Jarisa nis klasën e parë pa nënën e me barkun bosh! Babai invalid apel për ndihmë: As me bukë nuk i ngop dot fëmijët

11 Shtator 2023, 18:06| Përditesimi: 12 Shtator 2023, 14:09

  • Share

Jarisa nisi klasën e parë jo si të gjithë fëmijët e tjerë. 6-vjecares i mungon nëna, ndërsa babai invalid nuk mundet t’i sigurojë të ardhura për një jetese normale. Përmes Report Tv familja Haxhiaj në Këlcyrë apelon për ndihme.

Sytë e Jarisës nuk qeshin... Ky është një mëngjes i zymtë për vogëlushen, që nisi klasën e parë në shkollën “Kamber Benja” të Këlcyrës. Dhimbja për nënën për është e papërshkueshme. Përkëdhel foton e saj me dorën e vogël, por i mban lotët.

Jarisa Haxhiaj është 6-vjeçe dhe prej një viti e gjysme i mungon nëna. Tumori i mori jetën Kimete Haxhiajt në moshën 39-vjeçare duke lënë pas një mal me halle dhe vuajtje për fëmijët. Jarisa ka një vëlla 12 vjeç, Jurgenin i cili është në klasë të gjashtë. Ndryshe nga motra, ai nuk dëshiron të flasë në kamera për shkak të emocioneve.

Nëna u mungon shumë dhe sikur të mos mjaftonte dhimbja, familja Haxhiaj përballet me varfëri e probleme shëndetësore. Babai Dritani, gjyshe Dudia dhe dy fëmijët jetojnë në një shtëpi të rrënuar në periferi të Këlcyrës. As këtë strehë nuk e kanë të tyren, por pronari ua ka lënë në ruajtje pa u marrë asnjë lek.

Të ardhurat janë 20 mijë lekë në muaj, ku më shumë se gjysma shkojnë për barnat e Dudies dhe të Dritanit. Ky i fundit 40 vjeç, me status invalidi, mundohet të gjejë ndonjë punë në të zezë për të siguruar bukën.

“Fëmijët e kanë përjetuar shumë keq, sidomos djali por dhe çupa. Ikja e saj na ka këputur mua dhe fëmijët. Unë jam invalid por përpiqen nga pak të punoj. S’kam pasur mundësi ti kompletoj me të gjitha mjetet e shkollës se janë shtrenjtë. As me bukë nuk i ngop dot”,tha ai.

Gjyshja hap frigoriferin ku të vetmet produkte janë shurupet dhe ilaçet, ushqime as që bëhet fjalë. Përmes Report TV familja Haxhiaj u drejtohet për ndihmë jo vetëm institucioneve por edhe donatorëve privatë. Ata kanë nevojë për shtëpi, punë dhe trajtim mjekësor.

“Nuk kam se çfarë tu jap fëmijëve me vete, siç hanë të gjithë fëmijët e tjerë. I lutem shtetit që të vërë dorë për këta dy jetimë”, tha gjyshja.

Jarisa e vogël sot shkoi pa ushqim në shkollë. Gjyshja nuk mundi dot t’i jepte qoftë edhe një copë bukë. Ajo tregon se fëmijët konsumojnë ushqim vetëm një herë në ditë ndërsa kur e shprehin urinë, gjyshja i gënjen duke i vënë në gjumë se një ditë e re do të lindë me bollëkun e premtuar.

Bashkia e Këlcyrës nuk e ka trajtuar me ndihmë ekonomike këtë familje, përveç 2 mijë lek në muaj për të dy fëmijët në statusin e jetimit.

Për këdo që dëshiron të ndihmojë familjen Haxhiaj, të kontaktojë në numrin e kryefamiljarit Dritan Haxhiaj 0683276159

Numri i llogarisë ku mund të kontribuoni për familjen Haxhiaj: AL80202620020000000130349434

Numri i llogarisë ku mund të kontribuoni për familjen Haxhiaj

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?