“Atij po i digjet mjekra, ti kërkon të ndezësh cigaren”! Kjo është shprehja më e mirë popullore që shpjegon në mënyrë të detajuar sjelljen e Albin Kurtit, kryeministër në detyrë i Kosovës, në raport me aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Teksa ka shpërthyer në parametrat më të lartë konflikti mes Izraelit dhe Iranit, ku bombardimet e ndërsjella nga të dyja palët në kryeqytetet respektive e më gjërë po shkaktojnë shuarjen e jetëve njerëzore dhe shkatërrime masive, si dhe paralajmërojnë rrezikun e lartë të zgjerimit të konfliktit deri në një luftë të përbotshme, madje nukleare, në Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Albin Kurti në mënyrën e tij po tregon nivelin më të lartë të talljes me qytetarët e Kosovës por dhe me veten. Por dhe duke na rrezikuar përballë aleatit tonë të madh, SHBA.
E themi këtë, pasi na ka vënë me të vërtetë në dyshim të madh për gjendjen e tij stabël mendore, teksa kreu i dorëhequr i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur për konsum publik një deklaratë, në përgjigjie të lajmit të fortë të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili shkroi të dielën në ‘Truth Social’ se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova e Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte. Por shtoi se ai e ndaloi këtë luftë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.
Për kujtesë, gjatë mandatit të parë të Trump, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. Marrëveshja ishte planifikuar për t’u nënshkruar nga presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi. por që për shkak të përplasjeve mes palëve në Uashington, si dhe me mbështetjen evropiane, Thaçi arrestohet nga prokurorët e Hagës. Që nga ajo kohë ai është në gjykatën Speciale të Hagës, ndërsa marrëveshja në prani të Trump u nënshkrua nga ish kryeministri Abdulla Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Pikërisht për raportet Prishtinë-Beograd, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur, por se duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023. Albini përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, e cila po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces. Me një fjalë Kurti është në rregull, ndërsa Vuçiç duhet tërhequr për ‘veshi’, anipse Uashingtoni po tregon çdo ditë e më shumë se ka më shumë interes për Serbinë se sa për Kosovën. Dhe kjo falë kokëfortësisë dhe ‘trimërisë’ së Albinit për t’u qëndruar fort përballë ‘superfuqive’.
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiç ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti të hënën, në përgjigjie të deklaratës së Trump.
Ndërkohë që Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar asnjë takim për dialogun në nivel të lartë politik. Më vonë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.
Megjithëse tani për tani, pala e Kosovës nuk ka përfaqësues zyrtar që të negociojë pasi është në një ngërç të fortë politik për shkak të kokëfortësisë së Kurtit për të mbajtur pas 32 raundesh të dështuara votimi si kandidate për kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, edhe në kushtet kur nuk i ka votat për të bërë konstituimin e Kuvendit dhe më pas konfigurimin e qeverisë së ardhshme, si dhe faktit se opozita nuk e voton Albulenën e as nuk bën aleancë qeverisëse me Kurtin, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare para kohe. Pritet vetëm një vendim sado i vonë i Gjykatës Kushtetuese si dhe dekreti i presidentes Osmani për zgjedhjet e parakohëshme.
Pra në kushtet kur bota është në prag të luftës së tretë botërore, dhe SHBA si vendi lider në botë e praktikisht superfuqia e vetme që ka në dorë angazhimin për arritjen e ndërprerjes së luftës dhe uljen e palëve në dialog, ndërkohë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po vijon me instensitet të lartë, kryeministri në detyrë i Kosovës Kurti gjen kohën dhe mundësinë për t’i vënë dy ‘kushte’ SHBA dhe Presidentit Trump në raport me marrëdhëniet me Serbinë. Madje i bën dhe karshillëk, duke nënvizuar se nëse nuk plotësohen këto dy kushte nuk ka dialog me Serbinë!
Ndërkohë që lidershipit të SHBA po i ikën mendja pasi dhe për faj të tij ndoshta, është përballë një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, ku nuk përjashtohet mundësia që në mes të hyjnë dhe armët bërthamore, të bllokohen rrugët e naftës pasi Irani paralajmëroi bllokimin e kanalit të Hormuzit, Albini kërkon ‘qiqra në hell’, duke i vënë ‘kushte’ SHBA-së që nëse kërkon konsensusin e Prishtinës për të rregulluar raportet me Beogradin, atëherë duhet t’i sjellë urgjent Radoiçiçin me duart të lidhura për ta gjykuar në Kosovë si dhe duhet të grisë një letër të dërguar para dy vitesh nga ish kryeministrja serbe Brnabiç, e cila ka deklaruar se nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për pasojë as integritetin e saj territorial.
Një mendje normale, në këtë situatë kur askush nuk e ka mendjen se çfarë ndodh në këtë cep të Ballkanit, ku ‘vegjeton’ dhe një qeveri e një kryeministër në detyrë e ku vendi ruhet nga ushtarët e NATO-s pasi përndryshe do ta gjente belaja ditën më të parë që t’i hiqej kjo ‘perde’ e hekurt mbrojtëse, nuk mund të ‘udhëzonte’ deklarata të tilla në gojën e një politikani, në rastin konkret të Albin Kurtit, për t’i vënë kushte SHBA-ve për dialogun ordiner për momentin dhe të lënë rrugëve nga vetë dy liderëve respektivë, mes Kosovës dhe Serbisë.
Për më tepër që po të hënën ka qënë vetë ambasadori amerikan në Beograd, Hill, ai që ka deklaruar se nuk pret që SHBA të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë dhe kontestin mes Kosovës e Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën. Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.
E thënë shkurt e qartë, në këtë situatë askush nuk ia ka ngenë se çfarë ndodh në Ballkan, jo më në Kosovë, në këtë derenxhe ku e ka zhytur Albini, duke e armiqësuar me SHBA e BE si dhe duke e vënë nën sanksionet e BE, aq i lexon njeri deklaratat e kryeministrit në detyrë të Kosovës. Pra na e thonë me shumë lezet dhe me një fjalor të nënkuptuar e tepër bio, ‘pirdhuni me gjithë Radoiçiç, Albin, Vuçiç dhe Brnabiç’.
Prandaj ‘kushtet’ që Kurti po i vë SHBA-së as që i ka parë dhe dëgjuar njeri. Madje s’ka asnjë reagim as nga ambasadorët e SHBA dhe të vendeve të BE në Prishtinë, të cilët jo vetëm që nuk e konsiderojnë më Kurtin si kryeministër por nuk po shqetësohen më as për fatin e Kosovës, e cila tashmë është në një ngërç të fortë politik, pavarësisht se zgjedhjet kanë përfunduar që në shkurt por që vendi është pa Kuvend dhe pa qeveri. Partnerët me sa duket e kanë lënë në ‘rënie të lirë’ Kosovën, ndërsa Albin Kurti tallet me qytetarët e Kosovës dhe me veten, duke treguar kinse se po u vë ‘kushte’ SHBA e BE dhe po i bën presion që t’ia sjellin të lidhur Radoiçiçin në Prishtinë si dhe të merren me grisjen e letrave të ish kryemninstres serbe, që paska shkruar dy vite e ca më parë.
Bën si i fortë Kurti me një fjalë! Sikur Trump dhe SHBA ngrysen e gdhihen duke pasur në mendje vetëm Kosovën, Albinin, dhe mistrecllëqet e tij në bashkëpunim me Vuçiç dhe Serbinë, vetëm e vetëm për të krijuar idenë se po lufton fort për Kosovën dhe vetëm ai e mban larrg Serbinë, por që në realitet është një ‘duet’ mbijetesë në mes tyre, që SHBA për fatin e keq as që i hyn në xhep fare, duke e lënë Kosovn ‘të rrjedhë’ si t’i vijë.
Fundja Kurti e ka zyrtar qëndrimin e tij se 40 përqind e qytetarëve të Kosovës janë budallenj, ndaj e votojnë. Por të mos tallet as me veten, pasi larg qoftë ndodh ndonjë e pabërë dhe Albini nuk di as të mbushë pushkën, por do të ikë si gjithnjë duke ‘mbushur brekët’, bashkë me patriotët e rrjeteve sociale dhe mbështetësit e tij ithtarë. Duke humbur madje dhe “betejën për Albulenën” që e ka fort për zemër. Larg qoftë ky moment.
Shpresojmë që Albin Kurti të kthjellohet dhe të arrijë një marrëveshje me partitë opozitare për koinstituimin e Kuvendit, përpara se të fillojë pushimet në Greqi, bashkë me familjen. E themi këtë sepse dhe Albini ka nevojë për pushime dhe rrezitje në diell, megjithëse bregdetin shqiptar e ka bërë hasha me kohë e me vakt, por duhet t’i shërbejë dhe popullit të vet atje në Kosovë ndonjëherë, pasi e bëri politikan, madje dhe me lekë e pushtet, dhe të mos vijojë të tallet me shqiptarët e Kosovës duke i konsideruar budallenj.
Siç i ka cilësuar dhe në ‘traktatin’ e hartuar në kohën kur ishte në opozitë, në lidhje me rrugët për të ardhur në pushtet dhe që me sa duket e ka bindje këtë. Është koha për reflektim. Sa nuk është vonë.
Komente
