Në PD ka një keqkuptim shumë të madh me veten e kjo nuk ndodh për herë të parë! Në kushtet e pafuqisë totale për të bërë politikë në vend, për të thithur elektorat e për të ardhur në pushtet, lidershipi demokrat sheh çdo lëvizje në rajon apo në arenën ndërkombëtare, si një lëvizje që në një formë apo tjetër ka në qendër hallin e Berishës, familjes së tij dhe të ithtarëve të tij në PD.
Me atë universin e tyre paralel, demokratët që kanë mbetur në PD dhe për shkak se mendojnë me trurin e Berishës, ka 35 vite që u është bërë ‘lavazh’ truri e më këtë shpjegohet dhe mbështetja që ia dhanë për ta bërë kryetar një të rikthyeri pas 10 vitesh nga ‘varri politik’ siç është Berisha, dhe ngjarjet më të fundit që ndodhën njëra pas tjetrës, njëherë me takimin mes ‘carit’ rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë në funksion të paqes mes Rusisë e Ukrainës, apo disa ditë më vonë në takimin e realizuar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin ukrainas Zelensky dhe liderët e BE e të Britanisë, i shohin sikur nuk kanë lidhje me dhënien fund të luftës në Ukrainë, por sikur kanë diskutuar vetëm për hallin e Berishës me ‘non gratën’ e tij në SHBA dhe me përballjet që ai ka me drejtësinë! Dhe nuk ka pak dosje në ngarkim të tij!
Është një realitet paralel dhe tërësisht i përmbysur ky i parë nga Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët në vend që të gëzojnë për ato pak hapa të vegjël para që ka bërë çështja e dhënies fund të luftës mes Rusisë e Ukrainës, merren me detaje të vogla se si u soll Trump me Putinin, mënyrën si e priti, si doli para mediave, çfarë thanë dy liderët respektivë të dy fuqive të mëdha botërore, e mbi të gjitha komunikimin 10-15 minutësh të tyre në ‘vetmi’ në makinën në të cilën lëvizën të dy nga aeroporti drejt vendit ku do të zhvillohej takimi! Apo ‘loja’ me foto-montazhet se si e prisnin liderët evropianë e të BE si ‘nxënës’ të bindur Trumpin në korridoret e Shtëpisë së Bardhë!
Nuk po hyjmë në detaje të këtij takimi, as me situatën e mëvonshme se si do të precipitojnë ngjarjet në lidhje me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, rolit që mund të luajnë SHBA e fuqitë evropiane në arritjen e paqes, nuk mund të parashikojmë as paparashikueshmërinë e situatës për shkak se vetë Trump është një politikan i paparashikueshëm, ndërkohë që Putin është lehtësisht i lexueshëm në kërkesat e tij për të marrë në dorë dhe bashkuar me Rusinë tërë jugun e pasur të Ukrainës, pra dhe atë pjesë që nuk i ka pushtuar ende. Ose përndryshe nuk ka paqe për të!
Ajo që ne dimë, është se si po e lexon lidershipi i PD i drejtuar nga Sali Berisha këtë ‘zbutjen’ e presidentit amerikan Trump me homologun e tij rus Putin. Që për hir të së vërtetës, ndonëse pak e ekzagjeruar nga Trump, presidenti amerikan ka qenë i detyruar që, për t’i dhënë fund luftës tre vjeçare që ka marrë deri më tani mbi 1 milion jetë njerëzish, të ‘cedojë’ pak në raport me pritjen që i bëri ‘carit rus’ në Alaskë, si dhe përdorimin e disa kërkesave të Putin, që kanë të bëjnë me pamundësinë e rikthimit të Krimesë, Ukrainës, apo dhe pamundësinë e anëtarësimit në NATO po të Ukrainës. Dikush i sheh si përpjekje për lehtësimin e dialogut, dikush si ‘dashuri’ të Trump për të ‘fortin’ Putin, dikush tjetër si një përpjekje për të tejkaluar situatën! Punë e tyre!
Dhe ajo që po shohim jo pa dhimbje është fakti se Berisha dhe PD janë më shumë se të ekzaltuar me atë çfarë ka ndodhur dhe po ndodh, duke e ‘impostuar’ realitetin përmes realitetit të tyre paralel, sikur Trump e Putin më shumë se sa për Ukrainën, po flasin për Shqipërinë, hallin e Berishës që e ka lënë PD plot 16 vite në opozitë, si dhe hallet e tjera të Berishës e familjes së tij! Si dhe ‘hallin’ që kanë me Ramën, i cili nuk po i lë që nuk po i lë që të fitojnë asnjëherë!
Duket sikur në PD, më shumë se sa për arritjen e paqes mes Rusisë e Ukrainës dhe dhënies fund të përplasjes ushtarake që po merr jetë njerëzish dhe po zhyt ekonominë botërore në krizë, po gëzojnë për ‘zbutjen’ e Trump me Putin. E quajnë kthesë historike ndryshimin e qëndrimit të presidentit amerikan, është në të vërtetë pavarësisht se i ka brenda të dyja rezultatet-progresin dhe dështimin, por lidershipi demokrat dhe vetë Berisha tentojnë t’i japin ngjyrime të tjera kësaj ‘zbutjeje’ për interesa strategjike, duke e ‘përafruar’ me hallin që ai ka me ‘non gratën’ në SHBA, përballjen me drejtësinë dhe akuza të tjera që janë bërë në drejtim të Berishës dhe PD dhe nga CIA amerikane, për sponsorizimin e PD nga Kremlini me gjysmë milioni dollarë për të krijuar destabilitet në Shqipëri.
Berisha dhe të tijtë gati sa nuk e quajnë ‘amnisti’ për kreun e Kremlinit këtë ‘zbutjen’ e Trump me Putinin, pavarësisht kondicionit politik dhe gjeopolitik për të cilin po ndodh. Gati sa nuk e quajnë Putinin ‘viktimë’ të Sorosit dhe sorosianëve në krye të SHBA, me në krye ish presidentin Joe Biden, të cilët e sollën situatën në këtë derenxhe në të cilën ndodhet bota sot, me luftën Rusi-Ukrainë dhe luftra të tjera nëpër këmbë.
Në pamje të parë duket sikur dhe në PD, janë në të njëjtën linjë me Trump i cili thotë se të kisha qenë unë presidenti i SHBA, nuk do të kishte ndodhur lufta Rusi-Ukrainë, tezë që Trump dëshironte ta dëgjonte nga Putin, të cilën arriti ta dëgjonte. Ndërkohë që këta mbështetësit e Trump në Tiranë, duke filluar nga Berisha dhe përfunduar tek Këlliçi bëjnë sikur përçojnë idetë e Trumpit dhe në këtë cep të globit, për hir të së vërtetës realiteti është krejt ndryshe. Jo vetëm Trump por as ata që janë rreth tij, nuk e dinë nëse ekzistojnë këta robtë këtu në Tiranë apo jo. Pavarësisht se Berisha ka paguar mbi 20 milionë dollarë thjeshtë e vetëm për të futur emrin e tij në ‘radarin’ e njerëzve të Trump, me shpresën për t’i hequr ‘non gratën’.
Teksa gjasat janë zero për të hequr ‘non gratën’ e Berishës në SHBA, kishin disa herë shanse DASH dhe administrata e re amerikane e drejtuar nga Trump për ta bërë këtë punë, Berisha dhe të tijtë po përpiqen që ‘zbutjen’ e Trumpit me Putinin, ta paraqesin me lezet para ithtarëve të tyre por dhe para publikut shqiptar, si një ‘amnisti’ për liderin rus në raport me luftën dhe krimet që ka kryer në Ukrainë si dhe problemet që ka shkaktuar, teksa është cilësuar kriminel luftë jo vetëm nga tërë bota demokratike, por dhe nga paraardhësi i vetë Trump, ish presidenti Biden!
Dhe nuk e bëjnë këtë përpjekje thjeshtë e vetëm sepse janë të ‘dashuruar’ me rregull treshi me Putinin, ndoshta dhe kanë qënë gjatë gjithë kohës dhe vazhdojnë të jenë të tillë, por tentativën për ta quajtur Putinin të ‘aminstuar’ nga Trump e bëjnë në përpjekje për të ‘amnistuar’ dhe vetë Berishën e PD, të cilët morën gjysmë milioni dollarë nga Kremlini, pjesa e dukshme kjo, për të destabilizuar Shqipërinë dhe më gjerë tërë rajonin e Ballkanit.
Pra, tentojnë të ‘zerojnë’ të gjitha akuzat që janë bërë deri më tani ndaj Berishës se Kremlini ka sponsorizuar Berishën dhe PD në Shqipëri! Duke tentuar të ‘mbjellin’ qëndrimin se Putini nuk është ‘aq i zi sa thonë’, ‘ai u prit me nderime nga Trump’, e për pasojë janë pa rëndësi ato paratë e dhëna nga qeveria e Putin për PD-në e Berishës që të destabilizonte Shqipërinë!
E vërteta është krejt ndryshe. Takimi në Alaska erdhi për të shuar një luftë, për të evituar një destabilitet dhe kursyer jetë njerëzish në Ukrainë dhe më gjerë. Ndërsa paratë ruse Putini i dha për PD për të ngritur një vatër krize në Ballkan, për të destabilizuar Shqipërinë dhe rajonin, me shpresën e tërheqjes së vëmendjes nga krimet që po bëhen në Ukrainë! Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, pavarësisht se realiteti paralel i Berishës dhe i të tijve tenton pa sukses t’i puthisë!
Komente
