Inter është finalistja e parë e Champions League për sezonin 2022-2023. Ziklatërit kanë fituar edhe euroderbin e dytë 1-0 kundër Milanit edhe pse kuqezinjtë kishin premtuar ta përmbysnin me Leao-n humbjen 2-0 në gjysmëfinalen e parë.
90 minutëshi i kthimit u vulos në pjesën e dytë nga Lautaro Martinez, i cili I siguroi Interit finalen e Champions League pas 13 vitesh, ndërsa në aspektin personal mund të fitojë edhe këtë kompeticion pas Botërorit në dhjetor. Për Interin kjo ishte edhe një hakmarrje pasi 20 vite më parë ishte Milani skuadra e kualifikuar nga gjysmëfinalet e Champions League.
Pas përfundimit të sfidës pati zhgënjim të madh te Milan, ndërsa festë te Interi. Tifozët nuk u mjaftuan me brohorimat në stadium, por u grumbulluan edhe në sheshin e ‘Pizza Duamo’, duke ngjyrosur zikaltër qytetin. Sakaq edhe pse nuk luajti Kristjan Asllani u bë futbollisti i parë shqiptar që shkon në finalen e Champions League. Trajneri Inzaghi pas kualifikimit tha se është krenar për skuadrën, ndërsa presidenti i Milanit Gery Cardinale uroi i pari Interin. Sakaq Lautaro Martinez hodhi sfidën për finalen e madhe të Stambollit duke cituar shprehjen e famshme që ‘finalet nuk luhen, por fitohen’.