Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar me shumicë dërrmuese një rezolutë që rikthen në qendër të debatit ndërkombëtar zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, vetëm një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se "nuk do të ketë kurrë një shtet palestinez".
E njohur si “Deklarata e Nju Jorkut”, dokumenti 7-faqësh u miratua të premten me 142 vota pro, 10 kundër, përfshirë Izraelin dhe aleatin e ngushtë SHBA, dhe 12 abstenime. Mes vendeve që abstenuan është edhe Shqipëria.
E paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite, rezoluta bën thirrje për “veprime të përbashkëta për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të arritur një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez, bazuar në zbatimin efektiv të zgjidhjes me dy shtete”.
(Foto: Votimi i shteteve)
Dokumenti i bën thirrje grupit palestinez Hamas që të “lirojë të gjithë pengjet” dhe të “dorëzojë kontrollin e Gazës dhe armët tek Autoriteti Palestinez, në funksion të themelimit të një shteti sovran dhe të pavarur palestinez”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës përshëndeti përpjekjet franko-saudite për të krijuar një plan konkret drejt zgjidhjes me dy shtete dhe kërkoi “aktivizimin e të gjitha mekanizmave për t’i dhënë fund okupimit kolonial izraelit” si dhe për të garantuar të drejtat legjitime të popullit palestinez.
Miratimi i kësaj rezolute vjen në një kohë kur Izraeli vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe vetëm një ditë pasi Netanyahu miratoi një plan të ri për zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, një lëvizje që e bën gjithnjë e më të pamundur formimin e një shteti palestinez.
Gazetarja e Al Jazeera-s, Kristen Saloomey, raportoi nga Nju Jorku se votimi tregoi “një kundërshtim të jashtëzakonshëm nga bashkësia ndërkombëtare”. Ajo theksoi se vota reflekton shqetësimin në rritje për mungesën e progresit në negociata dhe një përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit të paqes.
Kjo rezolutë i paraprin një samiti të rëndësishëm të OKB-së që do të mbahet më 22 shtator në Nju Jork, i bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, ku pritet që Presidenti francez Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë të njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Aktualisht, 146 vende anëtare të OKB-së e njohin Palestinën si shtet, ndërsa rreth 10 vende të tjera, përfshirë Francën, Norvegjinë, Spanjën, Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, pritet të bashkohen me këtë grup më vonë gjatë shtatorit.
Izraeli reagoi ashpër pas votimit, duke e quajtur rezolutën “të turpshme”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, shkroi në platformën X se votimi “tregon që Asambleja e Përgjithshme është kthyer në një cirk politik të shkëputur nga realiteti”, duke kritikuar faktin që rezoluta nuk e cilëson Hamasin si “organizatë terroriste”.
Ndërkohë që në OKB votohej për shtetësinë palestineze, në Rripin e Gazës vazhdonte bombardimi intensiv nga forcat izraelite. Vetëm të premten, pasi u shpallën rezultatet e votimit, u raportuan 59 të vdekur.
Komente
