Ish zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit amerikan, James Rubin i cili ishte dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë, ka përsëritur deklaratën e tij se ish-presidenti, Hashim Thaçi nuk kishte rol kyç në vendimmarrjet e UÇK-së.
Rubin këtë deklaratë e bëri në një intervistë për gazetaren e njohur, Christiane Amanpour.
Ish diplomati amerikan tha se nga pyetjet e gjyqtarëve kishte përshtypjen se ata ishin të anshëm dhe se ata veçse kishin marrë vendim kundër ish krerëve të UÇK-së duke shtuar se ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur dhe të lirojë ish liderët e UÇK-së.
"Nuk është e vërtetë që gjithë shqiptarët urrejnë serbët dhe të gjithë serbët urrejnë shqiptarët, shumica e shqiptarëve dhe serbëve do donin të jetonin në paqe me njëri-tjetrin. Ky gjyq po fajëson liderët e UÇK-së për gjërat që ata nuk i kishin nën kontroll. Nga disa nga gjykatësit, pata ndjesinë se ata tashmë e kishin vendosur se UÇK-ja ishte një organizatë që funksiononte në mënyrë të përkryer dhe se Hashim Thaçi qëndronte në krye të saj, gjë që nuk është e vërtetë. Pra, ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur, në thelb t’i shpallë ata të pafajshëm. Pastaj Shtetet e Bashkuara së bashku me evropianët duhet të ulen me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe të zgjidhin këtë problem. Nuk ka asnjë arsye që Ballkani të jetë përherë kundër njëri-tjetrit dhe të ketë rrezik që lufta të shpërthejë sërish. Ky është një problem që mund të zgjidhet me udhëheqje ndërkombëtare", tha Rubin.
Ai përsëriti deklaratën e tij duke thënë se Thaçi nuk kishte rol kyç në UÇK.
"Gjyqi shkon kundër asaj që gjithmonë kam kuptuar për parimin e tribunaleve për krime lufte. Qëllimi i tyre, përveç dhënies së një forme drejtësie viktimave të krimeve të luftës, është që të sigurohet që përgjegjësia individuale të jetë e drejtuar dhe e caktuar për individët që kryen krimet, dhe që fajësia kolektive dhe përgjegjësia kolektive të shfuqizohet, në mënyrë që këto luftëra që bazohen në konflikte etnike të mos vazhdojnë pafundësisht, ku të gjithë serbët mendojnë se të gjithë shqiptarët i urrejnë dhe kryejnë vrasje, dhe të gjithë shqiptarët mendojnë se të gjithë serbët i urrejnë dhe kryejnë vrasje. Kjo nuk është e vërtetë. Shumica e shqiptarëve dhe shumica e serbëve janë njerëz të shkëlqyer, dhe shumica e tyre preferojnë të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.Por ky gjyq po i fajëson liderët e UÇK-së për gjëra që ata nuk i kishin nën kontroll.
Unë qëndrova tre ditë të gjata me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila u shpërbë pas përfundimit të luftës. Dhe siç e dini, ne po qëndronim në një hotel së bashku në Maqedoni. Po fluturoja për në Kosovë, në mal, për të punuar në këtë marrëveshje demilitarizimi, ku pashë diçka që shumë pak njerëz e kishin parë – duke vëzhguar punën e brendshme të kësaj ushtrie ishte plotësisht e qartë se z.Thaçi, një i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë. Ai në praktikë ishte si ministri i tyre i jashtëm. Unë mund të dëshmoja për tre ditë të gjata. Por duhet të them këtu se gjykatësit, për habinë time, më bënë pyetje që dukeshin jashtëzakonisht të njëanshme. Nuk tingëllonin si pyetje që synonin të gjenin fakte".
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin në Hagë tha që Hashim Thaçi nuk ishte në gjendje që të nënshkruante, sepse delegacioni shqiptar i pranishëm në Rambuje duhet që të konsultohej me komandantët në Kosovë.
Dëshmia e James Rubin është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejtri përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright./Kosovapress.
Komente
