Sali Berisha u mundua që lobimin me vlerën e ‘kripur’ prej 6 milionë dollarësh me një kompani amerikane ta paraqiste para zgjedhjeve si një risi për rregullimin e marrëdhënieve me SHBA, por pas 11 majit i është kthyer në një bumerang të madh.
Jo se deshi ta bënte publike para zgjedhjeve marrëveshjen lobuese, por meqë kontrata u zbulua nga media dhe u pasqyrua me të gjitha detajet e mundshme për publikun, lidershipi demokrat tentoi që të rikuperonte dëmin duke e paraqitur si një fakt të kryer se SHBA është në anën e PD dhe mezi pret që Sali Berisha, ‘sherifi i ri’ në qytet të marrë drejtimin e qeverisë së re shqiptare.
Madje kreu i PD filloi ta përcillte dhe për militantët e tij këtë perceptim të realitetit paralel dhe të ‘përmbysur’, teksa nisi të imitonte në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit të opozitës, pikë për pikë veshjen, fjalorin dhe sjelljen e Donald Trump gjatë fushatës së tij presidenciale, përmes të cilës ai mundi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, pas 4 vitesh pauzë, me presidencën e Biden!
Berisha filloi të shpeshtonte daljet publike me ish drejtuesin e fushatës së Donald Trump, të kontraktuarin nga PD për fushatën e 11 majit të opozitës, Chris LaCivita, vuri një kapele në kokë si të Trump, deklarohej me të njejtin fjalor si presidenti amerikan dhe shprehej me fjalët madje imitonte dhe gjestikulacionet e tij, teksa deklarohej kunder Sorosit e komunistëve në Shqipëri, të cilët i kërcënonte se do të largoheshin patjetër nga pushteti më 11 maj!
Për më tepër që Berisha nisi ta quante vetën “sherifi i ri’ që do të vinte në në qeverisje së shpejti, në përqasje të etiketimit që zv.presidenti amerikan i bëri Trump teksa fliste në Bruksel përballë liderëve evropianë, ku nënvizoi se ‘tashmë ka një sherif të ri në Uashington”.
S’dimë saktësisht nëse vetë Berisha e besonte atë që thoshte, por mënyra se si sillej dukej se i pëlqente ta quanin ‘sherifi i ri’ i Shqipërisë. Por të sigurtë jemi se ithtarët e tij në kupolën e PD, përfshirë dhe ata që shkonin e vinin në Uashington, e besonin 100% se Berisha ishte ‘sherifi i ri’ i Shqipërisë pas 11 majit! Madje shkriheshin kur e thonin këtë!
Dhe si për ta bërë më të besueshëm slloganin ‘sherifi i ri në qytet’, Berisha ka pozuar me një kapele alla-kaubojsi, që e mori si dhuratë nga një shqiptaro-amerikan nga Teksasi, Lodovik Tetaj. Ndonjë kapele, ndonjë flamur të ‘ruajtur motit’ dhurojnë ata, janë patriotë. Nuk japin lekë diaspora jonë në Amerikë për qamet, pasi nuk duan të na ‘mësojnë keq’. Fundja s’kanë dhënë kurrë për 35 vite me radhë, të kuptohemi, dhe se kanë për inat, por nuk e kanë zanat këtë punë!
“Sherifi i ri në qytet", shkruan Berisha, teksa shfaqet me kapele kaubojsi. Pra, me sa duket Berishës i dukej vetja vetja si "sherifi i ri" i Shqipërisë, meqë po ndiqte dhe imitonte pas asnjë ndryshim, Donald Trump-in në veprimet e tij. Imagjino se si i duket flamur Nokës, Albana Vokshi e deri tek Agron Gjekmarkaj. Jo vetëm sherif por dhe luan e shkuar luanit!
Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit dihet tashmë, nuk ka nevojë për komente të mëtejshme. Edi Rama dhe PS fituan 83 deputetë, plot 9 mandate më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021. PD dhe koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha shënoi një humbje rrënuese, duke marrë vetëm 50 deputetë, ndërsa socialistët bashkë me aleatin hipotetik PSD, kalojnë shumicën e cilësuar, me plot 86 deputetë, pa pasur asnjë nevojë për të kërkuar votat e opozitës për ligje të rëndësishme. Madje as rinumërimi në Tiranë e kudo i kërkuar nga Berisha s’ndryshoi rezultatin. Përkundrazi i hoqi dhe disa vota që ishin hedhur tepër për PD nga numëruesit, gabime njerëzore këto!
Berisha jo vetëm që nuk u bë ‘sherifi i ri’ i Shqipërisë, sipas përqasjes imituese me etiketimet për Trump, por tashmë rrezikon shpërbërjen e PD, e cila është në mandatin e katërt rresht në opozitë dhe nëse respektohet neni ‘Basha’, Berisha duhej të kishte ikur që më 12 maj nga posti i kryetarit të PD. Gjë që nuk do ta bëjë kurrë, pasi nuk e lëshon ‘pronën’ e tij Berisha, spese e zvogëloi kaq shumë vetëm e vetëm që të kishte ‘paketën kontrolluese’ të opozitës! Që vështirë ta mbajë gjatë!
Jo vetëm që nuk fitoi zgjedhjet Berisha, por tërë përpjekjet e tij për t’u paraqitur si zgjedhje e SHBA dhe Donald Trump për kryepartner në Shqipëri, i janë kthyer në bumerang të madh! E themi këtë sepse, tani pas humbjes rrënuese të zgjedhjeve të 11 majit, për ‘sherifin e ri’ në tentativë kanë nisur problemet me drejtësinë për lobimin prej 6 milionë dollarësh në SHBA.
Raportohet se SPAK ka nisur hetimet për çështjen e kontratës së lobimit për llogari të PD nga një fondacion amerikan. Nga Prokuroria e Posaçme nuk sqarohet se çfarë elementësh e kanë bindur që nga faza e verifikimeve të kalojë në hetim, por ajo që dihet është se procedimi penal mban numrin 143, ndaj prokuroria ka kërkuar ta pasurojë këtë çështje me kontratën e lobimit. Për të siguruar këtë dokument Altin Dumani i ka kërkuar zyrtarisht PD-së që t’i vendosë kontratën në dispozicion, fakt i konfirmuar fundjavën e kaluar nga Flamur Noka, i cili nuk ishte thirrur për këtë hetim, por për krimet zgjedhore të 11 majit të kallëzuara nga demokratët.
“PD ka bërë transparencë të plotë, kemi vënë çdo gjë në dispozicion s’kemi gjë për të fshehur”, u shpreh Noka për mediat. Kontrata me një kompani amerikane në Uashington me vlerë 6 milionë dollarë e për një afat 2-vjeçar u nënshkrua në 4 prill 2025. Si firmosës në Shqipëri ishte sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe si garant në SHBA një shtetas i identifikuar si Nuredin Seci, një tropojan 72 vjeçar, emigrant i vonë ky, i cili tërë jetën e tij ka punuar elektricist dhe që ka emigruar në Amerikë për një jetë më të mirë.
Demokratët pretendojnë se ka qenë komuniteti shqiptaro-amerikan ai që përmes fondacionit “Make Albania Great Again” kishte kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve të PD. Pa përmendur emra dhe pa zbardhur listën e ‘donatorëve’ të këtij fondacioni, që kanë vënë ‘dorën në zemër’ dhe kanë hedhur 6 milionë dollarë për t’i hequr ‘non gratën’ Berishës. Por ama garanti, me sa dimë nga praktika për marrëveshjet deri nga më të thjeshtat, ka për detyrë që të mbulojë pagesat nëse firmatari i kontratës së subjektit, në rastin konkret Flamur Noka në emër të PD, refuzon të paguajë paratë sipas marrëveshjes nga pamundësia apo nga karshillëku! Është pengu mes palëve për të bërë likujdimet sipas rastit të bllokimit. Pikërisht atëherë hyn në lojë garanti, i cili sikurse thonë gojët e liga është një emigrant i zakonshëm që jeton në kushtet e mbijetesës. Pra copë copës sipas standardit amerikan!
Por hetimi me sa duket ka nisur që herët. Pasi mësohet se menjëherë pasi u bënë publike të dhënat e kësaj marrëveshjeje lobimi në SHBA të PD, pa kaluar shumë orë në 24 prill, SPAK njoftoi nisjen e verifikimeve. Kjo çështje mbeti me këtë status deri në 28 maj kur SPAK kreu lëvizjen e parë dhe i dërgoi kërkesën Flamur Nokës si sekretar i përgjithshëm i PD. Në mes të muajit qershor SPAK ka administruar të dhënat dokumentare të PD, që siç konfirmohet nga burime zyrtare po kryhen tashmë në kuadër të procedimit penal. Dhe hetimet do të vijojnë, pasi Noka është thjeshtë dora zyrtare, pas tij dihet kush vepron. Është vetë Sali Berisha. Pasi dhe sot Berisha nuk u paraqit në GJKKO për gjyqin e aferës “Partizani’. Madje anuloi dhe konferencën e përditshme të shtypit të orës 12.00 ku ‘denonconte’ vjedhjen e votës. Ka nisur të mos lëvizë më vërdallë, derisa të qetësohet situata të kuptohemi! “Sherifat” zhduken nga qarkullimi ndonjëherë!
Por duhet të jemi të sinqertë. Kur vjen puna tek hetimi dhe gjykimi i i Berishës nga ana e SPAK dhe GJKKO, nuk është thënë se mund të jemi entuziastë se kjo çështje do të shkojë në fund. Kemi parë se si zvarriten çështjet që kanë lidhje me Berishën, duke filluar nga ’21 janari’, dosje që erdhi e gatshme nga Gjykata e Strasburgut, tek “Gërdeci”, hetimi i pasurisë dhe tashmë tek hetimi dhe gjykimi i aferës “Partizani”.
Edhe këtë të hënë ndodhi e çuditshmja, fletëthirrjen për seancën e sotme të gjykimit nuk guxoi askush t’ia dërgonte Berishës në dorë, megjithëse është në liri të plotë dhe mund t’ia dërgonin tek selia buzë Lanës apo në shtëpi, por ia dorëzuan dhëndërit të tij Jamarbër Malltezi që është në arrest shtëpie, në të njejtin pallat me Berishën. Por që nuk e kishte ‘parë’ vjehrrin fare këto javët e fundit! Pasi këtë të hënë ai deklaroi në sallën e gjyqit se nuk e kishte njoftuar vjehrrin Berisha. Janë zvarritje ordinere këto, duke hequr ditë pas dite nga një ‘tullë’ në besueshmërinë e drejtësisë së re tek qytetarët. E cila në perceptimin e shqiptarëve u ngrit për të futur Berishën, Metën dhe bashkëqeverisësit e tyre në burg në krye të herës, dhe pastaj për të burgosur të gjithë abuzuesit në qeverisjen e Edi Ramës. Këta të drejtësisë së re e filluan nga e fundit. Punë e tyre.
Por ne duhet të jemi të sinqertë me veten sëpaku, s’kemi fort shpresë as që këtij hetimit të kontratës së re të lobimit prej 6 milionë dollarësh të PD me një kompani në SHBA për të hequr ‘non gratën’ e Berishës e për t’i siguruar një vizë për të kaluar përtej Atlantikut, SPAK do t’i shkojë deri në fund. Apo ‘larg qoftë’ të fillojë të hetojë vetë për kontratën me LaCivitën dhe të tjera, që thuhet se arrijnë dhe këto në 20 milionë dollarë, as që e shkojmë nëpër mend. Thjeshtë nisi ky hetim, që mund të vijojë pafund, e që mund të shërbejë si një statistikë pune për vetë SPAK-un. Që tashmë ka nisur të ecë dhe ai me perceptim dhe jo me rezultate. Kasaveti ynë ky.
Megjithatë, drejtësia sëpaku formalisht është në ‘kërkim’ të ‘sherifit të ri’ në tentativë që po sillet këtej vërdallë në kërkim të një alibie për ta bërë sa më të ‘ëmbël’ humbjen rrënuese në zgjedhjet e 11 majit, me detyrimin për t’i kërkuar hesap për 6 milionë dollarët e lobimit në SHBA. Të presim si do shkojë dhe ky proces hetimi, do të guxojnë ta thërrasin Doktorin për ta pyetur, pasi e kanë një çikë problem këtë. Nuk e dimë nëse është mungesë këllqesh apo dashuri e nostalgji për Berishën ky ngurrim i SPAK. Të presim! Mbështetjen SPAK e ka me pash nga shqiptarët, por ama këllqet dhe dëshirën për zbatimin e ligjit, s’ia ‘injektojmë’ dot! Atë ose e ke ose nuk e ke! Sa për ‘rrjedhje’ informacioni nga SPAK për dosjen e Berishës, harrojeni. Nuk ndodh kurrë, s’ka fletë selektive të selektuara me ngjyrë të verdhë si për dosjet e tjera, sidomos të mazhorancës, që dalin si rastësisht në media. Madje dhe sa herë janë kollitur zyrtarët nën hetim, që janë pyetur!
Komente
