'Ja kush më torturonte në qelitë e Sigurimit dhe dy patriotët e mi, që më akuzonin agjentë të UDB-së…' Dëshmia tragjike e emigrantit kosovar që vuajti 20 vjet burg

22 Qershor 2020, 07:28| Përditesimi: 25 Korrik 2021, 13:57

  • Share

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste”  si dhe për t’i shpëtuar  metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendëshme, ku për 24 orë nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qëndra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. E gjithë aventura e djaloshit 20 vjeçar nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, pwr t’u takuar me Kundëradmiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat çnjerzore që i’u bënë atij në Degët e Punëve të Brendëshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Dikur përmes gjendjes sime si somnabul, kërkova takim me Mehmet Shehun, duke arsyetuar para tyre se ai ishte trim dhe trimat as të falnin dhe as të mbysnin. Pas kërkesës sime, nuk më lejuan që të takohesha me kryeministrin, por më sollën një gjeneral të Sigurimit, të quajtur Nevazt Haznedari. Sa hyri brenda tek unë, gjenerali mu hodhë në qafë dhe më përqafoi. S`mund të gjykoja në ato çaste për motivet e vërteta të sjelljes së tij, por mbeta i hutuar nga ajo gjë. Ai ishte faqekuq, i rruar, i bukur dhe me shikim serioz e i shëndetshëm, e rrobat e gjeneralit i rrinin bukur. Ai i pyeti oficerët për mua dhe ata i thanë se asgjë s’kisha pranuar. Vetëtimthi ai m’u drejtua’ duke më thënë: Si more nuk të vjen turp që mohon veprën që ke bërë, kujton ti se ne nuk e dimë se kush të ka dërguar ty në Shqipëri”?! Kështu e kujtonte në mes të tjerash Nazmi Berisha takimin e tij me gjeneralin famëkeq, Nevza Haznedari, ish-kreun e Hetuesisë, pas kërkesës që ai kishte bërë për të takuar kryeministrin Mehmet Shehu, gjatë kohës që gjendej në qelitë e errta të Sigurimit të Shtetit. Nazmiu, i njohur ndryshe dhe me emrin Dyzi, i arratisur nga Jugosllavia për në Shqipëri në vitin 1959, prej vitesh me vënqëndrim të përhershëm si azilant politik në Oslo të Norvegjisë, ku u vendos pas riatdhesimit të tij në vitin 1980-të, rrëfen aventurën e tij tragjike, se si i kaloi 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i akuzuar si agjent i UDB-së.

Ëndrra për të takuar, “prijsin legjendar, Enver Hoxhën”

Nazmiu u lind në vitin 1939 në fshatin Llap të Komunës së Podujevës në krahinën e Kosovës. Si shumë të rinj të tjerë kosovarë që asokohe nuk e duronin dot shtypjen e regjimit titist me metodat rankoviçjane, edhe Nazmi Berisha kur nuk ishte më shumë se 21 vjeçar, i joshur dhe nga propaganda e regjimit komunist shqiptar, për “begatinë sosialiste”, vendosi që të arratisej nga Jugosllavija e të vinte në Shqipëri. Lidhur me këtë Nazmiu kujtonte: “Teksa rritesha, ndeshesha me padrejtësitë mizore që e kishin zanafillën tek flamuri i jonë kuqezi, që na e kishin hequr. Në stacionin e trenit të Prishtinës, me qindra kosovarë me brengën në zemër, linin atdheun për të shkuar në Turqi. Kjo ishte një lamtumirë rrënqethëse. Dikur, në shtëpinë tonë patëm një gëzim se “Shqipëria” do të vinte aty. Ishte fjala për një radio që na e kishte blerë babai, e mezi prisnim me gëzim të madh që të dëgjonim Radio-Tiranën. Ishte parada e madhe e 1 Majit, ku parakaluan me qindra e mijra puntorë, fshatarë, studentë, nxënës e ushtarë. O zot ç` krenari. Madje dëgjova të fliste Enver Hoxhën, prijsin e thirrur, legjendarin e Shqipërisë. Të them të drejtën ai zë ma mbushi zëmrën plot. M’u ngulit ideja se Shqipëria matanë dhe Shqipëria këtej, do të jetë bashkë. E unë dikur do ta përqafoja atë burrë me emrin Enver Hoxha, që nga zëri kumbues i tij, dridhej akoma dhe shtëpia. Besoja se nga ai zë u kallej data dhe jugosllavëve. E si të mos më ngjallte shpresë ai zë, kur në tokën tënde ndesheshe çdo ditë me një realitet të hidhur nga metodat e UDB-së, si përzënie me dhunë, mbyllje shkollash, mërgim, spiunim etj. Asokohe teksa dëgjoja atë radio dhe zërin e këngëtarit popullor Dervish Shaqja, me këngët e tija për Kosovën, sytë më mbusheshin me lot. Fizikisht jetoja në Prishtinë, por shpirtërisht isha në Shqipëri. I mbushur me këtë realitet, unë asokohe nuk dija aspak për ferrin e vërtetë ku jetonin shqiptarët, kurse fjalët bombastike në radio më jepnin besim dhe më ngjallnin shpresë”, kujton Nazmi Berisha, periudhën kur ai fare i ri, ndeshej me dy realitete krejt të kundërta të cilat e nxitën që të merrte rrugën në drejtim të kufirit për në Shqipëri.

Ardhja në Shqipëri me not nga lumi Buna

Lidhur me planin e peripecitë e arratisjes nga Kosova për në Shqipëri, Nazmi Berisha kujton:” Vendosa të ikja. Dilema për të gjetur rrugët më të mira, më mundonte shumë, pasi isha krejt i vetëm. Më në fund i hipa trenit për në Riekë dhe më pas një autobuzi për në drejtim të Ulqinit. Edhe aty ishte një Shqipëri mu fare pranë detit. Isha i lodhur e i dërmuar, mirpo më mbante gjallë shpresa që së shpejti do të isha në Shqipëri, do të kapërceja atë mur më të zi se të Berlinit. Pra, do të shihja Shqipërinë time dhe do ta puthja në ballë. Pasi i’u shmanga një fshatari të dyshimtë dhe pjesës së parë të natës e pabesisë së saj, duke u strukur në një rrëzë mali, unë me verdiktin e të uriturit, i’u hodha Bunës me not. Ndërsa notoja, dritat e Ulqinit regëtinin gjithnjë e më larg. Bregu tjetër i Bunës ishte shumë larg dhe unë ashtu i zhveshur vazhdoja të notoja dhe sa s` më zihej fryma nga të ftohtit. Atë lumë munda ta kaloj, vetëm se ëndrra ime, ishte më e fuqishme se vala e ftohtë e tij. Mendimi i parë që më lindi në tokën e ëndërruar, ishte që t`i dorzohesha policisë, mirpo asnjë këmbë njeriu nuk po dukej. Më në fund, duke ecur, pashë ca bagëti dhe një dritë të ndezur. Thirrjes sime: ‘O shqiptarë’, i’u përgjigjën disa kërcitje armësh dhe thirrja: duart lart. Ndërsa më gufonte zemra se më në fund do të shikoja ushtarët e policët e mëmëdheut, dy ushtarë dolën nga errësira dhe m’i lidhën duart nga mbrapa me një rrip. Ata më vunë përpara dhe në postën e tyre u përballa me një oficer që rrinte në një karrige të thjeshtë. Sjelljet e tyre brutale, unë i justifikoja, sepse vija nga matanë kufirit, ku dy shtetet ishin thikë më thikë. Pyetjet e para të oficerit ishin se: nga vija, me kë kisha qenë dhe pse isha i zhveshur. Ndërsa oficeri më shikonte me habi dhe dyshonte në fjalët e mija, unë i’u drejtova: Or vëlla, unë kam ikur nga Jugosllavija dhe gjithë sa them janë të vërteta. Kam ardhur vetë në Shqipëri, sipas bindjes sime të thellë, se ky është atdheu im. Dua të shkollohem këtu dhe të bëhem i vlefshëm për Shqipërinë. Oficeri përsëri vazhdonte me të njëjtat pyetje, ndërsa unë tepër i lodhur i’u kërkova bukë e ujë. Kur hapa sytë, tek koka pashë dy ushtarë dhe u gëzova pa masë kur më thanë se do të më çonin në Shkodër, për të cilën kisha dëgjuar aq shumë histori. Dy ushtarët më shpunë në Degën e Brendëshme, që s`ja kisha dëgjuar emrin kurrë. Kuptova se ishte e ngjashme me milicinë jugosllave. Aty më futën në një dhomë ku ishte një fotografi e madhe e Enver Hoxhës, për të cilën kisha afeksion. Unë u emocionova shumë dhe oficeri që e vuri re këtë gjë, më lejoi të ulesha. Mundohesha ta largoja frikën, duke menduar se këta oficerë nuk ishin si ata të UDB-së, që rrihnin dhe drogonin axhën tim, këta ishin krenaria kombëtare. Pas nënshkrimit, më lejuan të pushoja. Një polic më mori dhe më zbriti shkallëve duke më dorzuar te një tjetër, që më bëri kontrollin e tretë, që kur kisha hyrë në kufi. Ai çeli një derë të rëndë dhe unë e pashë veten në qeli. Aty më kaploi gjymi dhe vetëm të nesërmen u zgjova. Për mua s`po kujtohej njeri. Trokita fort në derë dhe kërkova bukë. Polici m’u përgjigj se: nuk më takonte atë ditë. Nuk shkoi gjatë dhe roja hapi derën e birucës. Të njejtët policë më bënë ato pyetje të një dite më parë, ndërsa mua po më gërryente uria. Ditën e dytë, më nisën për në Shijak dhe Shkodrën që e kisha ëndërruar, nuk e pashë fare. Në Shijak më vendosën në një shtëpi që ata e quanin Shtëpia e Pritjes. Aty isha si në shtëpinë time, isha i lirë dhe ushqimin e siguronin ata të policisë. Ditën e dytë, më filluan pyetjet e policisë së Shijakut, njëlloj si ato që më bënin në Shkodër. Unë përpiqesha që të mos harroja asgjë pa thënë, me mendimin se ashtu i shërbeja më shumë Shqipërisë sime” kujtonte Nazmi Berisha, ditët e para të ardhjes në “tokën e ëndërruar”.

Kampi i internimit në Çermë të Myzeqesë

Në qytetin e Shijakut, Nazmi Berisha qëndroi për afro dy muaj, ku herë pas here ai paraqitej në polici. Po kështu dhe policët, herë pas here i shkonin në dhomën e tij, duke e marrë në pyetje të hollësishme. Mbas dy muajsh, atë e larguan që andej, për ta çuar në një drejtim të panjohur për të. Lidhur me këtë, Nazmiu kujtonte: “Kur nuk i kisha mbushur dy muaj në Shijak, përsëri më morën për rrugë. Makina e zbuluar linte nga pas tym. Shikoja fshatarët e paveshur dhe të dobsuar që punonin në ara. Po kështu dhe fëmijët e tyre të veshur keq, luanin e këndonin shqip. Dikur makina u ndal. Vendi quhej Çermë. Zbritëm nga makina me hijen e gjatë të policit nga pas. Më bëri përshtypje një fakt, se ndryshe nga Prishtina, aty gjeje vetëm njerëz të shkurtër. Ndonëse aty nuk kishte asgjë romantike, në retinën time ata njerëz përcilleshin të lumtur. Aty pat qenë dikur këneta e Tërbufit, ku të grinte malarja tmerri i myzeqarëve. Pranë Çermës, ishin barrakat e dë dënuartëve politikë. Ato barraka ishin dëshmia e fundit e punës së atyre skllevërve (ashtu do t` i quaja më pas, se në atë kohë as guxoja) që kishin tharë kënetën e Tërbufit. Për Çermën, Tërbufin dhe barrakat më tregonte Shuaip Hoxhiqi. ‘A e beson or mik’, më thoshte ai me një dialekt gjysëmyzeqar, se të burgosurit hanin të vjellat e njëri tjetrit?! Shuaipi ishte kosovar si unë, edhe ai ishte dënuar gjoja si agjent i UDB-së. Unë fjalët e tija i merrja me rezerva, por sidoqoftë ai më tregonte. Njerzit vdisnin për bukë, më thoshte ai. Kampet e përqëndrimit ishin si në kohën e Hitlerit, ndoshta më zi. Të burgosurit i fusnin në një kafaz të thurrur me tela me gjëmba në mes të qiellit të hapur dhe i linin aty në shi e në diell, pa bërë fajin më të vogël. Unë në Jugosllavi kisha dëgjuar për trajtimin e të burgosurve dhe rrahjet që ju bënte UDB-ja, por nuk pata rastisur të më tregonte kush për kësi lloj torturash. Aty në Çermë, që s`ishte tjetër, veçse një kamp përqëndrimi, ndonëse pa tela me gjëmba, ishin mbi 300 kosovarë. Fjalët e tyre të para ishin: ‘Ç’farë ke dashur që erdhe këtu. Ne të gjithë jemi të penduar, po të gjejmë mundësinë, edhe në këmbë kthehemi’?! Kështu më thonin Sokol Jaka, Adem Gega e Hazir Haziri nga Drenica. Shumica e tyre kishin mbi pesë vjetë në Çermë. Aty u tret dhe ëndrra ime për shkollë, se në Çermë nuk kishte fare shkollë. Jeta aty ishte aq e zymtë sa s` bëhej fjalë fare për dritë në jetën tonë. Na zgjonin në pesë të mëngjezit dhe pastaj na bënin rreshtimin dhe numërimin e njerzëve, pastaj buka dhe nisja për punë. Aty në kamp që nuk u linte gjë mangut atyre naziste, secili merrte rrogë mujore 200 lekë (të reja). Për të shkuar në Lushnje, duhej të merrje leje në polici. Aty, si kryepolic ishte një farë Veli Kondi, i cili inskenonte vetë tentativat për arratisje. Ai ishte bërë një regjizor i përsosur, për të vënë në skenën e Çermës shfaqje makabre. Një nga ngushëllimet e mija në atë kohë, u bë ardhja në Çermë e një djali tridhjetvjeçar, të quajtur Kapllan Resuli. Ai asokohe ishte i njohur dhe për ne në Kosovë, si shkrimtar i dëgjuar. Unë e ftova të vinte në barrakën time dhe ishte fat që jetova shumë kohë me atë patriot dhe shkrimtar të madh. Ditët e netët e zymta të Çermës, unë i mbushja me Kapllanin, i cili më tregonte për burgun e Idrozovës në Jugosllavi, ku kishte qenë i dënuar”, kujtonte Nazmi Berisha, për periudhën që ai u dërgua në kampin e Çermës dhe tmerret që dëgjonte prej bashkëpatriotëve të tij kosovarë për atë vend.

Si më torturonin në Burgun e Tiranës

Pas dy vjetësh nga vajtja në kampin e Çermës, Sigurimi i Shtetit filloi të bënte tentativat e para për ta rekrutuar Nazmi Berishën, si agjent të vetin. Lidhur me këtë, Nazmiu kujtonte: “Një ditë, teksa kthehsha nga puna, më njoftuan të shkoja në polici në Lushnje. Mendoja se më kërkonin se kisha bërë një foto tek monumenti i Pavarsisë në Vlorë dhe një tjetër ku kisha dalë zbathur në Çermë dhe këto u’a kisha dërguar njerzëve të mi në Prishtinë. Kur u paraqita në Degë, personi që më priste, kishte ardhur nga Ministria e Brendshme. Pasi më pyeti për motivet e ardhjes sime në Shqipëri, ai m’u drejtua duke më thënë se: për njerëz si unë kishte nevojë atdheu. Unë në fillim u gëzova se për herë të parë që nga ardhja në Shqipëri, po i dëgjoja ato fjalë. Më pas ai më tha të shkoja në Çermë, sepse me patriotë të tillë siç isha unë, nuk kishte kurrë telashe. Sapo u ktheva në Çermë, gëzimin tim ja shfaqa Kapllan Resulit. Të nesërmen në mëngjez më njoftuan se duhet të shkoja përsëri në Lushnje. Këtë herë në Degë, më priti një oficer i ri që quhej Hajri, i cili pasi më vuri në dukje besimin që kishte Partia tek unë, më foli gjatë për synimet e titistëve ndaj Shqipërisë dhe për vigjëlencën. Prej meje si patriot dhe njeri i besës, kërkohej diçka: ‘Duhej të informoja përgjithshka që ndodhte në kamp, sepse në mes nesh kishte agjentë të Jugosllavisë’. Përpara më vuri një deklaratë, ku ishte shkruar pseudonimi im “Mali i bukur” dhe obligimet e mija për të njoftuar Sigurimin për gjithshka”, kujtonte Nazmi Berisha.

Firmosja e deklaratës

Në Degën e Brendëshme të Lushnjes, Sigurimi i Shtetit, me anë të mashtrimeve dhe duke përfituar nga mosha e re dhe naiviteti i Nazmi Berishës 23 vjeçar, e bindi atë që të firmoste deklaratën që ai të bashkpunonte me ta. Lidhur me këtë, Nazmiu kujtonte: “E nënshkrova deklaratën si i trullosur, por bash në atë çast diçka më shtërngoi fort për fyti….! Përse kjo duhej të ndodhte atë ditë dhe përse me mua? Pra do të denoncoja shokët me të cilët haja e pija. Ndërkohë që isha i bindur se në kamp asnjë s`ishte i dërguar i UDB-së. U ktheva në Çermë tejet i shqetësuar. Unë spiun i shokëve?! Jo kurrën e kurrës. Punë e madhe pse e kisha nënshkruar atë deklaratë. Vendosa dhe këtë gjë u’a tregova shokëve e Kapllan Resulit. Ata më thanë të hiqja dorë nga poshtërsitë e Sigurimit dhe po të më thërrisnin më në polici, të mos shkoja. Nuk do t`jua harroj shokëve të mi, që më shpëtuan nga katastrofa morale, ku donte të më fuste Sigurimi. Nuk vonoi shumë dhe më thirrën në polici. Unë aty i’u parashtrova me gjakftohtësi gjykimin tim, duke i’u thënë se: unë nuk dija asgjë se çfarë bëin shokët, se isha i burgosur dhe rrija vetëm e mbas punës sa shkoja në barrakë më zinte gjumi. Mbas një muaji, më thërritën përsëri në degën e Lushnjes. Në polici takova Sali Shatrin dhe Remzi Berberin. Me Saliun isha njohur në Shijak, ndërsa Remziun e shihja për herë të parë. Sali Shatri ishte nga Istogu i Pejës dhe kur isha në Shijak, më pat uruar shëndet e fat në Shqipëri. Për çudinë time, Sigurimi më rimori në pyetje, të cilat m’i kishin bërë edhe herët e tjera që kisha qenë aty. Në fytyrat e tyre ndjehej egërsia. Unë as që e kisha vënë re që: njeriu që më pyeste, ishte Sali Shatri. Spaletat i qenë zverdhur si gjethet e vjeshtës. Pas pak më thanë se do të shkoja me ta. Unë rrija si i habitur pa e ditur se ku do të më çonin”, kujtonte Nazmi Berisha, atë kohë kur Sigurimi po bënte të gjitha tentativat për ta rekrutuar si agjent të tij.

Në Degën e Brendëshme të Krujës

Lidhur me transferimin nga Lushnja në Krujë, Nazmiu kujtonte: “Në oborrin e brendshëm të Degës së Lushnjes ndodheshin tre policë dhe një makinë policije. Sali Shatri, ishte oficer i Sigurimit nga Peja dhe Remzi Berberi, po ashtu oficer i Sigurimit nga Dibra e Madhe. Saliu hiqej sikur ishte njeriu im, dhe aq larg sa ishte, vetëm më buzëqeshte. Nuk kam për t’i harruar kurrë ato fytyra. Pas një udhëtimi jo të gjatë, u gjendëm në Degën e Krujës. “Shtëpija e Pritjes” në Krujë, ishte më e mirë se ajo e Shijakut. Ajo ishte ndërtuar në një vend të shenjtë për bektashinjtë që quhej Sarisalltik. Të nesërmen, ashtu siç e kisha menduar, më filluan ‘raundin’ e ri të pyetjeve. Sali Shatri me Remzi Berberin, filluan të më pyesnin për gjithshka, nga familja, shokët, dajat, miqtë, ç`flitej për Enver Hoxhën, socializmin, për Titon, emrat e UDB-ashëve, profesorët e Kosovës etj. Procedimi i im i hollësishëm vazhdoi për një muaj. Sali Shatri nuk ishte më ai i Lushnjes, tani ai më rrihte shpatullat, duke më falenderuar dhe më merrte me të mirë. Dikur më dhanë disa letra për t’i firmosur, duke më thënë se ishin ato që kishim biseduar. Unë jo vetëm i firmosa, por dhe i falenderova për kujdesin që kishin treguar ndaj meje. Ndërkaq i gëzohesha vetes, duke menduar se tashmë do të më jepej leja për të vazhduar shkollën. Por të nesërmen, ende pa u zbardhur mirë, më erdhën dy oficerë të Sigurimit, të cilët nuk i njihja fare. Ata më thanë: ‘Ende nuk je ngritur o agjent i Jugosllavisë’?! Unë u tmerrova dhe m’u duk se më goditën më shuplakë në fytyrë, e i’u përgjigja: Unë agjent?! ‘Po po, ti, dhe mos u hiq sikur nuk di gjë. Ty të ka dërguar Çedo Topalloviçi kryetari i UDB-së për Kosovën. Ne e dimë mirë këtë’, më thanë ata. Balli m’u mbush me bulza djerse dhe i’u drejtova, duke u thënë se: ata ishin provokatorë, sepse unë isha krejt i ndershëm. Ata më thanë: ‘A s`je ti mor djalosh, që ke nënshkruar deklaratën e djeshme me Remzi Berberin, ku e ke pranuar që je spiun?! Unë nuk e pranova atë gjë dhe kërkova ballafaqim me Remziun e Sali Shatrin. Ata më sollën Ajet Haxhiun nga Mitrovica e Kosovës, bashkë me të ishte dhe Sali Shatri. Unë i’u thashë atyre se atë deklaratë e kisha firmosur në mirëbesim të Sigurimit, pa e ditur se çfarë shkruhej aty. Ata, pasi më dëgjuan me vërejtje, më thanë: ‘Ti djalosh duhet t’i tregosh gjërat ashtu siç janë. Kush të ka rekrutuar për punë spiunazhi kundër Shqipërisë, kush të ka përcjellë në kufi dhe çfarë detyrash të kanë dhënë, e me kë do të takohesh. Të gjitha këto ulu dhe shkruaji mirë e bukur, se ne nuk kemi shumë kohë të presim’. Unë nuk doja t’u besoja as syve dhe as veshëve. Ndërsa në mëndje më vërtiteshin shumë marrëzira, vendosa që t’i shkruaja një letër Mehmet Shehut, për të cilin në Kosovë kisha dëgjuar legjenda pambarim. Kështu kërkova takim me të. Le të njihej ai me monstruozitetet që bëheshin në kurriz të kosovarëve. Të nesërmen, Mehmet Shehu më dërgoi një gjeneral, i cili pa më folur asnjë fjalë, më tregoi gazetën “Zëri i Popullit”, ku shkruhej për revizionistët jugosllavë që ishin me dy fytyra, ashtu sikur isha dhe unë spiun, që një ditë e pranoja dhe një ditë e mohoja atë gjë. E pashë gjëndjen time të rëndë, se sipas asaj gazete, ardhja e ime në Shqipëri, kishte lidhje me grupin e Teme Sejkos”, kujtonte Nazmi Berisha tentativat e Sigurimit të shtetit për ta implikuar si agjent të UDB-së, “që ishte dërguar për të hyrë në lidhje me grupin e Teme Sejkos”!

Torturat në burgun e Tiranës

Në takimin me gjeneralin e Ministrisë së Brendëshme, Nazmi Berisha i mohoi të gjitha akuzat që i bëheshin për agjent të UDB-së. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Fjalët e mija që i thashë gjeneralit, nuk u morën parasysh. Ndërsa ai iku, unë u ula dhe qava pa zë. Mbas tre ditësh erdhi Sali Shatri me tre oficerë dhe me një makinë policie, më dërguan në Burgun e Tiranës. Përsëri atje më filluan hetuesinë. Prej meje kërkohej lidhja me grupin e Teme Sejkos. Hetimet i kryente Nazif Shehu me Nazmi Krajën nga Shkodra, që të dy me gradën e kapitenit. Qysh në fillim ata kërkuan që unë të nënshkruaja vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Aranit Çela, i cili më ngarkonte për krimet që nuk i kisha bërë. Këtë turp nuk e bëja më kurrë. Dhe mendoja për ata që do të shihnin marrëzinë time, prindrit, familja dhe gjithë Kosova. E kush do të ma falte atë gjë. Tashmë me firmën time, unë nuk mund t`jua plotësoja oreksin e të tjerëve. Boll kisha gabuar njëherë. Aty në atë burg kalova ditë e netë të tëra lodhje dhe hetuesie. Fjala ime e vetme, ishte se Remzi Berberi më kishte mashtruar në Krujë. Por këmbngulja e tyre ishte e llahtarshme, ata donin medeomos deklaratën. Një ditë më erdhi një shef i hetuesisë, që quhej Rexho Hyseni dhe ishte nga Konispoli. Ai m’u drejtua: ‘Po ne kemi përvojë me kësi si ti, ne i dimë mirë truket e spiunëve të Titos. Të gjithë si ti nuk e kanë pranuar në fillim, por më pas kanë ligjëruar si bilbilat’. Pas kësaj ndaj meje filluan torturat. Ata më lidhnin pas karriges së ngujuar në beton dhe më binin me tehun e shuplakës në fyt. Kur lodheshin vetë, thërrisnin të tjerë që të vazhdonin punën e tyre. Më linin pa gjymë për netë të tëra. Më linin pa bukë pa ujë dhe më dërgonin në banjo, ku ishte tepër ftohtë nga çimentoja. Më dërgonin në birucë ku nuk mund të lëvizja fare, se vinte roja dhe më rrihte më një teknikë allaturka, e më dërgonte përsëri në banjon e çimentos, ku më lidhnin me hekurat e gjermanit. Torturat zgjatën nja shtatë-tetë ditë. Pas kësaj më dërguan në një birucë, ku më lanë një javë pa më pyetur njeri fare. Dikur përmes gjendjes sime si somnabul, kërkova takim me Mehmet Shehun, duke arsyetur, se ai është trim dhe trimat si ai, as të falnin dhe as të vrisnin. Me kryeministrin nuk më takuan, por më sollën një gjeneral tjetër të quajtur Nevzat Haznedari. Ai sapo hyri tek unë, mu hodh në qafë dhe më përqafoi. S` mund të gjykoja në atë çast, për veprimin e tij, por mbeta i hutuar nga ajo gjë. Ai pyeti oficerët për mua dhe ata i thanë se nuk kisha pranuar asnjëgjë. Haznedari vetëtimthi mu drejtua: ‘Si more nuk të vjen turp, që mohon veprën që ke bërë, kujton ti se nuk e dimë ne se kush të ka dërguar ty në Shqipëri?! Pas kësaj, ai i urdhëroi ata të më ballafaqonin. Hetuesit si të xhindosur, vunë në përdorim tërë arsenalin e tyre. Ata në fillim më paraqitën një letër të mixhës sim, i cili më porosiste që të takohesha në Durrës me “Shkambin”, i cili ishte nyja që do të më takonte me Teme Sejkon. Ky “Shkambi”, paskej radiomarrse që lidhej me Flotën e Gjashtë Amerikane, me monarko-fashistët grekë dhe revizinonistët jugosllavë. Unë ngulja këmbë se ato ishin vetëm marrëzira e asgjë tjetër”, kujtonte Nazmi Berisha, torturat dhe peripecitë e tija në burgun e Tiranës, ku kërkoni ta implikonin si agjent, që kishte ardhur në Shqipëri me misione spiunazhi i dërguar nga UDB-ja.

Dëshmitarët e rremë

Pas shumë sencave hetuesie, Sigurimi i Shtetit vendosi që ndaj Nazmiut të paraqiste dëshmitarë, me qëllim që ta thyenin atë. Po kush ishin ata dëshmitarë dhe për çfarë e akuzonin ata Nazmiun. Lidhur me këtë, ai kujtonte:” Trokita fort në derë dhe i thashë policit, se doja të takohesha vetëm me Mehmet Shehun. Në hetuesi, më priti zv/Ministri i Punëve të Brendëshme, Rexhep Kolli. Ai më tha që: të mos i pengoja organet e hetuesisë dhe urdhëroi Rexho Hysenin që të më ballafaqonin me dëshmitarët. Nuk vonoi shumë dhe në dhomë më futën Ali Zukën, një 60-të vjeçar nga Prishtina, të cilin e njihja që në Çermë. Ai dëshmoi se më njihte prej kohësh dhe mua në Shqipëri më kishte dërguar UDB-ja, spiun i të cilës isha prej kohësh. Po kështu, Aliu tha se: para se të nisej ai vetë për në Shqipëri, Çedo Topalloviçi, kryetari i UDB-së për Kosovën, e kishte porositur që në Shqipëri të takonte agjentin e UDB-së, Nazmi Berishën dhe Aziz Zhilivodën e Selam Tetovën, të dy spiunë të Jugosllavisë. Këto tha Ali Zhuka dhe unë e mohova që ai të kishte qenë shok i tim eti dhe se atë e njihja vetëm nga Çerma. Më vonë, mora vesh se Zhilivoda dhe Tetova, u futën në burg, pasi Aziz Zhilivoda shkonte e vinte tek Kadri Hazbiu, pa e ditur se ç`plane kurdiste Sigurimi i Shtetit. Më pas, më futën dhe dëshmitarin Selim Xhakaj, të cilin se njihja fare. Ky deklaroi se: me porosi të UDB-së kishte mbajtur korrespodencë me mua që nga Semani. Nga ato poshtërsira të bashkëpatriotëve të mi, unë u bëra si i çmëndur, saqë më dërguan tek Dr. Ylvi Vehbiu, i cili më tha se: me ato që po bëja, po rëndoja veten e familjen”, kujtonte Nazmiu, bashkëpatriotët e tij, që Sigurimi i Shtetit i detyroi që t’i dilnin si dëshmitarë, me akuza të sajuara.

Riatdhesimi në vitin 1980

Pas gjithë këtyre peripecive, ndonëse Nazmi Berisha nuk pranoi asnjë nga akuzat, ai u dënua me 25 vjet burg politik, nga të cilat vuajti plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist, i akuzuar si agjent i UDB-së. Ai u lirua më 3 qershor të vitit 1980 dhe kërkoi që të riatdhesohej në vëndlindjen e tij Kosovë. Ajo gjë i’u plotësua dhe më 8 tetor të vitit 1980, një oficer i Sigurimit me një “Vollga” e përcolli Nazmiun deri në pikën kufitare të Morinit. Për atë çast, në kujtimet e tija Nazmiu shprehet: “Kisha kapërcyer Golgotën”./Memorie.al

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?