Ekonomia e vendit ka regjistruar ecuri pozitive përgjatë muajve të vjeshtës, pasi të ardhurat janë rritur, përpos goditjes së marrë nga kursi i këmbimit që ka ulur arkëtimet doganore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga janari deri në fund të muajit nëntor janë arkëtuar 586.38 miliardë lekë duke u rritur me +63.48 miliardë lekë ose +12.1% më shumë se vitin e kaluar.
Gjatë kësaj periudhe të ardhurat doganore arritën në 197.5 miliardë lekë, ose 3.6 miliardë lekë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin më të madh në rënien e të ardhurave doganore e ka dhënë TVSH-ja në import, e cila është në rënie me 7.4 miliardë lekë krahasuar me 11 muajit e vitit të kaluar. Ky mosrealizim i të ardhurave lidhet kryesisht me zhvlerësimin e monedhave të huaja, dhe rënien e lehtë të çmimeve të importit në krahasim me vjet. Në rënie janë edhe arkëtimet nga renta minerare me 1.2 miliardë lekë.
Ndërsa të ardhurat nga akciza janë në rritje me 4.3 miliardë lekë në raport me vitin 2022, dhe kanë kapur vlerën 53 miliardë lekë, por që nuk është realizuar plani i financave. Po ashtu janë rritur lehtë të ardhurat nga taksat doganore.
Kurse sa i takon të ardhurave tatimore janë rritur me 50.7 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar, dhe në total përgjatë 11 muajve janë arkëtuar 314.8 miliardë lekë, dhe rritja më e madhe është regjistruar tek tatimi mbi fitimin, që lidhet me përmirësimin e aktivitetit të bizneseve, ndikuar edhe nga bumi turistik si edhe tatimi mbi të ardhurat personale, për shkak rritjes së rrogave të administratës.
Kurse në kahun e shpenzimeve, nuk është arritur plani i Ministrisë së Financave, dhe në total janë harxhuar vetëm 548.6 miliardë lekë ndërsa plani me aktin normative të qeverisë ishte për 572.7 miliardë.