Conference League hodhi sot shortin për raundin e parë kualifikues. Vllaznia gjeti përballë Lienfieldin e Irlandës, teksa duelet do zhvillohen në 13 dhe 20 korrik 2023. Përballja e parë luhet në transfertë, teksa pas shortit foli edhe trajneri i Vllaznisë. Migen Memelli vlerësoi kundërshtarin nga ana fizike.
“Futbolli po tregon që nuk ka skuadra të mëdha dhe të vogla, por gjithsesi ne vlerësojmë kundërshtarin, dhe të jemi sa më serioz dhe sa më kompetitiv në këtë kompeticion. Nuk ndryshon shumë futbolli sot në transferta dhe në sfidat brenda, e rëndësishme është që të bësh mirë në të dyja ndeshjet", tha pogradecari.
Paraqitje dinjitoze kërkoi Memelli, me shkodranët që kërkojnë kalimin e turit.
"Do të mundohemi me seriozitet të bëjmë sa më mirë, të jemi sa më strikt për gjërat tona. Në këto ditë jam shumë i kënaqur me punën e lojtarëve. Nuk duhet t’i trembemi faktit, por as të neglizhojmë sepse përpara kemi një skuadër që është e fortë fizikisht. Është një skuadër që do të mundohemi të bëjmë maksimumin tonë për të qenë sa më dinjitozë dhe pse jo edhe për të kaluar”, tha trajneri i Vllaznisë, Memelli.