Albin Kurti dhe homologu maqedonas, Hristijan Mickoski

Opinion

Jakin Marena: Kriza në Kosovë dhe konflikti në Shkup, rrezikojnë efektin ‘domino’?!

2 Gusht, 18:57| Përditesimi: 2 Gusht, 19:03

  • Share

Rajoni i Ballkanit nuk është aspak i qetë, dhe kjo është tepër shqetësuese edhe për ne shqiptarët, në të gjithë hapësirën rajonale ku jetojmë në trojet tona!

Shqetësimi bëhet akoma më i madh për vetë faktin se në pjesën më të madhe të krizave dhe të konflikteve ku është involvuar rajoni ynë, janë të përfshirë dhe shqiptarët, ku më pak dhe ku më shumë!

Kosova, shteti i dytë shqiptar në Ballkan i krijuar dhe mbështetur fort pa asnjë ndalesë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare me në krye anglo-amerikanët dhe vendet e BE, që nga muaji shkurt është praktikisht jashtë sistemit!

Nuk funksionon asnjë institucion, që nga Parlamenti e qeveria që s’janë konstituuar dhe as formatuar e deri tek Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese që ndonëse i kanë titullarët brenda mandatit të tyre, po funksionojnë me sytë nga lidershipi politik, me shpresën e ripërtëritjes së mandatit, duke u kthyer praktikisht në ‘lavjerrësa’ politikë që nuk dinë kujt t’ia prishin dhe kujt t’ia ndreqin!

Pavarësisht se zgjedhjet parlamentare kanë përfunduar dhe është shpallur rezultati shumë muaj më parë, Kosova i ka tejkaluar të gjitha afatet për konstituimin e Parlamentit, duhe hyrë tashmë në një krizë të thellë institucionale, që mund të precipitojë nga momenti në moment e për shkak të situatës aspak të favorshme ndërkombëtare, me dy konflikte të mëdha nëpër këmbë, atë mes Rusisë e Ukrainës, dhe Izraelit me Hamasin dhe tërë rajonin! Pa llogaritur faktin se me këto seancat njëherë në dy ditë, një ‘telenovelë’ tepër e zgjatur, kanë bërë që Parlamenti i Kosovës të kthehet në një institucion qesharak, duke ia lëshuar vlerën përtokë!

Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, partia fituese në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, por që ka vetëm 48 deputetë, pa mundur të ketë shumicën qeverisëse prej 61 mandatesh, paraqiti kandidaturën e vetme për kryetare Kuvendi, ish ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu! E cila për hir të së vërtetës në mbi 50 votime për të dhe për komisionin e kërkuar po nga Kurti për të organizuar një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit, nuk ka mundur të marrë votat e nevojshme për të qënë në krye të Parlamentit të Kosovës.

Dhe për Kurtin, i vetmi kandidat është Albulena, të cilën megjithëse e kanë kundërshtuar të gjitha partitë e opozitës, duke e cilësuar si jo të përshtatshme për të kryesuar Parlamentin, Albini po bën një ‘betejë’ të fortë për t’ua imponuar me zor partive politike si kandidatura e vetme më e mirë! Me një fjalë ‘ose Albulenën, ose rashë e vdiqa’, çka e barazon fatin e tërë Kosovës me atë të ish ministres së Drejtësisë!

Tashmë të gjitha afatet ligjore janë kapërcyer, dhe pritet thjeshtë e vetëm një interpretim i dytë i Gjykatës Kushtetuese, që të vendosë nëse i duhet dhënë një shans i ri politikës për negociata dhe arritjen e një kompromisi apo duhet të shpërndahet parlamenti i pakonstituuar e vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme.

Kompromisin duhet ta arrijë Kurti, i cili praktikisht nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe për të bërë qeverinë, e për pasojë duhet të lëshonte diçka për të arritur që të marrë mbështetjen nga opozita. Nëse donte vërtetë konstituimin e Kuvendit. ‘Piruetat’ politike të Kurtit, janë thjeshtë për atë 40 përqindshin që vetë kreu i VV-së e quan masa e analfabetëve funksionalë që e votojnë!

Ajo që nuk është kapërcyer ende është kriza institucionale e politike, ku Kosova është pa kryetar Kuvendi, pa qeveri e për pasojë, shteti i Kosovës është i ekspozuar nga rreziqe të vazhdueshme duke filluar nga fqinji verior Serbia e deri te lufta hibride e Rusisë, të mjafta këto për një Ballkan të quajtur dhe në momentin më të qetë një ‘fuqi baruti’, gati për të shpërthyer me gjithçka!

Megjithatë të gjithë analistët në Kosovë, por dhe në Shqipëri e më gjerë ndajnë të njejtin mendim se Kosova ëhstë e rrezikuar rëndë nga klasa politike e saj, dhe veçanërisht nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, qeverisja e tij në detyrë dhe deputetët që e ndjekin!

Ndërsa Kosova është nën sanksione nga BE, për shkak se Kurti tjetër gjë mendon, tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, kjo e fundit gjithnjë në kundërshtim me partnerët ndërkombëtarë SHBA, BE dhe Britania e Madhe, janë miliona euro të bllokuara pikërisht për shkak të këtyre sanksioneve por dhe të mungesës së institucioneve të shtetit. Pasi Kosova praktikisht s’ka me kë përfaqësohet as në një takim apo negociatat me Serbinë, si kusht i vënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nuk ka as kryetar Kuvendi, as kryeministër as ministra. Janë deputetë të gjithë. Ka vetëm Presidenten, dhe kjo e frustruar për vetë faktin se kërkon e shpreson të marrë një mandat të dytë presidencial, e për pasojë i duhet të ta mbajë mirë me Kurtin në fund të herës.

Për shkak të kryeneqësisë së Albin Kurtit, s’përjashtohet dhe bota e nëndheshme e komunikimit me ‘armikun’ e madh në veri, Aleksandër Vuçiç, presidentin e Serbisë, thjeshtë dhe vetëm për të qëndruar në pushtet ku të dyja palët teksa luajnë fort kartën e nacionalizmit si dhe mbajtjen një ‘oktavë’ më lart të rrezikut të luftës mes dy vendeve, Kosova rrezikon jo vetëm që të paraqitet në sytë e partnerëve tanë si një vend mosmirënjohës për aleatët që e krijuan këtë shtet, menjëherë pas bombardimeve që i bënë Beogradit, por dhe si një vend që nuk arrin të qeverisë vetëveten, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare përmes institucioneve e KFOR që ruan kufijtë!

Ajo që themi është se, ka rrezik që përpjekja e Kurtit për të shkatërruar institucionet e shtetit thjeshtë për pushtet personal, të përkthehet në një qëndrim kundër nga ndërkombëtarët, përmes krijimit tyë përceptimit se në Kosovë klasa politike nuk mundet të bëjë shtet! Fatkeqësisht kjo mund të përkojë në fund të herës dhe me maskaradën serbe të kthyer nëe ‘sllogan’, sipas të cilës shqiptarët e Kosovës nuk kanë aftësi shtetformuese.

Për fat të keq Albin Kurti këtë ‘aset’ kundër Kosovës po ia jep ditë për ditë Serbisë, pasi e ka katandisur shtetin më të ri në Evropë në një shtet pa institucione, në kaos dhe që nuk ofron siguri e ndershmëri për aleatët! Madje nuk ofron as besim apo mirënjohje për partnerët tanë ndërkombëtarë për atë çka kanë bërë dhe bëjnë për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan!

Parë në këtë këndvështrim, si dhe të faktit se president i SHBA është Donald Trump, i cili njihet për zgjidhje të thjeshta e të papritura, në funksion të minimizimit të kostove financiare si dhe të rrezikut të përplasjes ushtarake, ekziston rreziku që në një moment të papritur administrata amerikane dhe Presidenti Trump të kërkojnë një zgjidhje shumë më të lehtë, atë të lënies së shtetit të Kosovës në fatin e vet.

Praktikisht kufijtë tanë nuk mund t’i zhbëjnë as Thaçi, as Rama, as Kurti, as Haradinaj, as Vuçiçi e as të gjithë bashkë, dhe kjo ëhstë vertetuar në të gjitha rastet! Kufijtë tanë i kanë ndryshuar të mëdhenjtë, kurrë shqiptarët, pavarësisht akuzave që bëhen ndaj njëri tjetrit. S’na ka pyetur kurrë askush, që të na pyesin sot! Dhe SHBA është superfuqia e vetme në botë.

Mos e dhëntë zoti që amerikanët të jenë mërzitur nga situata në Kosovët, të jenë penduar se investuan aq shumë për krijimin e shtetit të Kosovës dhe t’ju jetë krijuar bindja se shqiptarët s’dinë të fitojnë paqen, e për të eliminuar kostot që vijnë nga mistrecllëqet e Kurtit, t’i këpusë ndonjë urdhër ekzekutiv që heqë mbështetjen për shtetin pa institucione të Kosovës. Duke e lënë në ‘sovranitet’ të plotë që të përballojë e vetme rrezikun që vjen nga Serbia, ose që të kërkojë zgjidhje të tjera më të sigurta për të qëndruar në këmbë si shtet apo i mbështetur si shtet!

Do ketë kontestime nga ‘patriotët sovranistë’ me në krye Nexhin, i cili është betuar se do të kapë armët për të luftuar kundër Shqipërisë nëse tentohet bashkimi, qoftë dhe me vullnet të plotë të shqiptarëve, por duhet të flemë rehat nga ky krah, pasi Nexhi kur ishte i ri dhe kishte mundësi për të kapur armët kundër serbëve që po bënin genoncid në Kosovë, nuk e bëri, jo më ta bëjë tani në pleqëri kundër Shqipërisë. Sado që ta ketë për zemër mikun e tij Gjuriq, me të cilin ndan fotot dhe mendimet se si duhet të jetë e ardhmja e Kosovës dhe e Ballkanit! As këta ‘patriotët’ e rrjeteve sociale, sidomos të diasporës, nuk e lëvizin këmbën nga vendi ku janë akomoduar!

Rreziku që të ndodhë një zhvillim i tillë, ndërkohë që klasa politike në Kosovë po dëshmon çdo ditë e më shumë se nuk ka asnjë vetëdije qeverisëse e kombëtare (kjo e fundit po përmendet nga ne për shkak se është bërë rrugë tashmë shkelja e dhunimi i flamurit shqiptar si dhe cënimi i simboleve kombëtare në Kosovë), është shumë i vogël. Por ama një gjë është e sigurtë: Donald Trump shquhet për paparashikuershmërinë e tij.

Dhe mbi të gjitha mërzitet shpejt, kur gjërat nuk i shkojnë ashtu siç duhet, me ‘kutin’ e tij. Jo pa qëllim Trump e përmendi disa herë rrezikun e luftës  Serbi-Kosovë. Gjatë qeverisjes së parë të tij është evidentuar ky shqetësim, por që e kujton shpesh për të shpjeguar rrezikun aktual! Ndaj Kosova duhet të zgjohet dhe të shohë se kujt ia ka deleguar votën! Klasa politike të bëjë sa më shpejt përmes kompromisit konstituimin e institucioneve, qeverinë e re dhe zhbllokimin e krizës politike dhe instucionale në vend, ndryshe ekziston rreziku i përballjes me efektin ‘domino’! Që mund të zgjerohet në rajon!

E themi këtë sepse me sa duket administrata e SHBA e presidentit Trump po i jep shansin e fundit klasës politike në Kosovë. Këtë e tregon dhe vizita e tanishme e zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker.

I cili u takua me presidenten Vjosa Osmani, ministrin e Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci si dhe pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti! Vizita e papritur tregon se situata është serioze, dhe përtej asaj që thuhet në publik, zyrtari i lartë amerikan, Baker ka kërkuar në mënyrë të prerë që kriza të zgjidhet sa më shpejt e në dobi të Kosovës dhe jo politikanëve që nuk duan për qamet të ikin nga pushteti! U ka ardhur ‘ëmbël’ nga aferat e energjisë dhe ushqimeve!

Në të njejtën situatë është dhe Maqedonia e Veriut, për shkak të strategjisë së kryeministrit Hristijan Mickocski, i cili po godet marrëveshjen e Ohrit mes shqiptarëve e maqedonasve, e mbi të gjitha gjuhën shqipe. Duke e hequr në mënyrë graduale nga institucionet, si dhe duke goditur elementin shqiptar në administratën publike dhe nivelet e tjera të bashkëqeverisjes, e duke e lënë jashtë përfshirjes!

Dhe kjo një ‘kryevepër’ e Albin Kurtit, i cili i dha Mickocskit votat shqiptare të “VLEN” në përbërje të të cilit është dhe dega e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, një koalicion që ka treguar ditë pas dite se nuk vlen asgjë në favor të shqiptarëve! Përkundrazi!  Kjo politikë mund të sjellë tensionimin e fortë të situatës. Shtuar këtu dhe përplasjen me Bullgarinë por dhe me Greqinë, që startoi më rezolutën e Parlamentit Evropian javë më parë, sipas të cilës fjalët “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” duhet të hiqen nga draft-raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut.

Një marrëveshje e tillë u arrit nga 3 forcat më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, teksa kanë miratuar raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt procesit të integrimit në BE. Çka tregon se kryeministri i ri maqedonas e ka komplikuar aq shumë situatën, duke e larguar akoma më shumë integrimin e Shkupit në BE, sa heqin dhe referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas!

Mickocski u nis të hiqte gjuhën shqipe nga institucionet, por hoqi gjuhën e identitetin maqedonas nga terminologjia me të cilën e njeh Evropa. Kjo dhe falë këmbënguljes bullgare që nuk i jep Shkupit ‘lejëkalimin’ për hapjen e negociatave me BE! Nëse vijon në këtë mënyrë qeveria nacionaliste maqedonase, s’përjashtohet mundësia e lodhjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht presidentit amerikan Trump me mistrellëqet e vogla ballkanike të Mickocskit, dhe marrjes së ndonjë vendimi drastik, pasi rrezikon të sjellë probleme. Larg qoftë, përmes efektit domino, për të cilën shqiptarët në të dy anët e kufirit, nuk është se janë dakord.

Por që gjithnjë kanë qënë të detyruar të zbatojnë vendimin e fuqive të mëdha! Pra praktikisht kriza në Kosovë dhe konflikti në Maqedoninë e Veriut rrezikojnë efektin ‘domino’ në Ballkan, nëse nuk jepet zgjidhje! Dhe jo me dëshirën e shqiptarëve por për shkak të maskarallëkut të drejtuesve në Prishtinë e Shkup! Shpresojmë t’i thërrasin mendjes e të rikthehen me këmbë në tokë liderët respektivë, duke e hequr nga mendja se janë ‘qendra e botës’! Janë një hiç praktikisht dhe nuk i pyet askush në këtë botë të vështirë dhe të mbushur me tensione! Por dhe me ide për rindarjen e re të botës!

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?