime nga të dyja palët thanë se nuk kishte pasur përparim në raundin e ri të bisedimeve indirekte mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas - të shpallur organizatë terroriste në SHBA dhe BE - në Katar.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se bisedimet e fundit në Doha përfshinë diskutime për një armëpushim dhe një marrëveshje për pengjet, si dhe një propozim për të përfunduar luftën në këmbim të burgosjes së militantëve të Hamasit dhe çmilitarizimit të enklavës — kushte që Hamasi i ka refuzuar më parë.
Ushtria izraelite tha se kishte ndërmarrë një valë paraprake sulmesh mbi më shumë se 670 objektiva të Hamasit në Gazë gjatë javës së kaluar për të mbështetur operacionin tokësor, të quajtur "Qerret e Gideonit".
Sipas ushtrisë, janë vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit. Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se qindra njerëz janë vrarë, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.
Izraeli ka bllokuar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gazë që nga fillimi i marsit për të ushtruar presion mbi Hamasin - grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja - që të lirojë pengjet izraelite dhe ka miratuar plane që mund të përfshijnë marrjen nën kontroll të të gjithë Rripit të Gazës dhe ndihmave humanitare.
Hamasi thotë se do të lirojë pengjet vetëm në këmbim të një armëpushimi izraelit.
Ndërmjetësit Egjipti dhe Katari, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, filluan një raund të ri bisedimesh të tërthorta për armëpushim mes dy palëve të shtunën, por burime pranë negociatave i thanë Reutersit se nuk kishte ndonjë përparim.
Sky Arabia dhe BBC raportuan gjatë natës se Hamasi kishte propozuar lirimin e rreth gjysmës së pengjeve izraelite në këmbim të një armëpushimi dymujor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
I kontaktuar nga Reuters, një zyrtar i Hamasit tha:
“Qëndrimi i Izraelit mbetet i pandryshuar, ata duan lirimin e të burgosurve të tyre, pa u zotuar të përfundojnë luftën”.
Duke e ndërlikuar potencialisht më tej procesin e armëpushimit, raporte në mediat izraelite dhe arabe thanë se lideri i Hamasit, Mohammed Sinwar, mund të jetë vrarë.
Hamasi as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi lajmin. Ministria e Mbrojtjes së Izraelit nuk pati ndonjë koment.
Në Izrael, Einav Zangauker, nëna e pengut të Hamasit, Matan Zangauker, tha se kryeministri Benjamin Netanyahu po refuzon të përfundojë luftën në këmbim të lirimit të pengjeve që kanë mbetur, për shkak të interesave të tij politike.
“Qeveria izraelite ende këmbëngul në marrëveshje të pjesshme. Ata po na torturojnë qëllimisht. Sjellni fëmijët tanë mbrapsht, të gjithë 58!”, shkroi Zangauker në platformën sociale X./REL
Komente
