Pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit ndodhën shumë ndryshime në kampin opozitar e veçanërisht në gjirin e Partisë Demokratike. Një nga figurat kryesore të kësaj partie, drejtuesi i saj për shumë vite, President dhe kryeministër për 8 vite si dhe deputet për 9 legjislatura, u shpall person “non grata” nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Së bashku me familjen e tij. Dhe me një motivacion dërrmues për të si i përfshirë në korrupsion, minues i demokracisë dhe pengues i institucioneve të drejtësisë. Mirëpo këto nuk janë veprime të thjeshta, spontane e të vetmuara, të bëra në prapaskenë nga ish- kryeministri, por procese të tëra dhe kryera përgjatë shumë viteve.
Këto procese kanë instaluar në Shqipëri korrupsionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë së tij. Për këto arsye, Sali Berisha dhe Partia Demokratike ikën nga pushteti me afro 1 milionë vota kundër. Pas këtij dështimi të madh, Sali Berisha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, por pa pranuar të largohet nga politika. Mënyra se si u imponua në zgjedhjen e pasardhësit të tij në krye të PD, pozicioni që mori në favor të Lulëzim Bashës, veprimet e tij të mëvonshme në Parlament e më gjërë përforcuan dhe përhapën më tej perceptimin në opinionin publik se ai kishte bërë sikur kishte iku, pa ikur realisht. Kur disa analistë ia konstatonin opozitës këtë difekt e paradoks të madh, këtë pengesë gjigande për të pretenduar pushtetin, përballeshin me sofizma të “analistëve” të PD-së, të cilat iu hakërreheshin se “ju po bëni opozitën e opozitës”. Po pse, ku ishte dhe ku është e keqja të evidentosh nevojën e reformimit të vërtetë të saj, në funksion të rikuperimit moral, që ka si qëllim final rifitimin e besimit të humbur të publikut?
Ja pra që zhvillimet e mëvonshme, e sidomos të këtyre kohëve të fundit i vërtetojnë analiza dhe konkluzione të tilla të sakta. Aq sa këtë e pranojnë edhe ata që dikur të nxirrnin sytë po të guxoje e të bëjë një parashikim të tipit “opozita nuk është gati dhe nuk ka shanse të vijë në pushtet”. Për shembull, njëri prej tyre thotë që me këto që ndodhën(përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar) paska qenë më mirë që opozita nuk erdhi në pushtet, duke iu referuar kështu karakterit të dobët të dëshmuar, sipas tij, të kryetarit zyrtar të PD-së, Lulëzim Basha.
“A mund të fitojë PD duke patur kundër Shtetet e Bashkuara të Amerikës- pyet një tjetër analist i njohur, duke nënkuptuar që kjo është thjesht e pamundur. Kurse një ish- ministër i LSI-së më në fund, pas kaq kohësh ka arritur në përfundimin se opozita nuk gëzon besimin e publikut! Deputetë të rreshtuar në krah të Bashës, duke përfshirë edhe vetë atë, shfaqen me zemër të thyer për vendimin që iu desh të marrin, duke salduar kështu arsyet se pse skanë patur asnjë shans të fitojnë zgjedhjet Dhe në vend që të fillojnë ti bëjnë punët siç duhet në funksion të një opozite të fortë, rrijnë e justifikohen. Rrijnë e përbetohen që nuk ia kanë me të keq, por ashtu e kërkoi Amerika.
Një nga arsyet kryesore të analizës dhe parashikimit se pse opozita nuk mund të vinte në pushtet ishte edhe prania me rol protagonisti absolut dhe me perceptimin në publik si kryetari real i PD, i Sali Berishës. Kjo vlen edhe për zgjedhjet që sapo u mbyllën e që opozita nuk donte të pranonte rezultatin nën preteksin e “masakrës zgjedhore”. Por në kuadrin e zhvillimeve që po ndodhin në sy të të gjithëve shumëkush e kupton se pavarësisht pretendimeve dhe alibive të saj, opozita thjesht i humbi zgjedhjet. Dhe në vend të përsëritjes së refrenit të “masakrës zgjedhore” bën mirë të fillojë të mendojë që tani për një strategji veprimi e sjelljeje në mënyrë që të ripërtërihet pozitivisht në sytë e publikut