Kronikë

Jahti me flamur slloven gjendet i braktisur në zonën e Patokut, ishte nisur nga Greqia drejt Malit të Zi! Dyshohet se mund të përdorej për trafik droge

17 Tetor 2020, 21:36| Përditesimi: 17 Tetor 2020, 22:47

  • Share

Në afërsi të Shëngjinit është gjetur një jaht i braktisur me flamur slloven. Jahti i braktisur është konstatuar prej dy ditësh në afërsi të Ishmit dhe është mbajtur nën vëzhgim nga policia kufitare. Policia kufitare e ka parë ditën e parë që në jaht nuk ka pasur njeri  dhe më pas është larguar. Ajo është rikthyer ditën e dytë kur e ka gjetur sërish të braktisur dhe për këtë arsye e ka marrë dhe e ka ankoruar mbrëmjen e sotme në orën 20:10 në Portin e Shëngjinit. Sipas burimeve jahte të tilla shoqërohen gjithmonë me një gomone dhe mendohet se ajo është larguar që aty para se të mbërrinte policia, çka shton dyshimet se jahti mund të përdorej për trafik droge.

Jahti është tip Veliere me flamur slloven me emër TAI-PAN dhe është marrë nga policia kufitare në zonën e Patokut për t'u ankoruar më pas në portin e Shëngjinit. Sipas burimeve në jaht nuk është gjetur asnjë dokument dhe se Veliera ishte nisur nga Greqia drejt Malit te Zi.

Autoritetet nga prokuroria e Lezhws kanë nisur hetimet për të zbuluar se kujt i përkiste jahti dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ky është jahti i dytë që gjendjet i braktisur në afërsi të Shëngjinit, ku një vit më parë u gjet edhe jahti turk i braktisur në të cilin udhëtonte kapiteni Sezgin Yavuz, i cili vijon të jetë i humbur. Më datë 7 shtator 2019  jahti  “Atik Bey” u gjet i braktisur në ujërat ndërkombëtar në Detin Adriatik, 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit, me GPS te fikur, ndërsa gjatë kontrollit policia gjeti dokumentet e kapitenit Sezgin Yavuz. Një tentativë e mundshme e trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe mandej në Turqi, në zonën turistike të Izmirit dhe Antalias, ka qenë pista kryesore ku është fokusuar prokuroria e Lezhës, teksa sot ende nuk ka një përfundim të këtyre hetimeve.

I.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?