Shqipëria nuk ishte kjo që shohim sot në të gjitha aspektet, dhe këtë e dëshmojnë ata që kanë jetuar në këtë vend pas vitit 1990, kanë ndërtuar një jetë në këtë vend dhe vijojnë po këtu të kontribuojnë me aq sa munden.
Por më shumë e dëshmojnë ata që janë larguar nga Shqipëria në këto periudha të ndryshme për hallet e tyre dhe për një jetë më të mirë dhe vijnë herë pas herë në vendlindje. Ata janë syri që dëshmon se vendi ka ndryshuar. Madje kanë ndryshuar dhe njerëzit.
Sepse vitin 1990 e kapëm të gjithë njëlloj, madje dhe me prerje të rrobave thuajse njëlloj, me flokët thuajse njëlloj, por dhe me sjelljen tipike të një shqiptari të izoluar nga regjimi totalitar komunist, ku as miza nuk hynte dhe dilte pa leje nga kufiri ynë.
Gjithçka ndryshoi pa vitit 1990, më shumë për mirë, herë herë shumë keq dhe në mënyrë të dhunshme dhe të përgjakshme, ku secili shpiku kodin e tij të mbijetesës për t’u azhornuar me kohët e reja që kishin trokitur në prag.
Nuk është e udhës të kujtojmë udhëtimet biblike të shqiptarëve nëpër anije të mbushura dingas për në Itali, apo dyndjet në vendet fqinje dhe më tej. Janë pasqyruar gjërësisht në mediat tona aso kohe por më shumë në mediat e botës.
Kishte shumë nga ata shqiptarë që në kulmin e dëshpërimit mohuan veten e atdheun e tyre, duke mbushur kronikat e huaja me vuajtjet e tyre në diktaturë. Kishte nga ata që dhe u betuan se nuk do ktheheshin kurrë më në këtë vend, dhe se fëmijëve të tyre s’do t’u mësonin asnjë fjalë shqip.
Këto ishin pasojat e vuajtjes në diktaturë, por ishin dhe betime në kulmin e dëshpërimit. Por për hir të së vërtetës asnjë prej tyre nuk e mbajti ‘fjalën e dhënë’, përpos që deklaratat e tyre mbeten nëpër kronikat e kohës për t’u kujtuar sa herë që atyre që s’na duan u volit ta sulmojnë këtë vend.
Pasi pikërisht këto ‘atdhe-mohues’ të atëhershëm, sot janë ‘dashnorët’ më të mëdhenj të atdheut tonë dhe te tyre, vijnë çdo herë në Shqipëri, dhe përpos mbajtjes së familjeve në atdhe me para, kanë investuar goxha shumë në Shqipëri, në biznese e resorte të vogla turistike. Me aq sa kanë mundur, duke e promovuar Shqipërinë më shumë se sa kushdo për të gjitha arritjet e saj. Dhe duke sjellë rrethin e tyre shoqëror të krijuar në vendet ku jetojnë e punojnë dhe kanë ngritur jetën e tyre familjare, për të parë bukuritë e këtij vendi, e pse jo për të promovuar dhe bisneset e tyre në Shqipëri. Nga mrekullimet e jugut deri në Alpet e mrekullueshme dhe mahnitëse të Veriut, me tërë bukuritë marramendëse që fal natyra shqiptare.
Por në Shqipëri, përpos ‘qëndrestarëve’ apo të pamundurve për të dalë dhe për të provuar një jetë më të mirë jashtë, mbeten dhe ata që kishin zgjedhur rrugët më të lehta për t’u pasuruar, për të bërë një jetë më të mirë apo shumë më të mirë.
Dikujt me pushtet i doli ‘toka e babës’ në polin e kundërt ku kishte lindur, ku as ai vetë, jo më baba nuk kishte shkelur kurrë në jetën e tij, dhe ngriti biznesin, vilën, fshatin turistik dhe tashmë po korr frytet e këtij ‘mundi’ dhe ‘guximi’ për të vjedhur paratë e shtetit, si ish president, ish kryeministër, ish zv.kryeministër, ish ministër, ish drejtor i madh, ish kryetar bashkie e kështu me radhë.
Mjafton të bësh një vizitë të thjeshtë disa ditore nëpër resortet më luksoze turistike në bregdet, dhe do të shohësh nga ky soj pasunarësh që lëvizin nëpër këto ambiente dhe qytetet bregdetare me kapelen e rrasur fort në kokë, me syze të mëdha dielli, me rroba jo fort të përshtatshme për statusin pasunar që mbajnë. Për të mos u njohur e bëjnë këtë kamuflim, të kuptohemi.
Po marrin paratë e qirave të vilave të tyre, apartamenteve të tyre që kanë vlerën e një tenderi, të një privatizimi strategjik, kanë vlerën e një vonese ekstradimi të ndonjë krimineli të regjur apo trafikanti droge. I kanë lëshuar me qira sepse kanë disa, nëpër pikat kryesore turistike. Thjeshtë vjelin të ardhurat tashmë, madje i marrin neto duke mos i kaluar nëpër agjencitë e tatueshme. I bëjnë vetë në dorë të parë të gjitha, sikurse kanë bërë pazaret kur kanë qënë në pushtet.
Disa të tjerë më të ‘zgjuar’, kanë gjetur rrugë më të lehta, janë vënë në kërkim të gjyshërve të tyre, për të arritur dhe rekorde, deri në 7 palë gjyshër. Dhe pastaj kanë marrë pjesën e tyre, duke shfrytëzuar ndonjë shërbim andej këndej të pushtetit, herë si zyrtar dhe për fat të keq dhe herë si gazetar, përmes miqësive, gjobvënies apo dhe përfshirjes në grupe jo fort serioze dhe ligjore, që shpesh quhen dhe grupe kriminale. Por që për fatin e tyre nuk u ka dalë emri ose ruhet sekret.
Disa të tjerë janë atashuar një jetë të tërë nëpër shoqata jo-fitimprurëse OJF-të e famshme që thithin paratë e qytetarëve amerikanë dhe evropianë, për t’u mësuar shqiptarëve ‘kërrabat’ e zanatit, që nga ajo proverbialja se ‘nga hardhia del rrushi dhe prej tij vera e rakia’ e deri se si duhet qeverisur ky vend, si duhet bërë politikë e madhe, si duhet bërë biznes dhe si duhet bërë gazetari. Shoqata jofitimprurëse, por që drejtuesit e tyre kanë krijuar këto ‘oazet’ e pasurisë dhe janë bërë pasunarë, jetojnë në një apo më shumë vila luksoze, kanë luksin të bëjnë dhe raporte e referate për ta bërë sa më të zezë Shqipërinë, që sipas tyre ka nevojë sërish për asistencë në të gjitha fushat. Pra më shumë para për ta e duke ia ndjerë lezetin kësaj pune që vijon përmbi 30 vite. Dhe duke shëtitur anembanë globit.
Anipse ky soj shqiptarësh ndër vite ka falimentuar parti politike, institucione të varura apo të pavarura, biznese e deri mbylljen e mediave, sa herë që u është dhënë rasti për të demonstruar zbatimin në praktikë të atyre ‘mësimeve’ që nxjerrin nga goja me paratë e taksapaguesve të huaj, që për hir të së vërtetës ka qënë dhe është një investim i shkuar tërësisht dëm në të gjitha kohët.
Pra me pak fjalë kjo ka qënë panorama e disa zhvillimeve të shqiptarit të pas komunizmit, me të gjithë larminë e ngjyrave të përdorimit të rrethanës, të punës së ndershme apo dhe maskarallëkut, për të krijuar të mira materiale për vete. Ndoshta më shumë se sa i takon, në shumë e shumë raste. Të vertetuara këto gjatë tërë këtyre viteve, që s’janë pak. Duke krijuar atë që ky kontigjent njerëzish kërkojnë ta evidentojnë më shumë, një lloj ‘aristokracie të re’ shqiptare që dallon nga masa tjetër popullore. Pra populli i thjeshtë, sikurse e quajnë.
Madje prej të cilit kërkojnë që t’i shohë me admirim, gojëhapur dhe me sy të shqyer se çfarë nxjerrin nga goja apo demonstrojnë këta farë ‘aristokratësh’. Ndryshe të quajnë të lënë pas dore, të prapambetur, aspak dinjitoz dhe të papërshtatshem për këtë kohë në të cilën ka ardhur. Me një fjalë ata që ‘nuk kanë një çikë dorë’ le të mbeten jashtë rrethit, jashtë botës së ‘aristokracisë së re’.
Sidomos këto dy vitet e fundit është vënë re një fenomen i çuditshëm. Teksa është parë një ‘bum’ i vërtetë turistik, për shkak të ndryshimeve të realizuara në këtë vend, rrugëve të reja, ftillimit të shqiptarëve për një shërbim më të mirë ndaj turistit, zhvillimit të bujqësisë përreth këtyre zonave turistike që kanë furnizuar me produkte bio shqiptare kuzhinën e resorteve tona turistike, nga veriu në jug, pra pas gjithë këtij masiviteti turistësh të huaj është shtuar akoma më shumë sulmi i shqiptarëve ndaj vendit të vet. Pa thënë asnjë fjalë të mirë gjatë gjithë kësaj vere.
Dhe është pikërisht ky kontigjent njerëzish, që janë më aktivët kundër çdo gjëjë të arritur për mirë në këtë vend, përfshirë edhe turizmin që sivjet është dyfishuar thuajse me vitin e kaluar. Pavarësisht se sivjet ka pasur një shpërndarje thuajse proporcionale, në bregdet veri e jug, por dhe turizëm malor, përfshirë dhe atë kulturor. Njësia matëse është pika e kalimit kufitar tokësor, dhe ai ajror në Rinas dhe nëpër portet e vendit.
Dhe në vend që ta pasqyrojnë qoftë dhe në mënyrë të shtrënguar këtë arritje të shqiptarëve, mbi të gjitha për shkak se tashmë në botë, për Shqipërinë e shqiptarët nuk flitet më se janë njerëz të egër, vrasës dhe hajdutë por për turizmin masiv, bukuritë e vendit, shërbimin e shkëlqyer dhe mbi të gjitha mikpritjen tipike shqiptare dhe sigurinë që ndjejnë turistët që lëvizin anekënd Shqipërisë pa pasur asnjë problem, dhe atëherë kur kanë humbur rrugën në mal shteti shqiptar u ka ardhur në ndihmë me mjetet e duhura, nga ky kontigjent shqiptarësh bëhet e kundërta.
Dhe kjo racë ‘aristokratësh të rinj’, të cilëve është vështirë t’ua gjesh burimin e të ardhurave për të vertetuar pasurinë e vënë, janë ata që si ‘përgjuesit’ e dikurshëm tek Liqeni Artificial i Tiranës, me kamera, celular apo aparat fotografik në dorë, zënë ‘pusi’ sa herë që turistët janë në mal, në gjumë apo në një fshat tjetër, për të filmuar bregun bosh të detit, çadra dhe shezlonet në pritje të turistëve, për të krijuar idenë se Shqipëria është braktisur. Bëjnë dhe promo të plazheve të vendeve fqinje, në adresa mediash dhe adresa ‘portative’ në rrjetet sociale por dhe në TV-të ku pronarë nuk janë ata vetë, por që bëjnë e sillen sikur janë pronarë.
Dhe kur nuk ia dalin me këto mënyra të arrijnë atë që kanë synim, denigrimin e vendit të tyre përsa i përket masivizimit të turizmit, që për hir të së vërtetës këto dy vitet e fundit ka qënë përtej pritshmërive dhe ka pushtuar mediat më serioze të gjithë botës, shpikin ‘vegla’ të hulumtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, thjeshtë dhe vetëm për të zhytur prodhimin vendas. Si puna e atij klerikut të pëpërgjegjshëm të dikurshëm që maste pjellshmërinë e grave të katundit me gisht!
Gojët e liga thonë se kanë marrë goxha para nga kompanitë monopol të importit për të bërë këtë anti-reklamë për produktet shqiptare, por ajo që dimë është se jo vetëm nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e tregojnë padituri totale në këtë lëmë, por janë dhe të pangjashëm me botën demokratike drejt së cilës aspirojmë të gjithë bashkë. Dhe që ata mburren se nuk kanë lënë cep pa vizituar dhe shijuar, por jemi trë sigurtë se nuk e dinë se çfarë është nitrati, dhe sikur ta ketë lexuar pesë minuta më parë në google.
Dhe këtu nuk mund të lëmë pa përmendur dhe opozitën tonë pa kauzë, e cila merr dhe përçon këto momente delirimi të këtyre ‘aristokratëve të rinj’ apo nihilistëve funksionalë, si kauza të vetat. Vërtetë një mjerim i përgjithshëm i kësaj opozite, e cila në vend që të gëzojë për arritjet e vendit të vet por dhe të paraqesë alternativat e saj se si e bën më mirë se mazhoranca aktuale këtë punë, përfshihet në lajmet e rreme në rrjetet sociale kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Gjithsesi kjo mënyrë e goditjes së Shqipërisë vijon, të paktën derisa të përfundojnë sezoni turistik. Do goditen plazhet, turizmi malor, rrugët e ndërtuara, tunelet e sapo përuruara. Gjithçka, do jetë nën goditjen e këtyre njerëzve, që paratë i kanë vënë me mënyrë jo fort orthodokse.
Dhe kur mes miqsh po diskutonim se si ishin aristokratët e dikurshëm shqiptarë, pamë dhe një ekspozitë të fundit fotografike të atyre që ishin shkolluar e pasuruar jashtë vendit dhe kishin ardhur në Shqipërinë e varfër ku s’kishte asgjë, por për të investuar në shkolla, qendra shëndetësore, rrugë dhe elementë të tjerë jetikë pa nxjerrë asnjëherë në publik se ky vend nuk bëhet, kur dëgjuam në një mexhlis të madh të këtyre ditëve në Tiranë një zë që tha se ‘sa të jem unë gjallë Shqipëria nuk anëtarësohet në BE”, mendimi ynë por besojmë dhe i shumicës së shqiptarëve për këta pasunarë të rinj ishte se ‘këta s’janë aristokratë të rinj, por janë thjeshtë të paudhë’! Që shesin vetëm ‘ajër të pakondicionuar’ në publik, pasi e kanë humbur lidhjen me realitetin.
E themi këtë pasi aristokrat nuk bëhesh sepse ke pasuri, apo se ke një bibliotekë të mbushur plot me libra, të cilat nuk i ke lexuar asnjëherë por vetëm parathënien në rastin më të mirë. Mund të kesh shëtitur botën, nga Afrika në Peru, nga vendet skandinave e deri në ishujt Fixhi, po sjellja dhe veprimi prej aristokrati është gjë tjetër, gje me të cilën këta tanët s’kanë asnjë lidhje. Dhe ky titull, nëse nuk e ke pasur kurrrë si trashëgimi, s’arrihet në 20-30 vite. Duhen sëpaku disa breza.
Përshëndetje zotëri Jakin Një artikull shumë domethënës Duhet ta fillojmë nga udhëheqja deri tek klasa më e varfër e shoqërisë shqipëtare Arroganca ka kapluar territorin shqipëtar Dhe budallallëku po evulon në çdo aspekt të jetës përditëshme në shqipërinë e madhe Lëndët narkotike, korrupsioni dhe ego për të sfiduar njëri tjetrin në shqipëri është avancuar si një sëmundje epidemike e pa shërueshme Mjerë shqipëria dhe shqipëtarët të udhehequr nga shushunjat e shekujve në historin e kombit
PërgjigjuAristokratet e rinj due ai qe ka 3 dite e thot qe ne nuk hyjm ne ke ithot komandant 91 2013 pa prishur egrebitur qesh kush qesh i fundit
Përgjigju