Janar-mars, investimet nga buxheti ulen 12.5%, 13 mln € më pak TVSH

1 Maj 2019, 08:34| Përditesimi: 1 Maj 2019, 09:27

  • Share

Në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat në arkën e shtetit rezultojnë 2.5 për qind më të larta se ato, të realizuara në të njejtën periudhë gjatë vitit 2018. Nga ana tjetër, edhe shpenzimet kanë qenë 4.2 për qind më të larta. Kjo ka bërë që buxheti të dalë me suficit, por më të vogël se në janar-mars të vitit të kaluar.

Të ardhurat

Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat buxhetore në total kanë qenë 108 miliardë lekë, ndërkohë që në të njejtën periudhë të një viti më parë kjo shifër shënoi 105.4 miliardë lekë.

Bën përshtypje një ulje e ndjeshme e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që ka sjellë në arkën e shtetit 32 miliardë lekë, por një vit më parë në fund të marsit llogariteshin 33.6 miliardë lekë të arkëtuara nga ky zë. Shifra është 4.7 për qind më e ulët në shkallë vjetore, duke u rudhur me afro 13 milionë euro. Po kështu, sinjal negative vjen nga taksat nacionale, që rezultojnë me një ulje në masën 12.9 për qind, duke kaluar nga 9.3 miliardë lekë më 2018, në 8.1 miliardë këtë vit.

Këto shifra “rregullohen” me rezultatin e arkëtimeve nga Tatimi mbi fitimin, që ka kaluar nga 9.7 miliardë lekë, në 11.7 miliardë, me një rritje të ndjeshme prej 20.6 përqindësh. Në të njejtën mënyrë, edhe tatimi mbi të ardhurat personale ka kaluar nga 8.5 miliardë lekë, në 9.4 miliardë këtë vit, duke shënuar rritje në masën 10.6 për qind. Kurse tek Akcizat rritja është në masën 3.1 për qind.

Taksat doganore dhe fondet e kompensimit të ish-pronarëve kanë mbetur gati të pandryshuara nga vjet.

Një rritje e kënaqshme është shënuar ndërkohë nga organet e pushtetit vendor. Të ardhurat e bashkive janë rritur 36.1 për qind, kryesisht si pasojë e një prurjeje më të konsiderueshme nga taksat lokale, që kanë kaluar nga 2.6 miliardë lekë në vitin 2018, në 4.1 miliardë, me një rritje në masën 57.7 për qind.

Kontributet për sigurime shoqërore janë rritur me 4.6 për qind, kurse ato për sigurimet shëndetësore kanë shkuar edhe më tej: +6.7% krahasuar me një vit më parë.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme buxhetore në janar-mars 2019 kanë qenë në vlerën e 104.4 miliardë lekëve, ose 4.2 për qind më të larta nga një vit më parë. Por investime (shpenzimet kapitale) janë kryer 12.5 për qind më pak se në të njejtën periudhë të një viti më parë, duke kaluar nga 10.4 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë. Shifra e sivjetshme është rreth 10 milionë euro më e vogël.

Ndërkohë, sa vjen e po rriten interesat që paguhen për të shlyer borxhet e marra në vite. Gjatë tremujorit të parë këto pagesa kanë arritur në 9.1 miliardë lekë, nga 8.5 miliardë një vit më parë, me një rritje në masën 11.4 për qind. Në tre muaj rezulton se shteti shqiptar ka paguar për interesa borxhesh një shumë prej më shumë se 73 milionë eurosh.

Shpenzimet e pushtetit qendror për vendorët janë rritur vetëm 1.6 për qind, ndërkohë që për disa kategori të tjera pagesash janë shënuar rritje të ndjeshme. Kështu, për kompensimin e ish-pronarëve rritja ka  qenë në masën 167 për qind, kurse kompensimet për ish-të përndjekurit politikë kanë qenë 200 për qind më të larta se në të njejtën periudhë të 2018-ës. Për të papunët është paguar një shumë e njejtë me atë të një viti më parë, ndërkohë që për familjet dhe personat në vështirësi ekonomike shteti ka kontribuar me 5 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë në tremujorin e parë të 2018-ës. Rritja është 11.4 për qind. 

Si pasojë e kësaj performance, në total, buxheti i shtetit sërish ka dalë “mbi ujë”, me një suficit prej 3.6 miliardë lekësh, por një vit më parë kjo shifër ka qenë edhe më e madhe: 5.2 miliardë lekë.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?