Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

Opinion

Jakin Marena: SPAK dhe GJKKO i liruan nga arresti, paçi fatin e Berishëve

7 Korrik, 18:56| Përditesimi: 7 Korrik, 19:00

  • Share

Në fillim ishte Sali Berisha ai që i dha fund ‘këngës’ së përditshme në majë të ballkonit të katit të tetë të pallatit të tij në qendër të Tiranës, duke fituar lirinë nga një vendim i gjykatës, e cila e liroi nga arresti shtëpiak! Kreu i PD, pas 11 muajsh izolimi brenda brenda pallatit të tij 10-katësh në rrugën “Mustafa Matohiti”, fitoi lirinë. Gjykata e Posaçme vendosi ta lirojë liderin e PD, duke shfuqizuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e dhënë ndaj tij më 30 dhjetor 2023.

Vendimi që i dha të drejtë pretendimeve të Berishës për revokim të masës, u shpall nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Seanca nuk ishte njoftuar me herët nga gjykata, madje edhe në shënimin me dorë të bërë në listën ditore të seancave gjyqësore, nuk ishte emri i kërkuesit Sali Berisha, por i Prokurorisë së Posaçme. Një ‘konspiracion’ i cili i ‘shpëtoi’ dhe gazetarëve më të vëmendshëm të kronikës, të cilët të mësuar t’i marrin ‘direktivat’ të gatshme dhe të vijëzuara me ngjyrë të verdhë, këtë radhë nuk patën ndonjë ‘rrjedhje informacioni’.

Si gjithnjë për Berishën, nuk del as ‘miza’ nga SPAK. Gjyqtarja Davidhi dha verdiktin, duke e liruar Berishën. Teksa vlerësoi se nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për zbatimin e kësaj mase sigurie. Për më tepër që situata ishte dhe dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe sipas gjyqtares, ‘tata’ i rikthyer i politikës do të udhëhiqte fushatën e PD, në vend që të përgjigjej për akuzat e rënda apo të shkruante kujtimet.

Por me sa duket ‘dhuratat’ nga drejtësia e re për familjarët e Berishës nuk paskan të sosur. E themi këtë, pasi këtë të hënë është liruar nga arresti shtëpiak dhe dhëndri i vetëm i familjes, Jamarbër Malltezi! Kundrejt një garancie pasurore kjo. Pasi gjykata ka pranuar kërkesën për revokim të masës së sigurisë të Malltezit, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh. Gjithë ai korrupsion me përfitime madhore dhe për më tepër me involvimin e tërë strukturave të shtetit në këtë aferë, si ajo e “Partizanit”, kishte një ‘çmim’ ordiner, vlente as më pak dhe as më shumë por vetëm 3 mijë euro. Para xhepi. Kush nuk i paguan kaq lekë për të gëzuar 5.4 milionë euro!

Ndërkohë që është rrëzuar dhe kërkesa e gjyqtares Elsa Ulliri, kryesuese e treshes që do të gjykojë dosjen ‘Partizani’, e cila kërkoi tërheqjen me argumentin se ishte kushërirë e deputetes demokrate Andia Ulliri. Dhe ky një ‘bonus’ për familjen Berisha, e cila është e tëra e akuzuar për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani’, ku nga një bythë vend, prej 83 metrash katrorë, e marrë dhe kjo sipas akuzës me padrejtësi nga ana e dhëndërit Malltezi, sepse thuhet se ishte kompensuar një herë në kohë të Italisë, dhe ku përmes vendimeve të vjehrrit Berisha, u përfituan territore të tëra në mes të kryeqytetit, duke ndërtuar kulla dhe përfituar të paktën 5.4 milionë euro po nga dhëndëri i Berishës. Kjo është akuza zyrtare, që të mos na ‘tronditet’ Abi!

Dhe sipas SPAK, Berisha akuzohet për korrupsion pasiv e po hetohet në liri, po ashtu dhe dhëndëri akuzohet për korruptim të vjehrrit dhe për pastrim parash, dhe nga e hëna e kësaj jave, është dhe ai i lirë si një ‘elektron’ për t’u hetuar dhe me shumë gjasa dhe për të përfituar bashkë me vjehrrin nga gjyqtarët dhe prokurorët e ‘shoqnisë’ së Argitës. Nuk përbën asgjë çudi tani!

Praktikisht pas këtyre vendimeve të gjykatës së Posaçme, cinike në kuptimin më të mirë të fjalës, por dhe të atakueshme moralisht, pasi nuk po hyjmë në detaje të analizës për punën e drejtësisë së re, atë nuk e diskutojmë, ajo që ia vlen të theksohet është se tani e tutje do të ketë një shkallë më të ulët besimi të qytetarëve shqiptarë te prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm në lidhje me goditjen e korrupsionit madhor! Pasi me keqardhje konstatojmë se SPAK të cilin e ka ‘dërguar baba me la gojën sa për ta çuar dosjen deri në gjykatë’ dhe për të mos ia ndjerë më për të, si dhe Gjykata e Posaçme, mbetën pikërisht në ‘testin’ e vërtetë të bërjes drejtësi në këtë vend. Pra u ‘thyen’ përballë Berishës e familjes së tij, në mos kanë qënë të ‘këputur’ që në fillim të herës, pavarësisht se bënin si ‘tigra’, me këta të ‘urtët’ zyrtarë të PS!

Aq më tepër që po veprohet me dy standarde, pasi Berisha dhe familja e tij, pas një presioni të jashtëzakonshëm ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë marrë me hetimin apo me gjykimin e rekursve të tyre, duke i prekur deri në familje me emër dhe mbiemër madje dhe kërcënuar të gjithë ata përfaqësues të drejtësisë që kanë lidhje me çështjet në ngarkim të tyre, kanë arritur të marrin rezultate të vërteta në favor të tyre. Në rastin konkret, janë liruar nga arresti shtëpiak dhe po mbrohen në liri, si Berisha ashtu dhe Malltezi! Pasi me këto akuza, në një vend normal me drejtësi normale, më e pakta do të ishin bashkë në të njejtën qeli, që t’i bënin hyzmet njëri tjetrit!

Ndërkohë që të gjithë zyrtarët e tjerë që janë arrestuar me akuza më të lehta se kjo e Berishës dhe dhëndrit të tij, vijojnë të qëndrojnë në qeli! Për më tepër që në ndryshim nga Berisha, të cilit nuk i janë marrë në referencë kërcënimet ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, sharje e kërcënime me libër shtëpie me një fjalë, ndaj zyrtarëve të tjerë të shtetit, kryesisht nga ata  të mazhorancës, dhe për ndonjë fjalë tepër që kanë hedhur, jo fyerje të kuptohemi, u janë përgjuar, shënuar dhe përfshirë nën akuza të reja, dhe muhabetet mes burrit dhe gruas! Madje dhe janë linçuar publikisht! Pra po përdoren dy standarde në fakt dhe kjo duket me sy të lirë fare!

Duke parë apatinë e drejtësisë së re, ku s’kemi më shpresë nëse prokurorët e SPAK do të bëjnë rekurs në Apel lirimin e dhëndrit të Berishës, ia vlen të theksojmë se nuk do të jetë e largët dita që Berisha dhe të tijtë do të lirohen nga të gjitha akuzat për “Partizanin', ndërkohë që nuk do të guxojë më askush që të çojë deri në fund çështje të tilla sensitive për të cilën u ngrit SPAK dhe GJKKO, si shpërthimi i korrupsionit të përgjakshëm të ‘Gërdecit’, me 26 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur, ’21 janarin’ me katër dmenostrues të opozitës të vrarë nga Garda e Republikës në mes të trotuarit përballë kryeministrisë, aferën mbi 500 milionë euro të CEZ-DIA dhe krime e afera të tjera korruptive në ngarkim të familjes së Berishës.

Me sa duket ka ardhur koha që kush bie në burg apo merret nën hetim për një akuzë korrupsioni apo më tej, mjafton të deklarohet si i afërm me Berishën, dhe e ka të kryer daljen nga burgu, lehtësimin nga akuzat e deri tek lirimi prej tyre. Me lekë, miqësi apo me çfarëdo qoftë. Presioni i Berishës po bën punë, po kryen punë te drejtësia e re. Njëherësh po e zhyt akoma më tej këtë drejtësi, e cila e ka të vështirë të merret në mënyrë lineare me familjen Berisha, të shpallur ‘non grata’ familjarisht në SHBA e Britaninë e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me elementët kriminalë.

Praktikisht drejtësia e re është nën ndikimin e humorit të keq të Berishës, dhe ndjehet e detyruar që ta marrë me të mirë atë, që të mos vihet nën presionin e sulmeve dhe të kërcënimeve, ta ‘llastojë’ deri në atë farë mase, sa të shkelë e parimin bazë mbi të cilin është ngritur kjo drejtësi: dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe trajtimi i të gjithë qytetarëve si të barabartë përballë ligjit. Deri më tani kjo drejtësia e barabartë nuk ka ndodhur, pasi dhe dikush që ka ngritur një çati pa leje diku në ndonjë cep qyteti apo katundi, është plasur në burg dhe është hetuar, gjykuar e ka marrë vendimin brenda qelisë.

Ndërkohë që askush nuk duhet të pretendojë nga kjo e hënë se SPAK do t’i bjerë pas dhe do të hetojë se nga kanë dalë të ardhurat për blerjen  e banesave nga vajza e Berishës në kryeqytetet më të mëdha të Evropës. E ka pranuar vetë se i ka blerë, me pagesa përmes sistemit bankar!  Me gjithë këto ‘llastime’ nga SPAK e GJKKO, ajo që na vjen në majë të gjuhës të themi është: ‘paç fatin e Berishës dhe familjarëv e të tij”!

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • sat: 07/07/2025 20:37

    Shume i sakte zoteri. Sot e hene 7 Korrik 2025 vdiq drejtesia qe kishte lindur gjysem e vdekur. Gjykatesja Ulliri qe e pranoi dhe vete qe ka konflikt interesi e nxorri dhendrin nga arresti pasi mori aprovimin e shefit te saj Erjon Bani. Ne hale shkofshin socialistet dhe genjeshtrat e tyre per reforme ne drejtesi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?