Votimi në Kuvend/ Nga kriminalizimi i presionit psikologjik, ligji i pronave tek vijimi i aksionit të OFL-së

16 Prill 2020, 17:04| Përditesimi: 16 Prill 2020, 20:58

  • Share

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një seancë në kushte të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme, sa i takon projektligjeve të miratuara. Gjatë kësaj seance janë miratuar 21 projektligje, shumica përmes akteve normative. Ligji më i rëndësishëm dhe prodhoi më shumë debate ishte ai për disa ndryshime në Kodin Penal. Përveç kriminalizimit të shkeljes së karantinës dhe dënimit deri në 8 vite burg për infektim me dashje, u miratuan edhe disa ndryshime për ndëshkimin e dhunës në familje, duke ndryshuar nenin 130/a i Kodit Penal.

Për dhunën në familje dënimi rritet deri në 3 vite burg, nga 2 vite që është aktual. Për herë të parë kriminalizohet edhe presioni psikologjik. Kjo vepër penale do të dënohet po aq sa rrahja. Ndërkaq, zgjerohet rrethi për veprën penale të dhunës në familje, duke përfshirë: vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave, vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka, e dashura dhe ish e dashura (lexo ketu draftin qe u miratua). Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, psikologjike, kur kryhet në sy të fëmijëve dhe përsëritet, do të dënohet nga një deri në pesë vjet burgim. Propozimi për të rritur dënimin deri në 10 vite burg u rrëzua.

Gjatë seancës së sotme, u rrëzuar edhe dekreti i Presidentit Meta për rrëzimin e aktit normativ anti-krim. Me këtë vendim, Kuvendi lë në fuqi aktin normativ për goditjen e njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, izolimit fizik dhe sanksioneve ekonomike. Operacioni Forca e Ligjit do të nisë aksionin për verifikimin e pasurive të njerëzve të krimit menjëherë pas epidemisë. Aksioni do të vijojë deri në fund të këtij viti. Kuvendi hodhi poshtë sot edhe dekretin e Presidentit Meta për rrëzimin e ligjit të pronave

Ligji për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Shqipëri parashikon e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të tokave bujqësore të ish-kooperativave. Gjithashtu parashikon legalizimin dhe regjistrimin e ndërtimeve pa leje, objekteve dhe trojeve funksionale, kur mungojnë aktet e fitimit të pronësisë, si dhe të oborreve në përdorim si dhe rregullimin e marrëdhënieve në zona me përparësi zhvillimin e turizmit, përfundimin e procesit të inventarizimit të pronave të paluajtshme të shtetit dhe trajtimin e mbivendosjeve në fushën e pronësisë

Kuvendi ka vendosur sot gjithashtu edhe zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, deri në 30 korrik 2020 si dhe të Komisionit për Reformën Zgjedhore deri në qershor 2020. Veprimtaria e të dy komisioneve është pezulluar përkohësisht për shkak të epidemisë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?