Kosova duke festuar golin kundër Lituanisë

Jashari 'ëngjëll dhe djall', Kosova mposht me vështirësi Lituaninë! UEFA nis hetim për ndeshjen në Bukuresht

19 Nëntor, 15:20| Përditesimi: 19 Nëntor, 15:24

  • Share

Me shumë vështirësi, por Kosova ia ka dalë të fitojë ndeshjen e fundit në grupin e Ligës së Kombeve, duke mposhtur minimalisht 1-0 Lituaninë. Një ndeshje që u zhbllokua që në minutën e 5 nga Jashari, i cili realizoi golin e parë me fanellën e ‘dardanëve’, por që u vështirësua shumë për shkak se i njëjti autor u ndeshkua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë.

“Për mua heronj janë të gjithë futbollistët e Kosovës, të cilët më ndihmuan në pjesën e dytë ku unë nuk isha në fushë dhe e patën një barrë shumë më të madhe,”-u shpreh Muharrem Jashari, futbollist i Kosovës.

“Besoj se kemi treguar karakter sepse nuk ishte një ndeshje e lehtë dhe sidomos pasi Muharrem Jashari u ndëshkua me karton të kuq,”-tha Mërgim Vojvoda, futbollist i Kosovës.

“Ishte shumë e rëndësishme që ta mbyllnim ciklin me fitore, sepse ishim para tifozëve tanë, që sonte sfiduan të ftohtin e madh,”-deklaroi Vedat Muriqi, futbollist i Kosovës.

Me këtë fitore Kosova blindoi vendin e dytë në grup me 12 pikë, po aq sa Rumania e vendit të parë, por që ende nuk ka një vendim për duelin e ndërprerë në Bukuresht 4 ditë më parë. Ai vendim do jetë përcaktues për fatet e këtij grupi, ndërsa UEFA ditën e sotme ka njoftuar se ka nisur një hetim për atë ndeshje ku dëgjoheshin thirrjet ‘serbi serbi’ dhe ‘Kosova është serbi’.

Shanset janë të mëdha që Kosova ta humbasë këtë ndeshje 3-0 në tavolinë, por përfaqësues të federatës së ‘dardanëve’ kanë premtuar se do t’i shkojnë kësaj çështje deri në fund, me apelim dhe deri në gjykatën e CAS.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?