Zgjedhjet e pjesshme të Himarës nuk kanë mbetur jashtë vëmëndjes edhe të mediave të huaja e kryesisht atyre greke.
Ashtu sikurse edhe gjatë fushatës, sot ato kanë publikuar edhe përfundimin e numërimit dhe rezultatin e firores së kandidatit socialist Vangjel Tavo.
“Protothema” e cilëson zhvillimin politik elektoral si “fitore të kandidatit të Ramës”, teksa shfaqet e ashpër në trajtimin e ngjarjes, edhe për shkak të humbjes së kandidatit të mbështetur nga Omonia dhe PBDNJ, që përfaqësojnë minoritetin grek, biznesmenit Petro Gjikuria.
Po kjo media i referohet kandidatëve me emra në greqisht: “Vangelis Tavos mblodhi 59% të votave - 41% për Petros Gikouria që mbështetej nga minoriteti grek - Tavos falënderoi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren”, shkruan gazeta në fjalë.
Teksa më tej nënvizon: “I zgjedhuri i Edi Ramës është fituesi i zgjedhjeve në Himarë për emërimin e pasuesit të Fredi Belerit, kryebashkiaku i zgjedhur dhe tashmë eurodeputeti që mbetet në burg”.
Tavo fitoi me 59% të votave (4858 vota), ndërsa Gjikuria ka marrë 41% (3400 vota). Edhe SKAI ka raportuar rreth zgjedhjeve të Himarës, duke iu referuar përfaqësuesve të Omonias, që hodhë n akuza ndaj qeverisë. Kurse "Zougla" përshkruan përfundimin e rezultateve në Himarë, shifrat e kandidatëve, të shoqëruara me një foto të kryebashkiakut të ri Tavo. Më tej nënvizohet se fituesi Vangjel Tavo ka falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe PS-në publikisht për mbështetjen e dhënë.