Tre muaj pas largimit për ti lënë vendin italianit Di Biagio, Dritan Mehmeti është rikthyer si trajner i Dinamos. Në ditën e dytë të stërvitjes 43-vjeçari është prezantuar para medias, duke deklaruar edhe arsyen përse vendosi të rikthehet brenda një kohe kaq të shkurtër.
“Unë jam pjesë e shtëpisë, sepse një pjesë të mirë të karrierës time e kam kaluar këtu. E ndiej si detyr dhe këtu te Dinamo i kam patur fillimet e mia si trajner,”-u shpreh Dritan Mehmeti, trajner i Dinamos.
Dinamo pas mbylljes së fazës së parë renditet e fundit me vetëm 7 pikë. Mehmeti pretendon se e di ku ka çaluar skuadra.
“Kur ka shumë ndryshime dhe skuadra formatohet në momentet e fundit, hyn në superligë me shumë ndryshime, stafi i ri, idetë e kundërta, por edhe lojtarët e huaj duhet shumë kohë që të arrish në një akuilibër psiko-motor, që ti marrësh maksimumin skuadrës,”-tha Dritan Mehmeti, trajner i Dinamos.
Mehmeti e mbylli duke thënë se tani është koha për punë, për të nderuar tifozët dhe presidentin, ndërsa pjesë e stafit të tij si zëvendës trajner do jetë Fatjon Tafaj. Sakaq ‘nëndetësja’ ka rikthyer si përgatitës të portierëve Ilir Boxhiqin, trajnerin i cili është edhe pjesë e kombëtares.