Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se në sulmet kundër objekteve bërthamore të Iranit janë përdorur bombarduesit B-2 Spirit të Forcave Ajrore Amerikane – avionët më të avancuar në arsenalin ushtarak amerikan.
Sipas një përshkrimi zyrtar të Forcave Ajrore të SHBA-së, B-2, me strukturën e tij të veçantë në formë krahu fluturues, ndërtuar me materiale kompozite dhe veshje speciale kundër zbulimit, është i aftë të dërgojë një fuqi shkatërruese të madhe në kohë të shkurtër, kudo në botë, duke depërtuar përmes sistemeve të mbrojtjes më të fortifikuara.
Ky avion me katër motorë, i cili mund të mbajë armë bërthamore ose konvencionale, manovrohet nga një ekuipazh prej dy personash, ka një kapacitet ngarkese prej 40,000 paund dhe një rreze veprimi praktikisht të pakufizuar falë furnizimit me karburant në ajër.
Bombarduesi B-2 fluturoi për herë të parë në vitin 1989 dhe u përdor për herë të parë në luftë në vitin 1999, gjatë operacionit të NATO-s për krizën humanitare në Kosovë, duke goditur objektiva në Serbi me fluturim të pandërprerë nga baza e tij në Missouri. Më pas, ai u përdor edhe në Afganistan, në tetor 2001, në ditët e para të Operacionit Enduring Freedom.
Në kohët më të fundit, B-2 është përdorur gjithashtu nga baza e përbashkët amerikano-britanike në Diego Garcia, në Oqeanin Indian, për të goditur objektiva të Houthi-ve në Jemen.
Aktualisht, në arsenalin e Forcave Ajrore Amerikane ndodhen vetëm 20 avionë B-2, të gjithë të vendosur në bazën ajrore Whiteman në Missouri. Çdo avion kushton rreth 2 miliardë dollarë sipas vlerësimeve aktuale.
“Bunker buster”: SHBA përdori bombën GBU-57A/B në sulmet kundër Iranit
Gjatë sulmeve ndaj impianteve bërthamore iraniane, SHBA ka përdorur bombën GBU-57A/B Massive Ordnance Penetrator (MOP), e njohur ndryshe si “bunker buster”, kanë bërë të ditur dy burime të njohura me operacionin.
Kjo është një bombë e peshës 30,000 paund (rreth 13.6 ton), prej të cilave 6,000 paund janë eksploziv, dhe është ndërtuar për të depërtuar dhe shkatërruar objektiva të mbrojtur fort, siç janë strukturat që strehojnë armët e shkatërrimit në masë të kundërshtarëve.
Sipas një flete informative të Forcave Ajrore të SHBA-së, B-2 është i vetmi avion në botë që mund të mbajë dhe të lëshojë këtë bombë.
Komente
