Përurimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë është një ngjarje e madhe jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin e më gjërë.
Këtë arritje e kanë vlerësuar jo vetëm zyrtarët më të lartë shqiptarë, por dhe përfaqësuesit e vetë Aleancës, respektivisht SHBA, vendet anëtare të BE dhe Britania. Të cilët kanë nënvizuar hapja në Kuçovë e bazës së vetme ajrore në Ballkan, përbën një ngjarje të madhe për Evropën dhe vetë NATO-n në përgjithësi, Aleancë që përmbledh në gjirin e saj vendet më demokratike të botës në funksion të paqe dhe sigurisë.
Aq më tepër që përurimi i kësaj bazë ajrore në vendin tonë, në kushtet kur lufta është në prag pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, tregon jo vetëm rëndësinë e këtij investimi strategjik por dhe besimin e fortë që gëzon Shqipëria tek aleatët tanë të mëdhenj.
Tirana, siç e nënvizoi dhe sekretari amerikan i shtetit Blinken që e parapriu këtë përurim të rëndësishëm të bazës ajrore në Kuçovë, është tashmë në rolin e vet serioz si lidere e Ballkanit Perëndimor, një faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie për tërë rajonin.
Dhe pjesëmarrësit në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore në Kuçovë, që nga përfaqësuesit e NATO-s, e deri tek ministrat e Mbrojtjes së Ballkanit si dhe ambasadorët respektivë në Tiranë, e cilësuan një ngjarje madhore për Shqipërinë, rajonin e vetë Evropën. Vlerësuan se Shqipëria është partneri më serioz dhe më i besueshëm në Ballkanin Perëndimor, aleati më i palëkundur brenda Aleancës, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Këtë jehonë pati dhe në mendiat ndërkombëtare, të mbushura me vlerësime për Shqipërinë dhe shqiptarët si partnerë seriozë.
Nuk po hyjmë në çeshtjet teknike për funksionin e kësaj baze ajrore të NATO-s në Kuçovë, kapacitetet e saj, si do të funksionojë, përfshirë këtu dhe sa dronë luftarakë, sa raketa, sa avionë F16 do të ketë në këtë platformë ushtarake të Aleancës në vendin tonë, apo si do të shërbejë për të mbikqyrur e mbrojtur tërë hapësirën ajrore të Ballkanin ose si bazë mbështetje të aksioneve ushtarake në një moment kur cënohen kufijtë e Aleancës.
Janë çështje teknike këto që diskutohen në vijimësi, ose nuk bëhen të ditura asnjëherë, përfshirë dhe pyetjen hipotetike që ngre media nëse do ketë trajnime të ushtarakëve ukrainas apo të vendeve të tjera të kërcënuara nga agresioni rus, në bazën ajrore të Kuçovës. Janë ekspertët që flasin.
Ne diskutojmë anën politike dhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ngritja e një baze të tillë ajrore ushtarake në territorin e vendit tonë, duke na renditur ndër vendet më serioze të Aleancës. Duke shtuar dhe kontributin e buxhetit të shtetit për ushtrinë nga ana e qeverisë shqiptare në kufijtë e kërkuar nga NATO. Pra flasim për rritjen e kredibilitetit të Shqipërisë.
Dhe më konkretisht, është e udhës të flasim dhe për impaktin që ka shkaktuar tek shqiptarët, tek politika dhe sidomos tek opozita përurimi i ngritjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Për hir të së vërtetës si përfaqësuesit e mazhorancës ashtu dhe të opozitës kanë qënë në një zë thuajse të gjithë për rëndësinë që ka ngritja e kësaj baze ushtarake në Shqipëri, diskutimi për ngritjen e bazës detare po ushtarake në Durrës. U ndjenë krenarë për rreshtimin me dinjitet në anën e duhur të Shqipërisë.
Por nuk mund të zhgënjente, ai, i papërsëritshmi Sali Berisha, ish President, ish kryeministër, ish kryetar i PD, ish-pensionist dhe aktualisht kreu i grupimit më të madh politik opozitar, Foltorja.
Ndonëse Berisha për hesap të zullumeve të tij gjendet në arrest shtëpiak i izoluar në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, po paguan për hakun e abuzimeve sa herë ka qeverisur, dhe për fatkeqësinë e opozitës shqiptare që bashkë me të është izoluar poshtë dritares së tij tek rrugica e pallatit nga e cila betohet të mundë Edi Ramën, sërish tregoi se s’ndryshon kurrë. Kërkon të jetë vetë ai protagonisti, ose në rast të kundërt vlerëson vetëm atë që mendon se ka bërë vetë, anipse mund të ketë qënë fryt i rrethanave apo gjeostrategji.
E kemi fjalën për mënyrën se si Berisha e priti përurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë dhe vlerësimet maksimale që dhanë partnerët tanë të mëdhenj dhe vetë Aleanca. Pasi u përzgjodh Shqipëria për ngritjen e kësaj baze ajrore, të vetmes në Ballkan për NATO-n dhe në përzgjedhjen e Shqipërisë janë marrë parasysh disa faktorë po dhe kritere, më kryesorët stabiliteti, roli gjithnjë e në ngjitje i Shqipërisë në rajon dhe në Aleancë, dhe mbi të gjitha paqja e siguria që ka përcjellë Shqipëria për 10 vite me radhë në Ballkanin Perëndimor, duke i bindur aleatët se Tirana është një partner i besueshëm, serioz dhe i fortë për Aleancën,
Nuk mund të përjashtohet nga krijimi i këtij imazhi tepër pozitiv dhe të besueshëm për aleatët tanë, mazhoranca socialiste, ministrat e Mbrotjes nga Kodheli tek Peleshi dhe mbi të gjitha kryeministri Edi Rama, i cilësuar nga qeveria amerikane si partneri i vetëm serioz dhe i besueshëm jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkanin Perëndimor për Uashingtonin dhe aleatët e tjerë potencialë që vendosin fatet e botës.
Pikërisht sepse e di një gjë të tillë, Berisha është tërbuar. Duke e shprehur dhe me zë e figurë këtë inat, pikërisht në ditën më të madhe të shqiptarëve që tashmë kanë zë akoma më të fortë në rajon. Dhe ushtarakisht.
Dhe përpos faktit se po vlerësohet nga SHBA kundërshtari i tij politik Rama si lideri i rajonit, si udhëheqës i shkëlqyer, si një kryeministër shumë i mirë përkundër akuzave të kreut të Foltores se Rama ka vendosur një regjim në Shqipëri, dhe akuza të tjera të këtij lloji, Berisha duket se më shumë është revoltuar për ‘kurorën’ e vendosur në ‘kokën’ e Ramës paraditen e 4 marsit, në ceremoninë e përurimit të hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Dhe Berisha, teksa jeton në atë realitetin e tij paralel, botën e tij dhe jashtë realitetit, nuk e ka vetëm për shkak të izolimit nën arrest shtëpiak pasi kështu ka qënë gjithmonë, një ‘kurorë’ të tillë e mendon në kokën e tij. Pra e quan gabim që është në ‘kokën’ e Ramës tërë vlerësimi për ngritjen e Shqipërisë dalëngadalë në statusin e një fuqie politike në fillim, e tashmë ekonomike e ushtarake në rajon, për të qënë lidere e Ballkanit Perëndimor në të gjitha aspektet.
Me atë realitetin e tij paralel, Berisha tërë suksesin që ka në bazë termin “NATO” e quan eksluzivisht të tijin dhe nuk dëshiron ta ndajë më askënd, anipse vetë kryeministri Rama me modesti e quajti ecurinë e Shqipërisë dhe vendin e saj të nderuar në Aleancë kontribut të të gjithëve, kush më shumë e kush më pak.
Berisha ka versionin e tij, duke qënë gjithnjë kundër rrymës dhe duke mos vlerësuar asgjë që nuk kalon nëpër ‘dorën’ e tij. Këtë qëndrim mbajti dhe pasditën e 4 marsit, në tubimin majë ballkonit të banesës së tij para 30-40 ithtarëve që e zgjedhin me short pjesëmarrjen në turnin e radhës për të dëgjuar zërin e kreut të Foltores.
Berisha anëtarësimin në NATO e quan kryevepër të tij të 15 viteve më parë. Ishte kryeministër i vendit asokohe. Madje e përdori dhe për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2009 anëtarësimin në NATO. Megjithëse përdori si gjithnjë dhe ca ‘elementë shtesë’ për të marrë disa mandate deputetësh pa nder dhe në fund të herës, duke mos arritur shumicën e thjeshtë qeverisëse bëri pakt me Ilir Metën dhe qeverisi një mandat të dytë në Shqipëri.
Berisha e tha me zë të lartë versionin e tij duke i dhënë udhë tërbimit të tij për aktin e ngritjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ndërsa ai ishte nën arrest shtëpiak nën akuzën e korrupsionit pasiv në favor të familjarëve të tij.
“Aleanca e Atlantikut të Veriut inauguroi bazën e saj të parë në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky akt përbën një nderim të veçantë për të gjithë ata që me përkushtim të madh bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pa këtë anëtarësim, dita e sotme nuk do vinte ndonjëherë”, deklaroi jo pa mllef Berisha, vetëm disa orë pas përurimit të bazës ajrore.
E përkthyer me fjalë të thjeshta, Berisha u mundua t’ju mbushte mendjen shqiptarëve se nëse nuk do të kishte qënë ai që kishte anëtarësuar vendin në NATO 15 vite më parë, nuk do të kishte në 4 mars 2024 përurim të ngritjes së bazës ajrore të Aleancës në Kuçovë.
Po të zbriste dikush më 4 mars 2024 në planetin tokë, pikërisht në këtë pikë të globit që quhet Shqipëri dhe ta dëgjonte një deklaratë të tillë, do t’i kishte dhënë të gjithë të drejtën e Zotit, Sali Berishës në pretendimin se “ishte ai, pa u bë Kuçova”.
Por realiteti i anëtarësimit në NATO në vitin 2009 dhe ngritja e shkallës së besueshmërisë së ushtrisë shqiptare dhe e shtetit shqiptar pas vitit 2013 në atë nivel sigurie e besimi që sollën dhe vendimin për hedhjen e shpenzimeve për një bazë ajrore ushtarake në Shqipëri apo displokimin e mjeteve ushrake hap pas hapi në këtë bazë, është pak si i ndryshëm. Nuk janë aspak njëlloj, siç i mendon Berisha.
Për hir të së vërtetës anëtarësimi në NATO i Shqipërisë në fillimin e prillit 2009 ishte një ngjarje madhore. Por dhe një gjest bujarie nga ana e Aleancës që kryesohet nga SHBA. E themi këtë sepse vetëm një vit para se të anëtarësoheshim në NATO, shpërtheu punishtja e demontimit por dhe paketimit të municioneve në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 njerëz të pafajshëm e u plagosën mbi 300 të tjerë.
Bashkë me jetët e humbura apo të lënduara në 15 mars 2008, u rrënua dhe imazhi i ushtrisë shqiptare, e vënë tërësisht në funksion të biznesit të djalit të ish kryeministrit Sali Berisha, kështu thonë akuzat sëpaku që kanë në fokus dhe Shkelzen Berishën, dhe për pasojë u rrënua dhe emri i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Pasi bashkë me ushtrinë u rrënua dhe drejtësia, vetëm e vetëm që aktorët e vërtetë të “Gërdecit” të mos dënoheshin.
Dhanë dorëheqjen ministra, drejtorë, ushtarakë, e shumë prej tyre u hetuan dhe gjykuan nga drejtësia e asaj kohë që asnjëherë nuk dha drejtësi. Por dhe kërkuan azil politik, siç ishte rasti i ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Gjeneral Luan Hoxha. I cili kishte frikë nga djali i ish kryeministrit Berisha, e këtë frikë e shprehur me shkrim e gojë dhe në ambasadën amerikane në Tiranë, ambasadori i së cilës e përcolli me kabllogram në Uashington.
Duke qënë se kishte frikë se mos e nxirrnin për ‘gjah’ dhe pa dëshirë, gjeneral Hoxha i bindi organet ligjzbatuese amerikane dhe mori azilin politik në SHBA. Ku po qëndron dhe sot e kësaj dite, ndoshta për të ardhur ndonjëherë në Shqipëri, për të dëshmuar ndonjë gjë nëse ia kërkon drejtësia e re, kur dhe ku ta lypë nevoja. Pra në këtë situatë në të cilën ndodhej ushtria shqiptare, nëse do të vlerësoheshin kriteret strikt, siç po bën Brukseli për procesin e anëtarësimit në BE, Shqipëria nuk do ta kishte të vështirë të anëtarësohej atë vit në NATO.
Por Aleanca u tregua tepër bujare duke na pranuar në gjirin e saj, dhe kjo ishte fitore e madhe për Shqipërinë. Ndikuan një sërë faktorësh që gjithkush i merr me mend. Por për një gjë jemi të bindur, se për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë në atë kohë nuk ishte faktor mirëqeverisja e Berishës, as klima e sigurisë dhe e paqes që po krijonte në Shqipëri e rajon qeverisja e Berishës. Ishin copë copë marrëdhëniet e Berishës me thuajse të gjitha vendet e rajonit, por nuk kishte as besimin e aleatëve tanë të mëdhenj, ndonëse atëherë kur e gjenin si ‘rastësisht’ nëpër koridore ia jepnin dorën. Sot si ‘non grata’ as dorën s’ia japin, as emrin s’ia përmendin më. E quajnë ‘e shkuara’.
Mbi të gjitha, Aleanca anëtarësimin tonë e bëri për bujari por dhe për të respektuar shqiptarët, që mbi 97 përqind ishin pro SHBA dhe BE. Ishte një ‘bast’ i vënë nga SHBA dhe vendet anëtare të Aleancës, ndoshta duke parë dhe kushtet në të cilat ndodhej Shqipëria, nën qeverisjen e Berishës. Dhe mund të themi se ishte një ‘bast’ i fituar që në atë periudhë. Pasi ekzistonte rreziku se nëse lihej më shumë Shqipëria jashtë strukturave të NATO-s, edhe për 4 vitet nën qeverisjen e Berishës, nën shembullin e shpërthimit të ‘Gërdecit’, për hir të pasurimit të familjarëve e ortakëve të tij, ai mund të hidhte në erë jo vetëm Tiranën por tërë vendin e mbushur me municione që prisnin të ‘demontoheshin’, në punishtet e vdekjes. Kërkesa kishte.
Kishte dhënë prova Berisha në shkatërrimin e ushtrisë nga themelet. E kishte bërë në mars të vitit 1997, kur udhëroi ushtrinë për të bombarduar dhe sulmuar Jugun e vendit, teksa urdhëroi hapjen e depove të armëve që sollën shkatërrimin e ushtrisë dhe armatosjen e popullsisë si dhe rënien e shtetit për tre ditë.
E kishte bërë Berisha dhe në Gërdec në vitin 2007-2008 kur urdhëroi ushtrinë për të miratuar ngritjen e punishtes së demontimit të municioneve, anipse kishte disa pika të miratuara në vend si reparte ushtarake, të miratuara dhe nga partnerët, urdhëroi ushtrinë për ta furnizuar me sa më shumë municione “Gërdecin”, thjeshtë dhe vetëm për të pasuruar njerëzit e tij.
Ndaj themi se duhet t’ua dimë për nder aleatëve tanë të mëdhenj vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pavarësisht tragjedisë së “Gërdecit” një vit më parë. Megjithëse fakt është se asnjëherë aleatët nuk i besuan Berishës, pasi rrjedhja e informacioneve drejt vendeve jo mike dhe armike deri në 2013 kur u largua nga pushteti, ishte prezente. Për këtë arsye përfaqësuesit shqiptarë s’merrnin pjesë në takimet e liderëve të Aleancës kur diskutoheshin probleme të rëndësishme, me rëndësi jetike për sigurinë në Evropë dhe botë.
Ndaj, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 15 vite më parë ishte një ngjarje me shumë rëndësi për Shqipërinë dhe vendin e saj në rajon. Por dhe për vetë shqiptarët, pasi Shqipëria brenda Aleancës ishte nën kontroll ose hyqëm të strukturave të saj, ishte në monitorim të përhershëm e operonte sipas ligjësive dhe rregullave të NATO-s, shumë herë më mirë se jashtë kontrollit të Aleancës, ku e priste ‘shërbimi’ ndaj familjes së Berishës siç ishte deri në prill 2009, nën rrezikun e vazhdueshëm për të hedhur në erë vendin dhe për të ndikuar në sigurinë e rajonit.
Ndërsa rifitimi i besimit, kontributi real në Aleancë i Shqipërisë në këto 10 vite qeverisjeje të mazhorancës aktuale është vlerësuar shumë nga ana e aleatëve të NATO-s. Rifitimi i besimit do shumë mund, përpjekje dhe dhënie provash se je një aleat serioz dhe i besueshëm, ku mund të mbështetet Aleanca për bashkëpunim në luftë kundër së keqes. Shqipëria e realizoi me sukses.
Eshtë një besim, siguri dhe lidership i siguruar me shumë punë dhe përpjekje, derisa u mbërrit në ditën e 4 marsit me përurimin e bazës ajrore në Kuçovë, bazës së vetme ajrore në Ballkan, ku do të inslatohen teknologjitë më të përparuara të kohës dhe nga ku do të mbikqyret paqja dhe siguria në rajon e më gjërë.
Dhe kjo nuk është çështje dhënie një ‘dore’ Shqipërisë sepse kështu do SHBA dhe vendet aleate, por është një çështje besimi e partneriteti, pasi këtu luhet jo vetëm fati i jetës së ushtarëve të NATO-s që operojnë në kufirin lindor të Aleancës por dhe fati i tërë rajonit e vendeve në kufi me Rusinë, që pas sulmit ndaj Ukrainës po kërcënon këto vende e bashkë me ta dhe vendet e BE.
Ndaj themi se janë dy akte të ndryshme anëtarësimi në Aleancë vetëm një vit pas shpërthimit të biznesit familjar të Berishës në Gërdec krahasuar me ngritjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë më 4 mars të këtij viti. Por dy akte të madhore. Megjithatë Berisha ka ‘leximin’ e vet, ndërsa ne as që mundohemi ta shkëpusim nga realiteti i tij paralel ky është futur. I përforcuar ky realitet krejt tjetër dhe për shkak të izolimit të tij nën arrest shtëpiak. Është pa dëm Berisha, s’ka fuqi për të bërë asnjë dëm ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përpos opozitës dhe popullit opozitar. Sa kohë që ata e ndjekin./ JavaNews