Policia e Elbasanit ka dhënë detaje të reja në lidhje me sekuestrimin e një sasie prej 40 mijë paund një ditë më parë. Sasia e parave u gjet në një makinë "Porsche", me drejtues shtetasin A. S., 35 vjeç banues në fshatin Vodice të Beratit.
Sipas policisë, 35-vjeçari nuk dispononte asnjë dokument për burimin e parave të sekuestruara dhe ndaj tij ka nisur hetimi.
"Shtetasi A. S. është shoqëruar në ambientet e DVP Elbasan dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është proceduar penalisht", thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale, për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi'.