Sali Berisha

Opinion

Jakin Marena: ‘Shkrehja’ e PD, pse demokratët ndjehen në turp që kanë Berishën kryetar

27 Janar, 18:34| Përditesimi: 27 Janar, 18:40

  • Share

Demokratët ndjehen në turp se përse kanë Sali Berishën kryetar të Partisë Demokratike. Flasim për demokratët e ndershëm, ata me ‘cipë’ dhe që përbëjnë me të vërtetë shumicën e atyre që e mbështesin pastërtisht partinë më të madhe opozitare.

Teksa i sheh se si u fshihen kamerave dhe objektivëve të aparateve fotografike, ndjen me të vërtetë dhimbje se si janë katandisur demokratët, të cilët për hir të së vërtetës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimet demokratike të vendit. Ata të vërtetit themi.

Fshehja e fytyrës dhe largimi me nxitim nga ‘rrezja’ e objektivit të kamerave dhe aparateve fotografike, është ‘fotografia’ më e mirë e situatës brenda PD dhe opozitës shqiptare vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Eshtë një situatë e rëndë me të vërtetë.

Për të qënë të qartë, këta demokratë të cilët mundohen të fshehin fytyrën kur marrin pjesë në takimet e lidershipit të PD-së me strukturat drejtuese ose jo të kësaj partie të drejtuar nga Sali Berisha, nuk janë fajtorë të drejtëpërdrejtë për situatën në të cilën ndodhet kjo parti. As se pse Sali Berisha është kryetar i përjetshëm i partisë së parë opozitare, të cilën e mban me ‘tapi’.

E themi këtë sepse një pjesë e tyre as që janë pyetur për vendimmarrjen në këtë parti, pjesa tjetër është kërcënuar për të pranuar me ‘detyrim përcaktim’ Berishën kryetar, ndërsa të gjithë bashkë janë gjendur nën trysinë e lumpenit që ka uzurpuar lidershipin e PD, të cilit me sa duket u ka ‘montuar’ Berisha trurin e tij, dhe lëvizin sipas ‘impulseve’ të receptorëve të lëndës së ‘hirtë’ të po Sali Berishës.

Ndaj këta demokratë që fshehin fytyrën në takimet e PD janë fajtorë indirektë për mbajtjen pas 34 vitesh të Sali Berishës në krye të PD. Dhe këta demokratë nuk janë aspak frikacakë për hir të së vërtetës, por mbulimi i fytyrës me duar para kamerave dhe aparateve fotografike gjatë takimeve të PD, tregon se ka mbetur pak ‘cipë’ në radhët e demokratëve të cilët dine të ‘skuqen’ dhe ashtu në heshtjen e tyre e ndjejnë veten të fyer sepse kanë kryetar të PD Sali Berishën, një 80 vjeçar që nuk ka lënë post pa provuar në këtë vend por dhe që ia ka punuar ‘qindin’ këtij vendi, duke e vrarë, vjedhur dhe sakatuar për 34 vite me radhë.

Pamjet e takimeve në Toronto dhe përgjithësi në diasporë të drejtuesve demokratë, fshehja e fytyrës për të mos dalë në video apo foto, përcjellja me ‘konsensus’ e videove që paraqesin vetëm panelin e takimit të lidershipit të PD me këta demokratë të diasporës, por dhe në takimet e zhvilluara nëpër qytetet shqiptare ku pjesëmarrësit e paktë refuzojnë të tregojnë fytyrën, është një tregues i qartë se në çfarë derenxheja e ka katandisur Berisha PD-në në prag të zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti.

E ka katandisur në atë farë feje sa demokratëve u vjen turp pse janë me PD, sepse në krye të kësaj partie është Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, i shpallur non grata nga Britania e Madhe dhe për këto, por duke shtuar dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar, si ‘qershia mbi tortë’.

Dhe mbi të gjitha Berisha është nën hetim nga SPAK për aferën korruptive të privatizimit të ish kompleksit “Partizani” në favor të dhëndërit të tij Jamarbër Malltezi, nën hetim pasuror, dhe po i kopsitet dosja për ’21 janarin’, “Gërdecin” dhe aferën e energjisë CEZ-DIA. Janë me të vërtetë dosje të rënda këto për kreun e PD, nga të cilat e ka shumë zor që të shpëtojë.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e demokratëve dhe e mbështetësve të PD, nga turpi që kanë për shkak të Berishës kryetar partie, janë distanciar me kohë dhe vakt nga këto takime, nga protestat dhe nga aktivitetet e tjera që organizon lidershipi i PD, brenda dhe jashtë vendit.  Ky është dhe shpjegimi i ‘vobektësisë’ së pjesëmarrjes në aktivitetet opozitare të PD, që nga koha kur është rikthyer kryetar i partisë Sali Berisha, ky ‘non grata’ funksional, ky ëhstë dhe mesazhi që japin demokratët dhe mbështetësit dhe në sondazhet serioze të organizuara deri më tani. Madje dhe sondazhet amerikane apo dhe raportet e brendshme në Parlamentin Evropian dhe BE.

Ka arritur puna deri atje sa të kujtohen me ‘mall’ protestat dhe revoltat e PD kur drejtohej nga Lulzim Basha, të cilin me sa duket padrejtësisht e ‘zbuan’ nga drejtimi i PD nën akuzën se nuk sillte frymë fituese në PD dhe se kishte shënuar humbje të njëpasnjëshme në përballje me PS dhe Edi Ramën. Pavarësisht dublimit që Berisha i bëri kryetarllëkut të Lul Bashës duke qënë pjesë kryesore e përgjegjësisë së humbjeve të njëpasnjëshme, demokratët ithtarë e risollën dhunshëm Berishën në krye të PD. Megjithëse nuk kaloi shumë kohë dhe demokratët tashmë kanë nisur të kujtojnë po me nostalgji rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, ku po t’i pyesësh një nga një këta të zhgënjyer, ta pranojnë se as në ëndërr nuk e shohin më këtë rezultat për PD.  

Vetëm katër muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti, në radhët e demokratëve jo vetëm që nuk ka frymë fituese për t’u përballur me socialistët dhe Edi Ramën, por dhe ata që për hir të faktit thuhet se janë ‘palca’ e PD, kanë nisur të largohen nga kjo parti e drejtuar nga Berisha, duke fshehur me turp fytyrën për të mos i parë në takimet e lidershipit të Berishës, duke marrë arratinë jashtë vendit apo duke u marrë me punët e tyre.

Ka një ‘shkrehje’ totale në në PD, ndaj paralajmërohet një bojkot masiv në zgjedhjet e 11 majit, çka mund ta gremisin këtë parti dhe opozitën në tërësi në një rezulktat të paparë negativ në 34 vitet e jetës së saj. Dhe strumbullari është vetë ai, Sali Berisha, e cila e ka kthyer partinë që drejton në një ‘strehë’ ku tentohet të ‘strehohen’ në gjitha hallet e tij dhe të familjes së tij, me drejtësinë, me ndërkombëtarët dhe me qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë që sipas gjasave shumë nga këta demokratë që turpërohen nga fakti se kanë Berishën kryetar të PD, por dhe që kanë bindjen se me të në krye të partisë nuk ka asnjë shans për të ardhur opozita në pushtet, kanë nisur të lëvizin drejt partive të tjera me vokacion të djathtë politik, duke rritur shanset për hyrjen e këtyre partive në Parlament, dhe zbritjen akoma më poshtë të PD sa i përket mbështetjes elektyorale.

Nga ana tjetër, kanë nisur dhe të afrohen tek euroatlantikët e Bashës, pavarësisht se po qëndrojnë si të thuash në ‘ilegalitet’ për shkak të frikës së lincimit e të kërcënimeve që vetëm mbështetësit e Berishës dinë ta bëjnë, pasi kanë dhënë prova. Në këto raste ata nuk bëjnë shaka. Berisha e ka me provë se i kërcënon kundërshtarët politik brenda PD. Me kërcënime bëri që PD kur ishte nën drejtimin e Bashës të mos nxirrte kandidatë për kryetarë bashkie më 14 majt. Madje këto ditë kanë arritur që Bashën ta shpallin dhe të vdekur në një aksident automobilistik në rrjetet sociale të komanduara prej ithtarëve të Berishës, çka tregon se me gjithë ironinë që përdorin kundër tij, thellë thellë ia kanë frikën Bashës. 

Ndaj pritet që demokratët kanë vendosur t’ia bëjnë ‘bam’ me votën kundër Berishës ditën e zgjedhjeve, ndaj demokratët e zhgënjyer nga Berisha dhe që ndjehen të turpëruar që e kanë kryetar të PD, kanë vendosur t’ia tregojnë vendin me votë apo me bojkot. Për të parë nëse e respekton vërtetë Statutin e PD ku kryetari jep dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje, siç do  të humbasë më 11 maj, apo përbetimet për respekt të “Statutit, Kushtetutës së PD” i ka thjeshtë dhe vetëm për të goditur kundërshtarët brenda partisë. Si me “primaret’ tani!

Dhe në fund të herës për të dhënë dhe një mendim përfundimtar se përse ndjehen të turpëruar demokratët se kanë Berishën kryetar, ka menduar lidershipi i PD. Pasi vetë korridoreve të selisë së PD, teksa shihen qëndrimet kontradiktore të Berishës, duke filluar që nga ‘primarët’ dhe për të deleguarit e PD në krye të qarqeve apo përjashtimin e kryetarëve të degëve të PD me një urdhër gjysmë të zbardhur për të mos garuar në ‘primare’ për listën e kandidatëve për deputetë pa dhënë dorëheqjen nga drejtimi i degëve, kanë filluar zërat kundër.

Madje Berisha ka nisur të quhet jo pa shkak brenda radhëve të demokratëve si ‘plaku i rrjedhur që po merr më qafë PD”, duke shprehur turpin që ndjejnë teksa janë nën mëshirën dhe humorin e lodhshëm e të luhatshëm të një 80 vjeçari, i cili për shkak të hallit të tij personal ka vetëm një qëllim: si ta përdorë PD si mburojë për problemet që ka me drejtësinë dhe me ndërkombëtarët. 

‘Na e futi kokën mes këmbëve, ia ka hequr të githa shanset PD-së për të ardhur në pushtet apo për një rezultat të lartë. Po shkon poshtë e më poshtë”, thuhet nën zë në PD, nga frika se ‘radarët’ e ithtarëve të Berishës në këtë seli i kapin këto fjalë dhe ia dërgojnë menjëherë ‘fishek’ të gjitha kreut demokrat. Pjesa tjetër dihet pastaj. Dhe nuk lënë pa përmendur dhe faktin se në tërë këto vite, demokratët nuk patën aftësinë të gjenin një lider me tamam, që të mos riktheheshin sërish në pikën e ‘nisjes’, tek Berisha, tashmë i plakur për shkak të moshës dhe i rrënuar politikisht për shkak të ‘non gratës’ dhe hetimeve të SPAK. Këta s’ia falin vetes demokratët e ndershëm që tashmë kanë marrë udhët, sa më larg Berishës të munden.

Përfundimisht, ajo që mund të themi është se në PD zotëron frika, turpi dhe ‘shkrehja’ totale për shkak të Berishës kryetar të PD. Për rezultat pozitiv të zgjedhjeve as që mendohet në këtë situatë, vetëm për mbijetesë politike, për ndonjë mandat deputeti që të kalojnë dhe këto katër vite në opozitë. Pjesa tjetër, secili për vete, Zoti për të gjithë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?