Ka një moment të caktuar kur një vend ndalon së qeni i gjallë dhe nis të shndërrohet në imazh. Kjo ndodh kur turizmi nuk mjaftohet më me vizitën, por fillon ta konsumojë vendin. Kjo ka ndodhur në shumë qytete të Mesdheut: Gallipoli, Santorini, Bonifacio, Palma de Majorka, Dubrovnik… Dikur të konsideruara parajsa për t’u zbuluar, sot po mbyten nën peshën e famës së tyre. Ndërkohë që territore të reja, si Shqipëria, po hyjnë në tregun global të turizmit dhe rrezikojnë të ndjekin të njëjtën rrugë, ia vlen të kthehemi pas dhe të pyesim: çfarë nuk funksionoi?
Çdo qytet ndjek një rrugë të ngjashme: fillimisht autenticiteti, më pas pushtimi, dhe në fund përpjekja për të mbijetuar. Me një pyetje që kthehet gjithmonë njësoj: a jemi ende në kohë për të mos përsëritur të njëjtat gabime, diku tjetër?
Gallipoli dhe ana tjetër e mitit të Salentos
Ka një moment të vitit – zakonisht mes fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit – kur Gallipoli rikthehet të jetë vetvetja. Plazhet boshatisen, baret mbyllin qepenat, altoparlantët pushojnë dhe banorët – ata që kanë mbetur – dalin nga shtëpitë dhe rimarrin në zotërim sheshet. Por kjo zgjat pak. Gjatë pjesës tjetër të verës, Gallipoli është qyteti që nuk fle kurrë. Jo nga natyra, por për nevojat e turizmit.
Deri në fillim të viteve 2000, ky qytet konsiderohej si një perlë e qetë në bregun e Jonit: një fshat peshkatarësh i vendosur mes kishave baroke dhe një deti të kristaltë, i dashur për familje dhe udhëtarë që kërkonin një turizëm të qetë bregdetar. Ishte koha kur Salento, ende larg vëmendjes mediatike, tërhiqte një turizëm pothuajse “hipi”: çadra mes ullinjve, zjarre në plazh, udhëtarë në kërkim të autenticitetit, kuzhinë e thjeshtë, festa të shenjtorëve lokalë, koncerte të muzikës tradicionale “pizzica” nën yje. Ishte edhe koha kur masariet (fermat tradicionale) filluan të shndërroheshin në struktura mikpritëse: disa dhoma, mikpritje familjare, një ide turizmi rural dhe të ngadaltë që bashkonte peizazhin, ushqimin dhe kulturën.
Pastaj erdhi “boomi”. Me krijimin e “brand-it Salento”, të promovuar nga Puglia Promozione, me këngët verore të xhiruara në plazh, me mbërritjen e fluturimeve low-cost në Brindisi, Gallipoli brenda më pak se dhjetë vitesh u shndërrua në “Ibiza e re” e Jugut: turma të rinjsh tërhiqeshin nga “beach party”, aperitivët pa fund dhe netët e gjata në plazh apo në disko. Edhe masariet ndryshuan identitet: nga strehë rustike për udhëtarë të vetëdijshëm, në ambiente përrallore për dasma, darka spektakolare dhe fundjava “all inclusive” me pishina dhe DJ set.
Në vitin 2012, sipas të dhënave të Observatorit Rajonal të Turizmit, Gallipoli regjistronte pak më shumë se 300 mijë qëndrime turistike në vit. Në vitin 2019 ishin tashmë mbi 700 mijë. Në vitin 2023, numri arriti pothuajse në një milion. Një shifër tronditëse për një qytet me 20 mijë banorë, prej të cilëve vetëm 4 mijë banojnë në qendrën historike. Gjatë verës, popullsia e përditshme mund të kalojë 50 mijë vetë, duke ushtruar një presion të madh mbi burimet ujore, mbledhjen e mbeturinave, rrjetin e kanalizimeve dhe trafikun. Të dhënat e ARPA Puglia tregojnë për nivele të larta ndotjeje akustike dhe detare gjatë muajve të verës, me tejkalime të vlerave të koliformeve fekale në disa pjesë të detit urban – shpesh të shkaktuara nga shkarkime të paligjshme apo nga mbingarkesa e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.
Por ndikimi i “overtourism”-it nuk është vetëm mjedisor: ai është edhe social e strukturor. Qendra historike, dikur e banuar nga peshkatarë, të moshuar dhe familje, sot është kolonizuar nga B&B, dhoma me qira dhe apartamente pushimi. Sipas një studimi të vitit 2021 të kryer nga Nomisma për Confartigianato Lecce, mbi 70% e pronave brenda qytetit të vjetër janë të destinuara për qira afatshkurtra. Çmimi mesatar për metër katror është rritur me 62% brenda një dekade. Qiratë për banorët, aty ku ende ekzistojnë, janë bërë të papërballueshme dhe shumë janë detyruar të shpërngulen në bashkitë përreth.
Përballë kësaj situate, janë formuar komitete lokale – si “Gallipoli Nostra” – që kërkojnë rregulla më të forta për dhënien e koncesioneve, emetimet zanore, oraret e hapjes së lokaleve dhe dendësinë turistike. Disa urdhëresa bashkiake, si ajo e vitit 2022 që ndalonte muzikën me volum të lartë pas orës 2 të mëngjesit, janë pritur me lehtësim nga banorët, por janë kritikuar nga operatorët turistikë. Ndërkohë, sezoni turistik është zgjatur: në maj shfaqen tashmë grupet e para të organizuara, dhe deri në tetor lokalet qëndrojnë të hapura. Por, megjithëse ekonomia rritet – sipas të dhënave të Federalberghi, turizmi përfaqëson mbi 60% të PBB-së së qytetit – Gallipoli duket e zbrazur nga përmasa e saj e dikurshme dhe autentike.
Santorini, ishulli i ëndrrave nën rrethim
Dikur ishte një destinacion për udhëtarë të vetmuar, arkeologë, studentë, çifte të heshtura tërhequr nga drita që përshkon shtëpitë cikladike, vera e bardhë e prodhuar në shkëmbinjtë vullkanikë dhe perëndimet e diellit mbi kraterin e fundosur të Calderës. Por sot Santorini është disi ndryshe. Çdo ditë, veçanërisht në sezonin e lartë, rrugicat e fshatit Oia mbushen me vizitorë që mbajnë celularin në dorë, në radhë për të bërë foton perfekte. Shkallët e bardha, dikur vende për reflektim dhe bukuri, janë shndërruar në sfond për një rrjedhë të pandërprerë turistësh.
Ishulli, që numëron rreth 15 mijë banorë, mirëpret çdo vit mbi 2 milionë turistë. Vetëm në vitin 2019, përpara pandemisë, kanë zbarkuar mbi 800 mijë pasagjerë nga kroçerat, sipas të dhënave të Autoritetit Portual të Egjeut Jugor.
Anijet e kroçerave janë ndër shkaktarët kryesorë të mbingarkesës ditore: në pak orë ato zbresin mijëra pasagjerë në portin e vogël të Thirës, nga ku transportohen me autobusë ose anije të vogla drejt pikave më panoramike të ishullit. Sipas një studimi të Universitetit të Pireut, ky model turizmi ka ndikim të pakapërdyeshëm mbi sistemin e transportit, cilësinë e ajrit, infrastrukturën ujore dhe jetesën urbane. Ishulli nuk ka burime të veta uji dhe është i detyruar të desalinizohet ose ta importojë ujin. Zgjerimi i veprimtarisë turistike ka shumëfishuar konsumin e energjisë, ndotjen nga trafiku dhe problemet me menaxhimin e mbetjeve.
Banorët ankohen gjithashtu për rritjen e qirave dhe zhdukjen graduale të shërbimeve bazë, të zëvendësuara nga butiqe dhe minimarkete për turistët e kroçerave.
Protestat nuk kanë munguar. Në vitin 2017, qeveria greke vendosi një kufi ditor për zbarkimet nga kroçerat (8 mijë persona në ditë), por sipas shoqatave lokale si “Save Santorini”, kjo shifër është ende shumë e lartë dhe rregullat lehtësisht të anashkalueshme. Kërkohet një politikë më e guximshme: kufizimi i licencave për hotele të reja, rregullimi i qirave afatshkurtra, nxitja e formave të turizmit të qëndrueshëm si rrjetet e shtigjeve dhe enoturizmi. Disa kryetarë bashkish në arkipelagun e Cikladëve kanë propozuar vendosjen e një takse të diferencuar qëndrimi, sipas sezonit dhe llojit të akomodimit.
Për momentin, megjithatë, Santorini mbetet simboli i një parajse fotogjenike që po konsumohet ngadalë nën peshën e vet imazhit.
Palma de Majorka në protestë
Për ata që jetojnë aty, Palma është bërë e pajetueshme. Për ata që e vizitojnë, është një parajsë me kosto të ulët. Kjo është kontradikta që prej vitesh ushqen debatin në ishullin më të famshëm të Balearëve, ku turizmi ka tejkaluar kufijtë e qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore. Me një popullsi prej rreth 900 mijë banorësh, Majorka mirëpret çdo vit mbi 14 milionë turistë, kryesisht nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Qendra historike e Palmës, dikur e banuar nga familje vendase, është boshatisur. Sipas të dhënave të Zyrës së Modelit Urbanistik të Bashkisë, në vitin 2022 mbi 65% e apartamenteve në qendër ishin kthyer në qira afatshkurtra për turistët.
Pasojat janë të njohura: rritje e çmimeve të banesave, trafik i shtuar, rritje e mbetjeve, konsum i madh i ujit në një ishull që tashmë është i thatë. Shoqata “Ecologistas en Acción” ka denoncuar disa herë presionin e tepruar mbi sistemin lokal të furnizimit me ujë dhe ndotjen që lidhet me trafikun ajror tepër intensiv. Çdo ditë gjatë verës, aeroporti i Palmës përpunon mbi 900 fluturime. Qyteti është vendosur përballë një dileme: të zgjedhë midis përfitimit nga turizmi dhe të drejtës për të jetuar në mënyrë dinjitoze.
Që nga viti 2017, zëri i protestës është rritur: slogane si Mallorca no es vende (Majorka nuk është në shitje) apo Tourist go home (Turistë, shkoni në shtëpi) janë shfaqur nëpër mure dhe manifestime publike. Në vitin 2023, dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar kufizimin e qirave afatshkurtra, një taksë turistike më të fortë, rregulla më të rrepta për hapjen e hoteleve të reja dhe një plan konkret për mbrojtjen e banorëve. Qeveria e Balearëve reagoi duke vendosur një moratorium për ndërtimin e strukturave turistike në disa zona, ndërsa bashkia nisi monitorimin e platformave si Airbnb dhe Booking.
Megjithatë, dinamika spekulative është e vështirë të ndalet: shumë banorë vazhdojnë të japin shtëpitë me qira për periudha të shkurtra, duke përfituar nga sezoni turistik. Në të njëjtën kohë, kanë nisur të zhvillohen nisma për turizëm alternativ, i lidhur me zonat e brendshme të ishullit, bujqësinë dhe cikloturizmin. Kooperativa të vogla dhe agroturizme po përpiqen të ndërtojnë një model ndryshe, më të rrënjosur në territor dhe më të respektueshëm ndaj ritmeve lokale. Por në Palma, si edhe gjetkë, koha për të ndryshuar modelin duket gjithnjë e më e shkurtër.
Koha për të mos përsëritur të njëjtat gabime
Nuk ka një moment të saktë kur një vend ndalon së qeni i jetuar dhe nis të konsumohet. Por kur ndodh, shpesh është tepër vonë. Masat për të frenuar overturizmin vijnë pothuajse gjithmonë pasi dëmi është bërë: kur banorët janë larguar tashmë, çmimet kanë kapur qiellin dhe ekuilibrat mjedisorë janë thyer.
Të shohësh këto raste nuk do të thotë vetëm të vëzhgosh kriza, por edhe të kuptosh pasojat e vendimeve politike, ekonomike dhe kulturore. Turizmi nuk është neutral: sjell punë, por edhe pasiguri; sjell vëmendje, por mund të fshijë identitetet lokale; sjell zhvillim, por nëse drejtohet keq, kthehet në konsum.
Sot është Shqipëria ajo që ndodhet përballë këtij pragu. Por bashkë me të janë edhe Mali i Zi, bregdeti egje i Turqisë, Djerba në Tunizi: territore ende në ekuilibër, por gjithnjë e më të ekspozuara ndaj një modeli që tashmë e njohim mirë. Dallimi, ndoshta, është se këta vende janë ende në kohë për të zgjedhur një drejtim tjetër./Gambero Rosso
Komente

Vetëm të pasurit duhet të mbledhin paratë e turizmit në hotele luksoze , vetëm të pasurit duhet të udhëtojnë e të shohin botën . Të tjerët duhet të lindin për t’ju shërbyer të pasurve , e të vdesin duke mirëmbajtur fshatra e qytete ku vetëm ata të bëjnë fotografi , jo selfie , so duhet të ken edhe një fotograf nga pas .
Përgjigju