Ja çfarë më thonin turistët e huaj kur vinin në Shqipëri! Bujar Lybesha, Esencë-Report Tv

2 Qershor, 22:05| Përditesimi: 2 Qershor, 22:08

  • Share

Përshtypje, kujtime, biseda dhe debate! I ftuar në Esencë Bujar Lybesha, ish udhërrëfyes i Albturist i cili flet për herë të pare për këtë çështje.Esencë nga Eljan Tanini, çdo të premte dhe të diel në ekranin e Report Tv në orën 21:00.

Bujar Lybesha: -Në 6 sezone të ndryshme kam bërë shoqëruesin e turistëve në të gjithë Shqipërinë. Organizime të tilla i bënte gjithmonë Albturizmi, sidomos edhe kontratat me agjensi të ndryshme evropiane. Une kam qenë një nga shoqëruesit e këtyre grupeve. Pano Lulo, Ed Kurtezi, Profesor Seferi i gjeta atje që merreshin me këtë punë në kohë sezonale. Albturist mbulonte disa hotele me shumë rëndësi në Shqipëri, si Shkodra, Elbasani, Pogradeci etj… Kishin edhe një park autobusash, korriku dhe gushti kishin fluks të madh në krahasim me hotelet që kishim ne. Ka pasur raste ku i lëviznin turistët se nuk kish vende. Oliverta, Neimi, Hajria, Afrimi, Skënderi, punonjës me kohë të plotë. Skënder Doko më ka dhënë leksione etike që ditën e parë në lidhje me turistët. Turizmi më çoi mua në tregtinë e jashtme më pas.

Kishte dy lloj turistësh që vinin në Shqipëri, popullor dhe mesatar. Austriaket si turistë ishin të përvitshëm. Një grup qendronte në Shqipëri 15 ditë brenda një programi të hartuar nga ne, Turizmi mesatar kishte shumë pak vizita, plazh, muze dhe më shumë pushim. Grupet kane qenë nga 30 deri në 50 vetë, grupet me turistë. Pas 3 vitesh u shtua me mua edhe një koleg që mësonte. Kontratat i bënte Albturizmi, Gaqo Mborja, Robert Vaso dhe Luan Bobrati

Eljan Tanini: -A jepnit leksione për emancipimin e gruas në Shqipërinë tonë moniste?

Bujar Lybesha: -Kishte lektorë që vinin nga institucione të ndryshme. Duke shkuar në Shkodër për të parë Uzinën e Telave dhe Muzeun Atesit, rrugës për në Shkoder u flas turistëve për gruan në shoqërinë tonë, ku në Zejmen të Lezhës kishte nja dy tre çezma, ishin krijuar vende qendrimi. Nja 10-15 gra kalojnë aty pranë të ngarkuara me dru, ato ishin të veshura me veshjet karakteristike të zonës dhe përpara tyre po ashtu me veshje të zonës ecte edhe një burrë me sopatë në dorë. Turistët u habitën e më thanë: Ky është emancipimi i gruas shqiptare? Në Durrës në darkë, bëra një takim ku u thashe kolegëve që gjatë asaj rruge mos flisni kurrë për emancipimin e gruas shqiptare.

Për 4 vjet kam shoqëruar francezë nga një Agjenci Franceze e quajtur Liber. Turistë bisnesmenë etj… Shkuam në Shkodër për të parë Muzeun e Ateizmit. Aty si turist, ishte edhe një prift katolik, unë e dija. Prifti katolik kur u ulëm për të ngrënë, më ulet pranë e më thotë me mirësjellje: -Ai muzeu që ne pamë ne sot, mund të quhet Muzeu Anti Fe, por jo me ateizmin, jo Muzeu Atesit, se nuk ka të bëjë fare me ateizmin.

Eljan Tanini: -Si ishin turistët që vinin në Shqipëri, nga pamja, nga flokët?

Bujar Lybesha: -Shumë gjëra ishin të shkruara që në kontratë, ata i dinin shumë mirë këto gjëra por i neglizhonin. Lejohej mjekra parciale, jo më shumë se aq. Një belg që vinte këtu çdo vit, punonte në minierë,  rruhej një herë në vit, rruhej këtu dhe shkonte atje, e kështu vit pas viti. Në Shkodër ishte një berber simpatik, Skënderi, rruajti një djalë që nuk ishte rruajtur kurrë që kur i kish dalë mjekra. E dashura e djalit të huaj u mërzit shumë, sepse ai nuk ishte më i dashuri i saj. Ushqimi ishte i mirë, shumë bio, shërbente makina e turizmit.

Eljan Tanini: -Abuzonin me ushqimin dhe pijet turistët?

Bujar Lybesha: -Zviceranët harxhonin, paguanin aty. 3 vakte ishin të paguara, çfarë merrej më pas paguhej në vend.

Francezët që kisha unë të Agjensisë Liber, kalonin pas darke nën tingujt e orkestrave tona. Na ftonim të kërcenim, por ne gjithmonë na dhimbte gjuri! Punëtorët operativë i hidhnin sytë nga në pa rënë në sy Kam takuar dikur në Hotel Adriatik, një burrë të vjetër që kishte qenë në Austri, takoi atje ish të dashurën e tij me bashkëshortin e saj, e kam parë vetë. Berati, qyteti me turizëm shumë të mire. Zoi Kusta në Berat e ka drejtuar turizmin shkëlqyer. Nuk e kisha vlerësuar kurrë sa i bukur ishte qyteti im, aty e kuptova sa i bukur ishte nga të huajt. Të huajt më thonin: -Si e ke lënë Beratin për të shkuar në Tiranë?! Në Berat na ikën, na u larguan turistët, dolën nëpër qytetin e vjetër, ne duhet të lëviznim ndërkohë. Ata kishin shkuar në një rrugicë nga më të ngushtat e Mangalemit, po hanin reçel, lëng trëndafili, për ta atje ishte më bukur se kudo.

Eljan Tanini: -A bënin turistët foto me ju?

Bujar Lybesha: -Po, të gjithë, ne nuk e jepnim kurrë adresën tone. Ne nuk e jepnim kurrë adresën tonë të shtëpisë, fotot nuk i merrnim kurrë. Kam foto me një belg të vogël që është rikthyer prapë në Shqipërinë e para pak viteve.

Eljan Tanini: -Si është historia e çiftit austriak që u njoh në Shqipëri?

Bujar Lybesha: -Çifiti ishte njohur në Shqipëri në udhëtimin e parë, dhe për 15 vite resht vinin në Shqipëri në kujtim të njohjes së tyre, në respekt të asaj dite, bënin vetëm pushim, pa lëvizur. Ndonjëherë i vihej në dispozicion ndonjë makinë

Eljan Tanini: -Çfarë thonin turistët për vendin, çfarë thonin për reklamat moniste e për parrullat në veçanti?

Bujar Lybesha: -Flisnin, ankoheshin. U bënin përshtypje shumë gjëra. E kuptonin varfërinë, dukej propaganda. Ditën e fundit kur ndaheshim edhe flisnin atë që mendonin: -Nuk pamë atë që mendonin. Sidomos ata që kishin bindje maoiste prisnin më shumë. Prisnin më shumë liri. Në fund ne bënim një lloji raporti, sidomos për albturizmin, pritjen, vizitat etj… Ata kërkonin më shumë liri personale, veprimi, jo të grumbulluar.

Eljan Tanini: -Po në këtë pjesën e rivieres, shkonin? Vlora, Borshi etj?

Bujar Lybesha: -Vlora ishte e ndaluar. Turistëve francezë të klasit mesatar u bëhej një piknik nga Borshi. Në disa vende turistët duhet të zbrisnin nga autobuzi sepse ky i fundit takonte me rrugën poshtë. Borshi u ngelej shumë në mendje. Organizonim dreka buzë detit, nën ullinj dhe agrume, gjëra që nuk harroheshin kollaj. Ndjenin shumë kënaqësi për këtë gjë

Eljan Tanini: -Foto bënin?

Bujar Lybesha: -U thonim se çfarë duhet të bënin, i udhëzonim. Muzeumet ishin të rëndësishme për këto guida, kishin goxha interes për historinë tonë.

Eljan Tanini: -A kishte kamuflime spiunimesh?

Bujar Lybesha: -Vizat i bënte ambasada, ata i çonin në site të gjithë ata që do të vinin në Shqipëri. Mua nuk më ka rastisur të më thoshte dikush që x person duhet ta kesh nën vëzhgim të rreptë. Xhamia e Tiranës në qendër ishte pjesë e guidave, Muzeu qëndror, Arkeologjiku, Varrezat e Dëshmorëve. Xhiroja e famshme e Bulevardit të Tiranës u bënte shumë përshtypje, merrnin edhe pjesë në xhiro, madje edhe janë trembur. Do ta kujtoni këtë bulevard pa makina pas shumë vitesh, këtë e thonin shpesh.  

Eljan Tanini: -Nga maji deri në gusht sa grupe shoqëronit?

Bujar Lybesha: -Ndonjëherë më kanë marrë edhe në dimër, nëse të kërkonte Albturizmi duhet të shkoje. Më hiqnin edhe nga puna. Në dimër ishte Korça me rëndësi. Kur ata dilnin në plazh, edhe ti duhet të ishe pranë tyre, në shërbim. Dhurata jepnin, por ne pranonim gjëra të vogla. Në aeroport qetheshin njerëzit, janë hequr funde. Ajo ka qenë kohë e vyer për mua, të rrije 2-3 muaj me francezë ishte luks i madh! Për djem kishte kërkesa shumë në këtë punë, vajzat i merrnin nga zori.

 

Bujar Lybesha sot është Konsull Nderi i Marokut në Shqipëri 

E.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?