Nuk duam të fyejmë askënd në moshë të thyer në lidhje me titullin e përdorur në këtë opinion timin, pasi drejt asaj rruge, kush më shpejt dhe kush më vonë, do të shkojmë të gjithë me shpresë të zotit. Pra do të plakemi, dhe u plakshim të gjithë për të ikur sipas radhës, në amëshim! Është një ‘stacion’ nëpër të cilin do të kalojmë me patjetër dhe s’kemi pse e marrin me stres!
Teksa për gjithçka ka një anekdotë, dhe për moshën e thyer ka disa, por ne po përmendim vetëm njërën. “Që kur kam kaluar të 70-at, kam rënë rehat. Nuk pyes për askënd në këtë tokë. Por kam dhe një problem të vogël fare, pikërisht pas kësaj moshe nuk pyet askush për mua”.
E thotë urtësia popullore këtë postulat, që ka brenda mesazhin, se pavarësisht kush ke qënë, vjen një moment kur duhet të thuash mjaft, pasi mosha ka bërë të veten. Harron fjalët, ngatërron datat, vitet, ngjarjet, nuk dëgjon mirë, nuk arsyeton siç duhet përmes një reagimi të shpejtë, nuk je efektiv.
Dhe mbi të gjitha kur arrin në këtë moshë i jep shumë gjuhës, pasi teksa nuk të dëgjon njeri, nganjëherë të krijohet bindja se nuk po arrijnë të të kuptojnë, si dhe të ka lënë tërësisht takati por dhe turbullirat e moshës janë shfaqur, e mund të këpusësh ‘kumbulla’ andej këndej. Megjithëse nuk i vë re njeri, se ‘hajde, plak njeri është’. Me një fjalë lënia e fuqisë për shkak të moshës, është në përpjestim të zhdrejtë me ‘zgjatjen e gjuhës’! Dhe urimi më i madh për këtë moshë është që të mbyllë jetën me mend në kokë mbi të gjitha, pa i marrë ‘erzin’ vetes, kalamajve, të afërmëve, fisit e shoqërisë. E një kontribut të paçmuar në këtë drejtim japin familjarët, të cilët duhet të dinë ‘kur ta mbledhin plakun në shtëpi, që të mos bëhet gazi i botës”. Ka shumë rëndësi koha për ndërhyrje e aftësia e pasardhësve për të thënë ‘mjaft’!
Shkak për t’i rikthyer në kujtesë dhe për t’i përmendur këto postulate dhe zhvillime për jetën e çdo njeriu u bë qëndrimi i Sali Berishës ndaj humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti. Por dhe përpjekjet e liderit të PD për t’ia faturuar humbjen rrënuese të koalicionit që drejtoi, një manipulimi sipas tij, nga ‘narkoshteti e Edi Ramës” e mbi të gjitha milionat që Berisha ka hedhur këtej dhe përtej oqeanit për të botuar qoftë dhe tre rreshta në mediat e huaja që të ‘nxijë’ Shqipërinë me sa të mundet, në kërkim të një alibie për humbjen e zgjedhjeve.
Për të përcjellë realitetin paralel të tij dhe në kryeqendrën e BE Bruksel por dhe në SHBA, është aktivizuar vetë Berisha si dhe bashkëmoshatari i tij, ish ambasadori shqiptar Agim Nesho! E themi këtë sepse para disa ditësh platforma amerikane Fox News publikoi në seksionin ‘Opinion’ një shkrim të ish-ambasadorit Agim Nesho, ku Shqipëria e kryeministri Edi Rama portretizohen në mënyrë jashtëzakonisht skandaloze dhe negative. Artikulli titullohej “Meet ‘Ramaduro,’ Europe’s progressive, Soros-trained autocrat and enemy of Trumpism”, një artikull tepër i ngarkuar emocionalisht i cili, që në titull, tregon se s’kemi të bëjmë me një analizë profesionale, por me një deklamim politik dhe një keqdashje të thellë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ky nuk është një artikull editorial i Fox News, por një opinion i botuar në një rubrikë ku individë të ndryshëm, shpesh me qëndrime ideologjike të qarta ose lidhje politike, publikojnë qëndrime personale. Rubrika ‘Opinion’ nuk i nënshtrohet kritereve të verifikimit, balancimit apo fakt-checking që i kërkohet raportimeve gazetareske, e s’përfaqëson në asnjë mënyrë qëndrimin zyrtar të Fox News. Dhe në median e shkruar shqiptare, zakonisht një opinion i tillë e tillë citohej e citohet në fund të faqes se nuk ka lidhje me linjën editoriale të gazetës, por është qëndrim personal i autorit. Ndaj s’kemi pse bëjmë sikur e dëgjojmë për herë të parë!
Për më tepër që autori i këtij opinioni që po shitet si artikull i Fox News, Agim Nesho, përveçse ish-ambasador, aktualisht është një aktivist politik i angazhuar publikisht në qëndrime opozitare në Shqipëri. Ai deri një vit më parë ka qenë nënkryetar i Partisë së Lirisë së Ilir Metës. Në daljet e tij të shumta mediatike, Nesho ka treguar një linjë të qartë ideologjike dhe politike, si tihjtar i opozitës. Madje duke i habitur të gjithë, duke u shfaqur dhe si i djathtë! Në këtë kontekst, shkrimi i tij në Fox News nuk është një përfaqësim i pavarur diplomatik apo analitik i realitetit shqiptar, por një vazhdimësi e angazhimit të tij politik të brendshëm që tani kërkon të gjejë jehonë ndërkombëtare.
Duke e cilësuar si “Ramaduro”, një tentativë për krahasim me presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro, Nesho thotë se Kryeministri Rama është autokrati i fundit në Europë, i trajnuar nga filantropi Soros dhe që është kundër presidentit Trump. Anipse Rama vlerësohet se partneri i vetëm politik me SHBA e BE, ndër liderët politikë jo vetëm shqiptarë por dhe në rajonin tonë!
Nuk dihet sa është paguar për publikimin e këtij artikulli, ose është pjesë e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike në SHBA dhe pagesa ka qënë ‘paketë’ në marrëveshjen e nënshkruar me kompaninë amerikane të lobimit por dhe me Chris LaCivita-n, i cili ka lënë ‘gjurmët’ e tij në këtë opinion. Por ajo që me siguri dihet është që Fox News është pjesë e Fox Corporation dhe u krijua në vitin 1996 nga Rupert Murdoch e Roger Ailes. Specifikisht kjo media ofron shpesh artikuj nëpërmjet një marrëveshjeje komerciale, një praktikë që njihet si op-ed i sponsorizuar. Kjo do të thotë se dikush mund të paguajë për hapësirën në Fox News, jo për të informuar, por për të ndërtuar një narrativë të caktuar politike dhe ku përgjegjësinë e shkrimit gjithnjë e e merr drejtëpërdrejt vetë autori.
Ndërkohë debatit i është bashkuar edhe LaCivita, ai që drejtoi fushatën e PD. ai ka shpërndarë artikullin në platformën “X”. Pra është një skemë e mirëorganizuar, teksa në kushtet kur Berishës nuk i është hequr ‘non grata’, nuk po merret askush me të në Uashington qoftë dhe për nxjerrjen e një vize turistike për të kaluar oqeanin, me një fjalë Berishës dhe familjes së tij ia kanë hequr me kohë dhe vakt ‘vizën’ në mënyrë të pakthyeshme në SHBA, ngushëllimi i vetëm me sa duket ka mbetur publikimi i opinioneve me pagesë në mediat amerikane, për të ‘nxirë’ sa më shumë imazhin e Shqipërisë.
Themi se ka vetëm përpjekje për diçka të tillë, pasi deri më tani, nuk është arritur asgjë, përpos kalimit në delir të militantëve të thekur të PD, dhe atyre në media, të cilët madje zemërohen se përse nuk e kanë ribotuar mediat e tjera një karagjozllëk të tillë, të shkruar nga Nesho nën monitorimin ndoshta të Sali Berishës dhe këshilltarëve të tij. Por që përgjegjësinë në fund të herës nuk e mban as Berisha dhe as media që e botoi, por vetë autori Agim Nesho, nëse Rama mendon dhe vendos se mund ta hedhë Gimin në gjyq për shpifje ndaj tij dhe për pasojë nxirje të Shqipërisë ndëkombëtarisht.
Për hir të së vërtetës, janë dy pleq, të cilët e ndjejnë veten të lënë pas dore, të braktisur në fatin e tyre, njëri kryetar i asaj që ka mbetur nga PD, pra Sali Berisha dhe tjetri, ish ambasador dhe ish nënkryetar i PL të Metës, Agim Nesho, të cilët rreken të qëndrojnë në ‘listën’ e interesit publik përmes lajthitjeve të tilla, si ai i botuar në median amerikane. Pa asnjë gram të vërtetë brenda, pasi SHBA e BE nuk bashkëpunojnë me një ‘narkoshtet’, në asnjë rast, siç pretendon ‘pleqëria’ e opozitës, e cila e ka humbur kontaktin me realitetin. Opinioni i botuar akuzon dhe vetë SHBA për bashkëpunim me një qeveri e ‘narkoshtet’ si Shqipëria që ‘sheh’ çifti Berisha-Nesho, pasi dhe pas zgjedhjeve qeveria amerikane përmes ambasadës së saj në Tiranë njohu zgjedhjet e 11 majit dhe deklaroi vendosmërinë për bashkëpunim të frytshëm me qeverinë e dalë nga 11 maji,
Mbi të gjitha me sa duket janë hedhur goxha para për të botuar këto gjëra, megjithëse vijojmë t’i cilësojmë para të shkuara dëm. Por Berishës nuk i kushton asgjë, paratë e shqiptarëve janë në fun të fundit. Se mos janë paratë e rrogës së tij! Ajo nuk i del as për qetësuesit që përdor për të fjetur gjumë dhe as për ‘rikarikuesit’ për të qënë në këto takimet e mesditës në seli kundër zgjedhjeve, apo vizitat jashtë vendit.
Ka gjetur dhe një ‘ortak’ të tij në moshë të thyer, shokë të ngushtë partie të kohës së Enver Hoxhës, Berisha ka qënë sekretar i PPSH në spitale dhe mjek “Blloku” ndërsa Neshoja ka qënë anëtar i KQ të Rinisë së PPSH dhe pjesë e “Bllokut”. Këto dy elementë i lidhin bashkë përpos moshës, e tashmë në pleqëri, kur nuk i pyet askush, rreken të bëjnë ndonjë dëm. Përpiqen themi! Pasi në të njejtën ditë që doli ky opinioni në median amerikane, kanë rrjedhur shumë ngjarje që kanë treguar e po tregojnë se nuk ka pasur asnjë impakt në aleatin tonë përtej oqeanit dhe as në vendet e BE. Të cilët tashmë po kërkojnë anëtarësimin e Shqipërisë në union përpara kohës limit të vënë nga vetë ata, më 2030. Njëherësh po vlerësojnë Shqipërinë si lider rakjonal dhe faktor stabiliteti në Ballkan, në këtë situatë të mbushur me tensione, konflikte, luftë hibride e ndërhyrje ruse e kineze, prej të cilave Shqipëria nuk është prekur!
Dhe qeveria shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Rama, pas marrjes së mandatit të katërt qeverisës radhazi me 83 mandate, shihet nga SHBA dhe BE si një partner serioz, që nuk bën ‘lavjerrësin’ politik herë në një krah e herë në një tjetër, nuk cedon në asnjë moment në përzgjedhjen e aleancave por është solide në qëndrimin e saj si aspiratë dhe e shqiptarëve në Aleancën Euroatlantike dhe me Perëndimin, por dhe të aftë për të qënë krah aleatëve natyralë në mënyrë dinjitoze për përballimin e sfidave të forta me të cilat po përballet bota demokratike!
Ndërkohë që Berisha vijon të mbajë me gajret militantët më të thekur, duke akuzuar qeverinë e Ramës se i ka tjetërsuar votën, megjithëse është i bindur edhe vetë se ka marrë maksimumin e maksimumeve më 11 maj, rinumërimi i votave sipas kërkesës së kandidatëve të PD dhe të vetë përfaqësuesve të PD në KAS ka nxjerrë një të vërtetë të dhimbshme: PD ka përfituar si parti më shumë vota se sa meriton, vota që i janë hequr tashmë, ndërkohë që deputet demokratë kanë bërë kërdinë duke vjedhur njëri tjetrin.
Dhe me gjithë këtë alibi të rënë për humbjen e zgjedhjeve, Berisha paralajmëron si çdo herë kur ka humbur në këto 12 vite por dhe në tërë karrierën e tij 35 vjeçarë në krye të PD, nisjen një revolucioni demokratik në vjeshtë, përballje të fortë me ‘narkoshtetin’, kërkesën për zgjedhje të parakohëshme me një qeveri teknike etj. Një ‘film’ i parë për vite e vite me radhë, i cili hidhet për publikun thjeshtë e vetëm që Berisha të justifikojë humbjen, të kalojë verën ‘post-zgjedhore’ pa probleme dhe të vijojë i qetë në krye të PD. I urojmë dhe ne jetë sa më të gjatë në krye të PD dhe opozitës. Për të mirën e shqiptarëve themi, pasi kanë nevojë të vijojnë dhe dy mandate deri në anëtarësimin e plotë në BE, nën qeverisjen e PS dhe të Edi Ramës! Ndërsa familjarëvë u bëjmë një thirrje miqësore: Mblidhini pleqtë në shtëpi, po ju marrin juve dhe neve erzin!
Komente
