Jani Koçillari

Jani Koçillari: Nga Molosi tek Epidami, kultura Ilire, jo aq e studiuar

15 Shkurt 2019, 07:32| Përditesimi: 15 Shkurt 2019, 15:40

  • Share

Arkeologu Jani Koçillari jeton në Itali, larg atdheut të tij, por prej andej ai punon për Shqipërinë, atdheun e tij. Kështu shprehet në një intervistë për “Shqiptarja.com”, duke theksuar se synimi i tij është për “një ndërgjegjshmëri, për një frymëmarrje të gjerë, për emancipimin kudo të shqiptarëve ku ata ndodhen, për të ditur Historinë e lashtë të tyre.”. Kështu e mendon arkeologu dhe autori i dy librave të rëndësishëm: Qeramika me Figura të Kuqe dhe “Epiri dhe Aleksandër Molosi”. 

Veprat studimore të arkeologut dhe historianit Jani Koçillari vijnë pas dhjetëra ekspeditave arkeologjike, që ai ka bërë si në Itali dhe në Shqipëri. Duke lexuar këto libra mendon se sesa pak njihet e studiohet historia ilire edhe pse vendi ynë është i mbushur me muze dhe site arkeologjike. Vetëm studimi detajor i qeramikave me figura të kuqe që studiuesi i quan si prodhime vendase të çon në të gjithë historinë e komunikimit, tregjeve, biznesve, aleancave dhe diplomacive të kohëve të vjetra që kanë hedhur rrënjë në kulturën e trashëguar deri më sot. Ajo që sjell me kompetencë shkencore Jani Koçillari përmes studimeve të tij të drejtpërdrejta, ku zbulon autorët, burimet, piktorët e qeramikave, prodhuesit, strukturat e qytet shteteve ilire, është ajo që Epiri është as më shumë as më pak Iliri, vendi ku kanë jetuar, luftuar apo gëzuar jetën të parët tanë. Skrupuloziteti dhe saktësia dokumentare që përshkruan veprat studimore të Dr. Jani Koçillarit zbulojnë edhe problemin që ka arkeologjia shqiptare, për të cilin arkeologu flet në intervistën për “Shqiptaraja.com.

“Personalisht kam vërejtur që kultura Ilire nuk është kaq e njohur siç duhet të jetë. Është për t’u habitur që nuk investohet siç duhet në trashëgiminë tonë kulturore, sepse kjo na sjell një mirëqenie ekonomike shumë të madhe. Ne kemi një pasuri arkeologjike të jashtëzakonshme, duhet ta vendosim atë në pikën e parë për zhvillimin tonë ekonomik.”, -thotë arkeologu Jani Koçilari dhe ky nuk është një problem i vogël. Për mungesën e studimit të kulturës ilire, si pasojë e mosinvestimit të shtetit, janë shprehur shpesh në media edhe ata pak arkeologë që ka vendi ynë, si Myzafer Korkuti, Neritan Ceka, Skënder Muçaj, Moikom Zeqo, Etleva Nallbani, Iris Pojani e të tjerë. Ndërkohë arritja personale e Jani Koçillarit është fakti se ai ka hedhur hapa të rëndësishëm në çeljen e dyerve për njohjen e kësaj kulture. Për shembull, libri “Epiri dhe Aleksandër Molosi” i Dr. Jani Koçillarit hap njërën nga këto dyer, sepse të gjithë e dinë sesa pak është folur deri më sot për figurën e Aleksandër Molosit, që ishte shtylla kryesore e Epirit, qoftë si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak. Aleksandri i madh i Maqedonisë ishte nipi i Aleksandër Molosit dhe jo rastësisht është krijuar kjo lidhje e babait të tij maqedonas Filipit me familjen e kësaj figure të madhe të historisë ilire. Pas suksesit por edhe kërshërisë e entuzizmit me të cilin janë pritur dy veprat e tij që lidhen me studimin e historisë ilire, eshtë e nevojshmë që zëri i këtij arkeologu të ri dhe të pasionuar, që vjen nga Italia fqinje të zgjojë ndërgjegjen e arkeologëve dhe studiuesve shqiptarë, por edhe të drejtuesve që të bëhet më shumë për studimin e historisë ilire.

Arkeolog Jani, ju jeni një i ri, që në moshën e adoleshencës jeni larguar nga atdheu dhe keni kryer të gjithë shkollimin tuaj në Itali, përfshi dhe diplomimin dhe specializimet në profesion. Përse zgjodhët që kërkimet tuaja studimore të përfshihen tërësisht në arkeologjinë dhe historinë ilire?

-Që kur jam larguar nga atdheu im në moshën 7-vjeçare librat e parë që kam lexuar, për të mos harruar gjuhën shqipe kanë qenë gjithmonë librat që flisnin për historinë dhe arkeologjinë e fiseve ilire. Këto libra zhvilluan tek unë pasionin mbi historinë dhe arkeologjinë e atdheut tim të dashur.

Interesi për kulturën ilire më solli dëshirën që në studimet universitare për të realizuar këtë ëndërr të marrë si degë studimin e historisë të lashtë dhe sidomos Arkeologjinë Ilire. Unë jam specializuar për “Qeramikën me Figura të Kuqe në Iliri” dhe për figurën e Aleksandër Molosit në historinë e lashtë.

Gjatë periudhës universitare kam ardhur në atdheun tim me ekspeditat arkeologjike të organizuara nga Italia. Gjithashtu kur vija me pushime në Shqipëri vizitoja vendet arkeologjike kryesore si dhe pak të njohura si ato të pjesës jugore. Gjithashtu kam vizituar muzetë e vendit tim dhe kam lexuar librat, artikujt e fundit mbi historinë dhe arkeologjinë ilire. Kam konsultuar burimet letrare të ndryshme të pranishëm në arkivat shqiptare dhe të shteteve të huaja që kam vizituar.

Pasioni im si arkeolog është dhe mbetet mbi kulturën ilire dhe rëndësinë e saj në Mesdhe.

Ju keni botuar tashmë dy libra të rëndësishëm, libri “Epiri dhe Aleksandër Molosi” dhe “Qeramikat me figura të kuqe”. Dhe në këto libra pasi i kam lexuar kam vërejtur se dokumenti arkeologjik dhe historia janë simbiozë e njëra-tjetrës, ku ju konfirmoni dokumentin e shkruar me përkimet në objekte arkeologjike. Bëhet fjalë këtu për një metodologji të re kërkimore. Çfarë e bënë kaq analitik studimin tuaj?

-Dy librat që kam botuar si historian dhe arkeolog “Epiri dhe Aleksandër Molosi” dhe “Qeramika me Figura të Kuqe” kam përdorur një studim analitik profesional ku analizat arkeologjike ndikojnë për të kuptuar, vërtetuar ngjarjet e lashta historike. Për studimin shkencor një rol të rëndësishme luan konsultimi-referimi i burimeve historike letrare dhe shkrimeve akademike. Gjithmonë analiza e objekteve dhe shtresave arkeologjike ndikojnë për të kuptuar si janë zhvilluar ngjarjet historike, sepse historia  nuk mund të kuptohet pa arkeologjinë e cila studion dhe analizon faktet e periudhës që ka ekzistuar para ose mbrapa Krishtit. Si dhe duke shfrytëzuar të gjithë literaturën akademike.

Në Shqipëri, siç konstatoni edhe ju, ka shumë zbulime arkeologjike, sa i studiuar është ky arsenal i madh objektesh?

-Ne jemi një vend i vogël por kemi site arkeologjike të shumta. Si për shembull Shkodra, Komani, Lissusi(Lezha), Berati, Durrësi, Apolonia, Bylisi, Antigonea, Adrianopoja, Gjirokastra, Përmeti, Finiqi, Amantia, Butrinti, Xara, Korça, Maliqi, Devolli, etj, pra afërsisht në vijë ajrore nga 30–50 Km  larg njëra tjetrës. Këto janë site interesante dhe me vlerë botërore me shumë interes nga pikëpamja historike dhe arkeologjike. Shqipëria ka një vlerë të veçantë arkeologjike, por faktikisht studimi i kësaj kulture përballohet me realitetin e kohës e të vendit tonë. Me këto dua të them se jo gjithë pasuria kulturore është e studiuar sepse arkeologët dhe studiuesit e rinj nuk u jepet mundësia ashtu siç duhet për të kryer studimet e tyre që nuk janë për lavdinë personale por për të ngritur lart rëndësinë e kulturës shqiptare jo vetëm në vendin tonë por edhe jashtë Shqipërisë. Personalisht kam vërejtur që kultura Ilire nuk është kaq e njohur siç duhet të jetë. Është për tu habitur që nuk investohet siç duhet në trashëgiminë tonë kulturore sepse kjo na sjell një mirëqenie ekonomike shumë të madhe. Ne kemi një pasuri arkeologjike të jashtëzakonshme, duhet ta vendosim atë në pikën e parë për zhvillimin tonë ekonomik. 

Lajmi në “Shqiptarja.com” për botimin e librit “Epiri dhe Aleksandër Molosi”, në opinionin publik, erdhi si një risi, për faktin se shumë pak e kishin të qartë që Aleksandri e Molosëve, mbreti i fuqishëm ilir ishte pikërisht daja i Aleksandërit të madh të Maqedonisë. Si mendon, pse është kaq pak e studiuar historia ilire? 

-Kjo figurë kaq e rëndësishme për historinë Ilire të Aleksandërit i Molosëve  mbreti i Epirit është pak i njohur nga studiuesit sepse ai ka jetuar në të njëjtën periudhë të lavdishme të nipit e tij “Aleksandri i Madh” por veprat e tij nga ana politike arritën lidhjen e fiseve të Epirit. Gjithashtu politika e tij kryesore ai e kreu gjatë ekspeditës të tij në Italinë e jugut ku me traktate paqe edhe miqësi pa ndryshuar institucionet e realiteteve lokale lidhi fiset si Apulët dhe Mesapët me kolonitë helene. Historia Ilire është pak e studiuar sepse shpesh herë u jepet rëndësi figurave historike të njohura. Por duhet të kemi parasysh se jashtë shtetit nuk u jepet kaq rendësi kulturës ilire. Dhe kjo lihet në harresë edhe për fajin tonë.

Në studimet tuaja hidhet dritë në një histori rreth 2400-2500 vjeçare. Si mund ta shpjegoni në një mënyrë të përmbledhur për publikun e gjerë faktin e bashkëjetesës së tre qytetërimeve greke, ilire dhe romake?

-Karakteristika e kulturave të lashta ka qenë gjithmonë bashkëpunimi, lidhja tregtare, lëvizja e njerëzve, luftërat e tjera, kanë sjellë një unitet kulturor të tre qytetërime helen, ilire, romake. Këto janë vërtetuar nga zbulimet arkeologjike dhe nga traditat tona. Mesdheu ka luajtur një rol të rëndësishëm për kontaktet kulturore midis qytetërimeve të lashta, Ilire, Helene, Romake, të cilat kanë pasur historikisht gjithmonë marrëdhënie kulturore me njëra tjetrën.

Në librin për Aleksandër Molosin ju i jepni lexuesit një qartësi për Epirin dhe epirotët, për të cilin lobe të caktuara greke krijojnë bindje se ka përkatësi greke, si ndahet në rrafsh studimor kjo çështje?

-Për sa i përket kësaj pyetje historikisht fiset e Ilirisë jug-lindore ndryshe nga fiset e tjera kanë pasur marrëdhënie kulturore me qytetet shtetet Helene të asaj kohe.

Jemi kurioz të dimë se cili është projekti i ardhshëm studimor dhe ku konsiston?

-Dëshira ime më e madhe është që të vazhdoj studimet e mia në Shqipëri që është zëmra e kulturës Ilire. Projekti i ardhshëm studimor për mua do të jetë studimi i Epidamnosi qyteti i vendlindjes, krahina e Përmetit,gjendja e qeramikës me figura të kuqë në të gjithë Ilirinë, Epiri historik dhe arkeologjik gjatë Aleksandër Molosit, si dhe sitet arkeologjike ilire, jo shumë të studiuara.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rudy: 15/02/2019 09:04

    Bravissimo Jani!!!!!Continua cosi!!!!!OTTIMO lavoro! Questo articolo mostra il tuo grande impegno e la tua professionalità nella ricerca e nell'archeologia. Shqiptarja.com.....e Dhurata Hamzai bravissimi nel pubblicare questi aggiornamenti sulla cultura albanese !!!!!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?