Brenda Partisë Demokratike ka nisur një përplasje e fortë dhe me pasoja aspak të mira në lidhje me ‘tradhëtinë’ e numëruesve demokratë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të këtij viti.
Numëruesit e PD, të cilët qëndruan me ditë të tëra në përballje me procedurat e gjata dhe të lodhshme të kalimit një më një të fletëve të votimit, akuzohen nga kandidatët demokratë të listës së hapur për deputetë se kanë trafikuar votat nga një kandidat tek tjetri.
Nuk bëhet fjalë të kenë dërguar vota tek kundërshtarët politikë, te kandidatët e PS të Edi Ramës, por kanë bërë një vjedhje me ‘qark të mbyllur’ brenda llojit apo siç thuhet ndryshe brenda ‘shtëpisë’ demokrate, duke kaluar me pa të drejtë vota nga një kandidat i PD tek një kandidat tjetër po i PD.
Ndër të parët që kanë reaguar ishte kandidati i PD në listën e hapur për Tiranën, Ilir Alimehmeti, i cili ndonëse mori mbi 18 mijë vota në Tiranë, rezultoi me dy mijë vota poshtë kandidates po të PD Jorida Tabaku, tashmë deputetja e 13-të e koalicionit opozitar “Për Shqipërinë Madhështore” që pritet të hyjë në Parlament. Me këtë rezultat themi, pasi 12 kandidatët e listës së mbyllur janë automatikisht deputetë sipas ndryshimeve të minutës së fundit në Kodin Zgjedhor, pika e vetme për të cilën këmbënguli PD. Pra për listën e sigurtë ku ‘strehoi’ besnikët e tij që s’marrin kokërr vote në terren, pasi e kanë bërë baltë me kohë e vakt sa nuk durohen, madje as nga demokratët!
Nuk dimë se kë akuzon Alimehmeti, të cilit s’ia nxë goja as ta përmendë Sali Berishën, por që ka pretendime se është mbi Tabakun përsa i përket votave. Pasi në bazë të rezultatit përfundimtar, koalicioni i Berishës ka të drejtë të fusë në Kuvend vetëm një deputet nga lista e hapur në Tiranë. Mandatin e 14-të që ishte gati ta merrte, e fitoi partia “Mundësia” e Agron Shehajt. Praktikisht Alimehmeti pretendimet i ka për Tabakun, dhe jo për t’ia marrë Shehajt, pasi ‘Mundësia’ e ka ‘blinduar’ këtë mandat me mbi 1200 vota. Pretendimet janë shprehur dhe nga ‘kryegjyqtarja’ e PD, Adriana Kalaja e cila akuzon Tabakun se u bë deputete me votat e Ramës dhe të oligarkëve për të poshtëruar Berishën. Kreu demokrat, për hir të së vërtetës bën sikur nuk e ka mendjen.
Kreu i PD ndërhyri për të zbatuar pikën e Kodit sipas të cilit nuk ka ankimime personale për rinumërim, por vetëm në emër të PD. Gjë që partia më e madhe opozitare nuk e ka bërë për asnjë kandidat, megjithëse deklaron se i ka mbështetur kërkesat e tyre. Madje dhe të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet” të Adriatik Llapajt në Fier! Për hir të së vërtetës nëse ka pasur votë të orientuar apo trafik votash në Tiranë apo dhe në tërë Shqipërinë, këtë trafik dhe tjetërsim vote brenda demokratëve askush në PD nuk guxon ta bëjë, pa dijeninë apo urdhërin e Berishës. Gjithsesi KAS vendosi rinumërimin në disa kuti në Tiranë, por rrëzoi kërkesat e Alimehmetit në Tiranë por dhe të Aulon Kalasë në qarkun e Durrësit si dhe të tjerëve nëpër qarqe, për rinumërim.
Në fakt Aulon Kalaja u tregua më i ‘shkathët’ dhe e ribëri kërkesën në emër të PLL, anëtare e koalicionit “Madhështor” të Berishës, dhe tashmë do të verifikohet pretendimi i tij për vjedhje votash në favor të ish prokurorit Arjan Ndoja, i cili shpreson që sikurse i shpëtoi plumbit teksa udhëtonte sëbashku me të akuzuarin për krime ‘Rrumin’ e Shijakut, të shpëtojë dhe mandatin e deputetit, që e ka garantuar deri më tani me një fitore të diskutueshme nga lista preferenciale e kandidatëve të PD në qarkun Durrës. Kalaja është i sigurtë se do ta zhbëjë diferencën prej 1 mijë votash që ka me Ndojën, pasi votat e tij, ai pretendon se janë trafikuar në drejtim të ish prokurorit, ndërkohë që është i bindur se rinumërimi do të nxjerrë në pah atë që ka ndodhur.
KQZ rinumëroi votat edhe në qarkun e Dibrës, kërkesë kjo e kandidatit të PD Xhemal Gjunkshi, i cili pretendoi se votat e tij ishin trafikuar tek kandidati tjetër Përparim Spahiu, ish deputet i ish-LSI. Nuk e kemi kuptuar se përse e bëri këtë ankimim gjenerali i PD-së në Dibër, pasi sipas rezultatit përfundimtar, PD kishte marrë vetëm 2 deputetë aq sa kishte lista e mbyllur. Ndërkohë që kjo ‘beteja’ për votën prefenciale në listën e hapur as që kishte kuptim, dhe sikur gjithë votat e Spahiut t’ia kalonin me konsensus Xhemal Gjunkshit, ky i fundit jashtë se jashtë Kuvendit do të mbetej! Çështje ‘hunde’ me sa duket ka qënë ankimimi, për të treguar se ‘jam më i fortë se ti’.
Ka dhe rinumërim në Fier, ndërkohë që në disa qarqe të tjera, dhe përfaqësuesit e PD në KAS e panë se ishte një gomarllëk i madh të vijohej më tej në këtë mosbesimin e kandidatëve të PD tek numëruesit dhe në akuzat se i kanë vjedhur votat e njëri tjetrit. Pasi dhe rinumërimet deri më tani s’kanë sjellë ndonjë përmbysje rezultati. Mendohet që në Durrës Kalaja mund të ‘përmbysë’ Ndojën, pavarësisht se vota dhe trafikimi i votës ka qënë i orientuar nga lart!
Bie në sy fakti se Berisha nuk ka qënë shumë entuziast në lidhje me këtë rinumërimin e votave të kandidatëve të PD, të cilët akuzojnë njëri tjetrin e bashkë me ta dhe numëruesit demokratë nëpër qendrat e numërimit se kanë trafikuar votën, pasi për kreun demokrat, me rëndësi ka qënë dhe është vetëm goditja e qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama, në funksion të krijimit të alibisë për humbjen e thellë të opozitës në zgjedhje, përmes manipulimit nga ana e mazhorancës.
Madje Berisha e bëri ‘baltë’ deri në Bruksel për të bindur disa krerë partie se ‘narkoshteti’ i Edi Ramës ka vjedhur vullnetin e popullit, nxiu Shqipërinë duke deklaruar publikisht deri aty sa sipas tij ‘Shqipëria nuk e meriton mbylljen e negociatave, vijimin e procesit të anëtarësimit, pasi nuk është gati për të qënë vend anëtar i BE sepse është narko-shtet’. Anipse të gjithë liderët e vendeve më të fuqishme të BE dhe vetë Presidentja e Komisionit Evropian në samitin e BE të zhvilluar në Tiranë 5 ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, e uruan nominalisht Ramën për fitoren më 11 maj, deklaruan rritjen e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare si dhe paralajmëruan hapur anëtarësimin e Shipërisë në BE brenda vitit 2030!
Pavarësisht se zbulimi i ‘tradhëtarëve’ brenda numëruesve të PD që kanë trafikuar votën në favor të kandidatëve të caktuar demokratë të listës së hapur, i bërë dhe me dijeninë e tij, Berishës nuk i vjen fort për ‘osh’, kreu demokrat ‘ngushëllohet’ me faktin se ndonëse janë numëruesit e tij që kanë vjedhur votat brenda ‘shtëpisë’ politike dhe jo ata të Ramës, në fund të herës ai tenton që ta bëjë sa më pis procesin zgjedhor të 11 majit me çdo mënyrë që i del para. Anipse janë njerëzit e tij ata që e kanë ndotur aty këtu, duke trafikuar vota nga një kandidat i PD tek tjetri sipas rastit.
Deklaratat e tipit ‘ata që kanë trafikuar votën brenda kandidatëve të PD të hetohen dhe të ndëshkohen sipas ligjit’, apo dhe ankimimet e vetë kandidatëve të PD, të cilët ndonëse e dinë se nuk kanë shanse për një mandat deputeti, këmbëngulin për të gjetur ‘tradhëtarët’ numërues që bënë kalim votash te rivalët brenda partisë, tregojnë qartë se tashmë janë identifikuar ‘armiqtë’ e radhës brenda PD. Ata janë numëruesit ‘tradhëtarë’ të cilët duhen ndëshkuar me burg.
Nuk dimë se sa prej tyre do të plotësojnë kushtet për të qënë objekt i drejtësisë dhe për pasojë për të përfunduar në burg, por ajo që po shikojmë ditë pas dite është fakti se ‘saga’ e përpjekjeve për delegjitim të zgjedhjeve përmes akuzave ndaj ‘narko-shtetit të Ramës’ për tjetërsimin e votës dhe marrjen e 33 mandateve shtesë përmes kësaj ‘farse elektorale’ siç shprehet Berisha në Tiranë dhe Bruksel ku shkon për pushime në shtëpinë e vajzës sa herë që lodhet, sidomos pas vënies nën sekuestro të vilës në Gjirin e Lalzit, ka degjeneruar në një luftë brenda llojit kundër numëruesve demokratë të cilët janë shpallur ‘armiq’ nga PD sepse kanë trafikuar votat nga një kandidat te kandidati tjetër i PD.
Dhe në këtë proces linçimi të numëruesve dhe komisionerëve demokratë të zgjedhjeve të 11 majit qëndron një rrezik shumë i madh për PD dhe për vetë opozitën shqiptare: Rreziku i zerimit të shansve për të pasur në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor të vitit 2027 dhe ato parlamentare të vitit 2029 mbështetës demokratë që të marrin përsipër rolin e numëruesit e të komisionerit në emër të opozitës. Pasi kanë frikë se përfundojnë në burg, sepse shihen si armiq potencialë nga PD që i ‘kontraktoi’ për të qënë vullnetarë, me atë pagë që kanë sipas ligjit vullnetarë janë, e për pasojë pritet të mos e marrin përsipër këtë detyrë të rëndë në të ardhmen.
Për hir të së vërtetës PD dhe opozita mezi ia doli që të gjente numërues dhe komisionerë për zgjedhjet e 11 majit. Kjo u pa dhe në faktin se nuk kishin zëvendësues, dhe janë detyruar shpesh që të punojnë pa zëvendësues, pra me pushime të gjata. Madje nuk u furnizuan as me ujë dhe ushqim, teksa ishin të ngujuar nëpër qëndrat e votimit apo të numërimit. Kështu që, ekziston rreziku që në zgjedhjet vendore e ato parlamentare opozita të mos gjejë kokërr komisioneri apo numëruesi për ta dërguar në KQZ, dhe për të plotësuar gjysmën e komisionit apo grupeve të numërimit.
Me shpalljen ‘armiq’ të numëruesve dhe komisionerëve të vet, PD dhe Berisha kanë ‘firmosur’ me dashje apo pa dashje futjen e votimit e të numërimit elektronik në të gjithë vendin apo qarqet kryesore. Ndërsa pjesa tjetër mund të mbulohet me komisionerë e numërues juristë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë, mësues, etj. Dhe këta të drejtësisë të bëjnë ndonjë punë, se nuk bëhet nami!
Për më tepër që depolitizimi i administratës zgjedhore, me komisionerë e numërues, si dhe votimi e numërimi elektronik janë një kërkesë e kahershme e OSBE/ODIHR dhe pika kryesore e rekomandimeve për çdo palë zgjedhje. Nuk përjashtohet dhe raporti për zgjedhjet e 11 majit, pikërisht këtë kërkesë të përmbajë si pikë kryesore në rekomandimet e radhës!.
Në këtë mënyrë, mazhoranca e drejtuar nga Rama, bashkë dhe me aleatin hipotetik PSD, nuk do të jetë çudi që të jetë e detyruar nga rekomandimet e raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 11 majit, që të bëjë ndryshime në Kodin Zgjedhor për këtë qëllim: depolitizimin e administratës dhe futjen e votimit dhe numërimit elektoronik.
Votat janë në Kuvend. Vetëm vullnet duhet. PD do të japë konsensus, ose do të jetë e detyruar ta pranojë një ndryshim të tillë, jo vetëm se pritet të jetë kërkesë e OSBE/ODIHR por dhe sepse nuk gjen kokërr numëruesi apo komisioneri. I ka shpallur ‘armiq’ të gjithë, sepse kanë vjedhur votën brendapërbrenda PD. Jo se ndodh për herë të parë në këtë parti. Vetëm nëse i drejtohet për ‘ndihmë’ KQZ-së!
Prandaj themi se, tashmë jemi të sigurtë se po shkojmë po të sigurtë drejt një procesi Zgjedhor, me administratë tërësisht jopolitike dhe me votim e numërim elektronik si dhe nxjerrje rezultati të zgjedhjeve në kohë rekord. Ky zhvillim, falë dhe ‘hajdutëve’ të PD, të cilëve duhet t’ua dimë për nder. Çdo e keqe ka dhe një të mirë! Të paktën këtë herë!
Komente
