Bota

Izraeli sulmon Iranin/ Andoni për Report Tv: OKB ka dalë jashtë loje, Tel Avivi mund ta kishte kursyer! Isa: I sofistikuar dhe me agjentë të infiltruar

13 Qershor, 17:46| Përditesimi: 13 Qershor, 18:40

  • Share

Izraeli ka sulmuar Iranin në vendet apo lokalitetet ku dyshohej se zhvillohej energjia bërthamore,por edhe ku ndodheshin komandantët më të lartë ushtarak dhe që përbënin rrezik për Tel Avivin.

Kjo temë gjeopolitike e ditës u analizua sot edhe në “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj. Të ftuar ishin analisti i çështjeve ndërkombëtare, Ben Andoni dhe gazetari i Report Tv, Arlind Isa.

Motivi kryesor i sulmit u theksua se ishte pikërisht kërcënimi që përbënte Irani së fundmi me pasurimin e uraniumit për prodhimin e armëve bërthamore.

“Janë sulme të precizionit të lartë. Një sulm i realizuar edhe me agjentë të Mossadit nga brenda Iranit, por që Izraeli nuk do ta konfirmojë kurrë. Në një rast prezicioni ka qenë aq i lartë, sa shënjestra, një ushtarak iranian, u vra në dhomën e gjumit, duke fjetur. Sulm në tre nivele; vendet (sitet) nukleare, komandatët ushtarakë të Iranit dhe grupi i shkencëtarëve”, shpjegoi gazetari i Report Tv, Arlind Isa për detajet e operacionit.

Më tej ai tha se komanda e Tel Avivit ka ndjekur një strategji goditëse fatale, edhe pse të lokalizuar në sulm dhe gati i ngjashëm në linjat e inteligjencës sikurse ai që përdori Ukraina ndaj Rusisë me “Rrjetin e Merimangës”.

“Izraeli ka ndjekur strategjinë e ‘prerjes së kokës’. Shënjestër edhe logjistika dhe infrasktruktura e ngritur nga Irani. Operacioni pritet të zgjasë 14 ditë, ndoshta edhe më shumë. Duke marrë parasysh kapacitetet e Iranit, besohet se do lëshojë raketa dhe dronë. Ndërkohë që thuhet se edhe Irani ka lëshuar, por mbetet i pa konfirmuar dhe nuk ka as pamje sipas informacioneve të fundit”, vijoi Isa.

Gazetari nënvizoi edhe faktin se sulmi vjen pas frikës së Izraelit me zhvillimet më të fundit të pasurimit të lëndëve bërthamore, me kapacitete që mund të prodhonin deri në 9 bomba bërthamore, nëpërmjet uraniumit.

Kurse gazetari Ben Andoni, analist i çështjeve ndërkombëtare, vuri në dukje se ky sulm ka treguar edhe çekuilibrimin e forcave, kurse OKB ka dalë jashtë loje. Ai ngriti edhe shqetësimin se me këtë sulm Izraeli mund t’i hapë probleme vetes në të ardhmen.

“Është përfundimisht çekuilibrimi i forcave. Nuk ka më grup shtetesh që kanë siguri dhe forcë për të drejtuar, OKB dhe Këshilli i Sigurimit ka dalë jashtë loje. Nuk ka më rregulla. OKB kishte evidentuar përpjekjen e Iranit për energjinë bërthamore, por pamundësinë e tij për të shkuar atje. Izraeli ka 60 koka bërthamore, kurse Irani asnjë. Lufta tokësore është e pamundur pothuajse për shkak të largësisë, pasi Izraeli do kishte probleme në të kundërtën. Por dyshimi është se si ka mundësi që një vend i sofistikuar si izraeli në sulmin e fundit, të mos zbulonte sulmin e Hamasit ku kishte edhe mjete primitive, brenda Izraelit, i 7 tetorit?”, u shpreh analisti për Repot Tv.

Andoni foli edhe për pasigurinë që përcjell përshkallëzimi i konflikteve në botë dhe rasti Izrael-Iran për të ardhmen e njerëzimit.

“Ka një lloj politike aktualisht që nuk pyet për asgjë. Askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë më tej. Izraeli duhet t’ia kursente njerëzimit këtë sulm ndaj Iranit, sepse bombardimi e ka bashkuar edhe më shumë popullin iranian dhe regjimin e Ajatollahut që po shkërmoqej këto kohë. Mendoj se Izraeli do vazhdojë me luftën e tij hibride dhe Irani do përpiqet të përgjigjet dhe rrisë sofistikimin e sulmeve. Por nga ana tjetër mendoj edhe se do ketë një lloj uljeje të fuqisë së sulmit në vijim dhe reagime nga ndërkombëtarët. Pasi Izraeli mund të ketë edhe probleme nëse kjo zgjat”, përfundoi gazetari.

A.Q/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?