Tregtia në muajit e parë të këtij viti është përmirësuar lehtë nga viti i kaluar, dhe rikuperimi është më i ndjeshëm sa i takon importit. Në dy muajit e parë të vitit vendi ka blerë nga jashtë më shumë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, si edhe ushqime e pije joalkoolike.
Konkretisht në dy muajit e parë të këtij viti kemi importuar nga jashtë 23 miliardë lekë makineri e pjesë këmbimi, duke pësuar një rritje me 3.2 miliardë lekë nga viti i kaluar.
Në vend të dytë për vlerën e lartë të importeve është grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike. Sipas të dhënave të INSTAT në muajit janar-shkurt 2021, vendi ka importuar nga jashtë 15.7 miliardë lekë vetëm ushqime, edhe pse me një rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë Shqipëria në këto dy muaj u ka shitur vendeve të tjera më shumë tekstile dhe këpucë, për shkak të industrisë së fasonerisë që është e përhapur në vend, dhe lidhjes që kemi me shumë shtete për këtë industri. Konkretisht sipas INSTAT, në janar e shkurt janë eksportuar 17,6 miliardë lekë, me një rënie prej 2.3 miliardë lekësh, si pasojë e pandemisë dhe rënies së sektorit të modës në Itali, Spanjë apo Gjermani që janë partnerët tanë kryesor në manifakturë.
Më pas vijnë eksportet e materialeve të ndërtimit, energjisë elektrike si dhe ushqimet e pijet joalkoolike. Krahasuar me vitin 2020 këtë vit vendi ka eksportuar 987,8 milionë lekë ushqime më shumë, duke treguar se vijon trendi pozitiv me eksportet bujqësore.