Opinion

Janina: Kryedarka

9 Gusht 2019, 18:17| Përditesimi: 9 Gusht 2019, 18:25

  • Share

Në hollin e Muzeut kombëtar, për nder të përvjetorit të gjeniut më të madh të të gjitha kohëve, Leonardo Da Vinçi, është paraqitur fotografuar mrekullisht në përmasat e vërteta edhe aftesku i mrekullueshëm "Darka e fundit". Edhe sikur piktori të mos e kishte bërë Xhokondën, me këtë afresk do të ishte po aq i famshëm.

"Darka e fundit" (460x880 cm), vendosur në kuvendin Santa Maria delle Grazie në Milano, është një vepër tejet e vyer për nga interpretimi i ngjarjes dhe e kryerjes së saj. Është kryedarka, ku do të bëhej vetëdënimi dhe do lindte krishtërimi në thelb mbi flijimin. Si e tillë ajo ka tërhequr vëmendjen e gjithëkujt.

Leonardo bën një gjetje origjinale, duke i venë gjithë apostujt në një plan ballor, në një perspektivë jetësore, sa afresku duket si një pamje e gjallë vijuese, një hapje e natyrshme, ku dëshmohet ngjarja e madhe.

Kompozimi mbart një pafundësi shpjegimesh, duke u kthyer edhe në një sprovë aktoriale për studentë, në atë ç'ka piktori ia ka dalë të shprehë më plastikën e personazheve dhe me lëvizjen e duarve të tyre.

E dëmtuar, gërryer gjatë shekujve nga ujrat, bombarduar gjatë Luftës së Dytë Botërore, në zgrib të zhdukjes, restauruar disa herë, duke u shndërruar për keq, aq sa disa prej portreteve nga gjysëm profil ishin kthyer në profil, për t'u restauruar përfundimisht për 17 vjet, pas një pune të gjatë e të kujdesshme, ku u zbuluan dhe u vunë në dukje shumë elementë të mbuluar. Sot edhe pse i mungojnë disa detaje dhe ngjyrat kanë humbur dhe shumë sipërfaqe janë zhdukur përfundimisht, ajo vjen në shkëlqim të bukur e domethënës.

E ndërtuar kompozicionalisht në katër grupime të personazheve biblikë, sikur të jenë katër stinët e vitit dhe ku në mes shquhet figura e Krishtit si diell, që sapo ka shqiptuar fjalinë e famshme, "Njeri nga ju do më tradhëtojë", pas së cilës gjithçka në darkën e ftuar nga shenjti, përmbyset. Çast i tmerrshëm dhe fjalët bien gur të rënda tek gjithë të pranishmit. Buka mbet në fyt dhe gjithsecili shpreh habi, mëdyshje, mosbesim, lutje, kërcënim, ankth e frikë, që si fshikullim kalëmenden në fytyrat e të gjithëve.

Secili ka një shprehje të veçantë nga të tjerët. Dramaciteti shkon në kufijtë e të pabesuesshmes, duke u rritur ndjeshëm nga lëvizjet dhe vendosja e duarve.

Një dorë në artin pamor është në vlerën e një portreti, por këtu tejkalohet. Ato duar jo vetëm janë dhënë mjeshtërisht, por dëshmojnë e flasin. "Piktura, ka shkruajtur Mjeshtri i madh, është një muzikë që shikohet, por nuk dëgjohet".

Dhe çudia ndodh. Dikujt i lindi idea, që duart e paraqitura t'i vendosë në pentagram dhe... u dëgjua muzika.

Vallë a e kishte paramenduar artisti? Vështirë të pohohet. Veç gjithnjë kur është menduar, se për veprat e Leonardos ishte thënë gjithçka, del një e re me forcën e gjithë të tjerave dhe artisti turbullon mendjen njerëzore me çuditë e arritjeve të tij.

Leonardo nuk ishte vetëm piktor, po pse shumëkush e njeh vetëm si të tillë? Përgjigja është dhënë nga një i ditur, sepse gjenialiteti i shprehur në pikturë eklipsoi gjithë arritjet e tij në fushat e tjera të dijes!

A nuk kishte shkruar në shënimet e pafundme të tij, "Ai, zogu i madh do të nisë flururimin dhe do habisë me bëmat e tij të mëdha", fjalë të cilat ia kishte kushtuar projektit dhe skicave mbi përpjekjet për të fluturuar.

Më shumë se për "zogun" (avionin) kjo pandehmë i shkon më shumë vetë Leonardos. Gjeniu që u ngrit mbi supet e të gjithë gjenive që toka ka lindur...

B.K./b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?