Sali Berisha dhe Diella

Opinion

Jakin Marena: PD s’ka ide e as nerva, pse Berisha trembet e tërbohet nga Diella?!

18 Shtator, 18:56| Përditesimi: 18 Shtator, 19:01

  • Share

Mazhoranca socialiste ka miratuar me një procedurë ‘rrufe’ programin qeverisës për mandatin e katërt rresht si dhe ka votuar kabinetin e ri qeveritar “Rama 4”.

Themi u miratua në kohë rekord programi dhe përbërja e qeverisë së re, sepse kjo seancë zgjati si asnjëherë më parë, vetëm 25 minuta, nga dy ditë me radhë minimumi, sipas planifikimit të bërë në konferencën e kryetarëve një ditë më parë!

Nuk pati asnjë lloj debati, asnjë lloj zgjatjeje në limitet normale kohore për një debat parlamentar që shënon programin qeverisës, i thonë 4 vite planifikim, si dhe pr miratimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për ministrat e rinj të PS!

Një ‘gëzim’ të tillë për shmangjen e debateve maratonë në Kuvend për dy ditë me radhë si dhe lirimin e programeve televizive nga pesha e këtyre debateve, e solli si gjithnjë opozita shqiptare e kryesuar nga Berisha, në Kuvendin e Shqipërisë. I cili nuk doli nga skenari i përhershëm i bllokimit të këtyre punimeve, i ngritjes së tensioneve dhe përplasjes në seancë, duke mos na ‘zhgënjyer’ si gjithnjë me pandryshueshmërinë e tij proverbiale!

Këtu ‘ndihmoi’ dhe Rama, i cili, duke qënë se ia ka marrë ‘dorën’ rëndshëm kësaj opozite, i nxori asaj ‘bezen e kuqe’, që për Berishën dhe PD tashmë është ministrja Diella e Inteligjencës Artificiale, e ka tërbuar fare këtë opozitë, duke e bërë që jo vetëm të mos shfaqë si gjithnjë asnjë ide se si mund të përballojë këtë mazhorancë me 83 mandate deputeti, por të lëshohet dhe nga nervat e të kalojë në veprime të palogjikshme e të pakontrolluara në sallën e Kuvendit!

Në vend të fjalëve dhe debateve, deputetët e PD me në krye kryetarin e grupit Gazmend Bardhi, lëshuan letra, stilolapsa si dhe librin e Kushtetutës në drejtim të podiumit ku ishte kryeministri Edi Rama. Në fund bllokuan foltoren! Duke treguar qartë se deputetët e opozitës nuk janë për debat me PS-në për programin qeverisës, paçka se socialistët janë në mandatin e katërt rresht në qeverisje të vendit, se opozita nuk është e përgatitur se si mund t’i përgjigjet këtij programin me alternativën e tyre. E në vend të fjalës dhe arsyetimit, ‘komandën’ e kanë marrë duart, këmbët e ‘rryli’ i fytit në atë që mund të quhet sforcim marramendës deri në ulërimë i kësaj opozite, e cila nuk shkon për të bërë punën e saj në Kuvend por thjeshtë e vetëm për të krijuar sherre! Fundja çfarë do të thotë një opozitë e tillë e rrënuar, me atë përbërje, me atë lider që ka. Vetëm këtë gjë di të bëjë! E ka treguar me kohë e vakt këtë punë, ndaj ‘korr’ rezultate vetëm në ulje!

Përgjigjia e mazhorancës ishte e shpejtë e ‘rrufe, mbyll debatin pa filluar, dhe kalon në votim programin qeverisës dhe kabinetin e ri qeveritar, duke mbyllur në fund dhe seancën e ditës së enjte, pa mbushur ende 25 minuta të plota, paçka se ishte vendosur një ditë më parë dhe me mbështetjen e opozitës që të zgjaste plot 48 orë! Vetëm pse doli “Diella’ në monitor e mbi të gjitha iu dha fjala, për të shprehur përveç të tjerave, edhe ‘ankesën’ e saj se ndjehej e lënduar pasi ishte quajtur anti-kushtetuese nga opozita!

Në krye të herës duhet të theksojmë se kjo opozitë, pavarësisht se ka 50 deputetë në grupin më të madh të drejtuar nga Berisha, s’ka asnjë shqetësim apo ‘tendosje’ për të bërë luftë që të vijë në pushtet! Qëndrimin larg pushtetit opozita e ka vendosur me kohë e vakt, që në momentin kur riktheu Berishën nga ‘pensionimi’ politik 8 vjeçar në krye të PD, duke dëbuar Bashën dhe ata që e mbështesnin nga PD! Jo ata që tundin ‘belin’ të kuptohemi, ata janë rikthyer sërish aty, pa u skuqur apo zverdhur as kur gazetarët ua kujtojnë kalimin e ‘ylberit’ politik! Madje tani thonë nëpër panelet televizive se kanë qënë të emocionuar atëherë kur kanë deklaruar “Babi i Zenit” dhe kur janë ‘zotuar’ se ‘nuk do të jenë më në politikë nëse rikthehet Berisha në krye të PD’! Pra kapitullin e pushtetit e kanë mbyllur sa kohë që Berisha do të jetë në krye të PD, me mision!

Duke qënë të lehtësuar nga këto kasavetet e dhënies llogari para votuesve dhe demokratëve për humbjen rrënuese në zgjedhje, ku statuti përcakton largimin automatik të kryetarit si dhe tërë lidershipit humbës, duke qënë se kanë vënë ‘stekën’ tepër të ulët në përballjen me mazhorancën dhe pa asnjë pretendim apo shpresë për të rrëzuar Ramën dhe për të ardhur në pushtet, opozita e udhëhequr nga Berisha, i është ‘dorëzuar’ vetëm një detyre, për ta kryer me sukses të plotë: asaj të bërjes së zhurmës në Parlament e në rrugë, atë të ulërimave, thyerjes së karrikeve, shkuljes së mikrofonëve dhe përplasjeve fizike me të gjitha mënyrat me kundërshtarët politikë, duke e shndërruar atë shprehjen e famshme ‘e para ishte fjalë’ në ‘të parat janë duart e këmbët’, ndërsa fjala përjashtohet nga ‘mënyja’ për opozitën aktuale!

Kjo është opozita e sotme e drejtuar nga Sali Berisha! Tezja e Tik Lapaj nuk foli sot, nuk do të flasë shumë, ajo ka për detyrë që të çojë dhe dorëzojë në Kuvend vetëm ato që mendon e shkruan Tiku! E tha vetë ai, në një emision televiziv, s’po ia shpikim ne! Tre deputetët e tjerë të opozitës po mundohen në orientohen në kaosin e zhurmshëm të PD, por ata jo kësaj mazhorance nuk kanë çfarë i bëjnë, por nuk mund të dalin dot as mbi zhurmën e opozitës së Berishës!

Atëherë lind pyetja: Po pse Berisha bën këtë rrëmujë në Kuvend e jashtë tij dhe pse tërbohet nga ministrja “Diella”! Mbi të gjitha, pse e mori ‘ters’ që në fillim ministren e Inteligjencës Artificiale, të prezantuar nga kryeministri Rama që në krye të herës, i shpjeguar prej tij, si përgjegjëse për prokurimet publike dhe si mjeti efikas për shmangien e kësaj vatre korrupsioni?!

Në krye të herës, ajo që mund të themi ëhstë se prezantimi nga Edi Rama i ministres “Diella” ka krijuar një impakt të madh ndërkombëtar, duke marrë vëmendjen maksimale të mediave rajonale, evropiane e botërore! Eshtë bërë lajm i parë në edicionet e lajmeve dhe kryetemë dhe në takimet në institucionet e organizmat ndërkombëtarë të Ramës! Pra e ka kthyer dhe njëherë Shqipërinë në qendër të vëmendjes botërore, pas prezantimit me sukses edhe sivjet të ‘bumit’ turistik!

Kjo vëmendje e madhe ndaj Ramës dhe mazhorancës së tij, që vjen pas një rezultati tepër të lartë në zgjedhjet e 11 majit, në mandatin e katërt qeverisës radhazi, e ka tërbuar Berishën. I cili u ‘shqye’ tërë verën e tashmë në vjeshtë, ditë për ditë me shkop në dorë përballë hartave elektorale, duke ‘denoncuar’ tjetërsimin e votës sipas tij! Denoncime të cilat jo vetëm që nuk po ‘dëgjohen’ fare nga ndërkombëtarët, kanë arritur ta njohin tashmë Berishën që nuk i pëlqen asnjë lloj procesi zgjedhor ku vetë s’është fitues, por s’po dëgjohen më as nga shqiptarët, madje as nga demokratët, çka tregon se asnjë akuzë e Berishës nuk besohet më, ndaj kanë këtë  impakt tepër të ulët në publik deklaratat denoncuese të tij. Nuk përbën lajm me një fjalë, as për mediat afër tij!

Për më tepër që hapja në kohë rekord e negociatave me BE, pritja që i rezervojnë Ramës në Bruksel, po tregojnë qartë se fitorja e thellë në zgjedhjet e 11 majit e PS jo vetëm që është pranuar dhe mbështetur nga ndërkombëtarët, por po cilësohet dhe si një arritje e madhe e kryeministrit shqiptar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE, brenda vitit 2030!

Tërbimi i Berishës dhe i mbështetësve të tij me ministren “Diella” duke filluar nga momenti kur Rama e ka prezantuar përkrah mistrave të kabinetit të ri qeveritar, me sa duket ka dhe një shkak tjetër! Berisha po tregon çdo ditë e më shumë se beson shumë në efikasitetin e inteligjencës artificiale të përfaqësuar nga ‘Diella’ në  minimizimin e korrupsionit në Prokurimet Publike në Shqipëri! E beson me sa duket, prandaj s’mund ta durojë këtë sukses të qeverisë së socialistëve në mandatin e katërt qeverisës radhazi, të cilët me një pajisje i heqin nga ‘duart’ atij mundësinë për të dalë ditë për ditë para mediave, në atë që e ai e quan ‘denoncimi i korrupsionit të qeverisë së Ramës”.

Kjo është një ‘goditje’ e rëndë për të, pavarësisht se askush nuk e beson për këto akuza ndaj Ramës, për shkak se Berisha vetë është nën akuzë për korrupsion në favor të dhëndërit të tij, në aferën “Partizani’ apo janë nën hetim pasuritë si dhe lobimet e tij! Por, Berisha nuk pyet, për të problemi është “Diella’ që ia hoqi me sa duket ende pa filluar punë, mundësinë për të akuzuar kundërshtarin politik për korrupsion! Pavarësisht se nuk rresht në akuzat ndaj Ramës, se me “Diellën’ u ka hequr mundësinë për të përfituar ministrave të tij, për ta marrë vetë sipas kreut të PD ‘komandën’ e korrupsionit, Berisha në sulmin e tij ndaj ‘Diellës’ po tregon gjithnjë e më fort se beson se përmes ministres së Inteligjencës Artificiale, Rama ka gjetur ‘çelësin’ për të minimizuar korrupsionin e administratës shtetërore në prokurimet publike! Këtë se duron Berisha!

Me sa duket Berisha është i shqetësuar dhe për vete e familjen e tij, që merret me biznes. Pasi ka akuza se ai ka vënë shumë pasuri dhe në këto vite opozitë, përmes punëve publike që familja e tij ka marrë, indirekt ose direkt, duke u akuzuar dhe nga të vetët brenda PD deri në atiketime të tilla si “Sali Kulla”. Por që tani e tutje është krijuar një rrezik potencial, pasi pritet të jetë pikërisht “Diella” ajo që do t’ua presë mundësinë jo vetëm abuzuesve ‘kronikë’ por dhe familjes së Berishës që të ‘njomin sqepin’ me paratë publike! Hamendësim yni është ky i fundit, por meqë jemi tek tërbimi i Berishës për “Diellën”. Pasi Berisha acarohet shumë dhe nis ‘sagën’ e akuzave vetëm atëherë kur i preket interesi personal dhe aty ku preket ky interes! Eshtë standard që e ka vënë vetë Berisha ndër vite ky, dhe nuk kemi pse të mos hamendësojmë në këtë rast edhe ne!

Megjithatë do të presim, por jemi të sigurtë se Berisha jo vetëm që nuk ka asnjë ide, por nuk ka as nerva për të bërë opozitë tamam! Thjeshtë bën zhurmë, kërkon tension dhe kaos, sikurse ka bërë në të gjitha herët, për të mbetur po pas të gjitha përballjeve elektorale, në të gjitha herët në opozitë! Të paktën sa të jetë gjallë Berisha, të cilit i urojmë jetë sa më të gjatë!

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mamurrasi: 18/09/2025 19:20

    Haaaaaa ka fillua PD tu leh si qen Dielles haaaaa sa bukur ju ben Rama

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?