Moment nga ndeshja në kryeqytet dhe në Rrogozhinë

Sport

Java e fundit/ Tirana mposht Dinamon dhe shkon në play-out, Partizani në 'Final 4'! Skënderbeu dhe Laçi rrëzohen zyrtarisht nga Superliga

27 Prill, 17:28| Përditesimi: 27 Prill, 21:53

  • Share

Superliga shqiptare e futbollit ka mbyllur sezonin e rregullt 2024-25, me disa verdikte që u vendosën të dielën e 27 prillit. Raundi i 36-të dhe i fundit u zhvillua me pesë ndeshjet që filluan në orën 15:30.

Në bazë të rezultateve në fushë, Skënderbeu dhe Laçi sezonin e ri do luajnë në Kategorinë e Parë, ndërsa Tirana ka edhe një shans për të mbijetuar pasi e mbylli sezonin në vendin e tetë (play-out). Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Partizani do garojnë në "Final 4", mini-turneun që do vendos edhe skuadrën që do shpallet kampion për këtë sezon.

Në "Arenën e Demave" Partizani fitoi 2-0 kundër AF Elbasanit dhe siguroi zonën "Final 4" si edhe një vend në Kupat e Evropës për sezonin e ri, kjo pasi dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë (Dinamo - Egnatia) ndodhen edhe në "Final 4", çka bën që edhe vendi i katërt i Superligës në renditjen e sezonit të rregullt të jetë pjesë e Kupave të Evropës. Marcelino Preka në minutën e 45-të dhe Eleke në të 88' shënuan për ekipin e Skënder Gegës.

Në "Arena Egnatia" të Rrogozhinës, Dinamo u mposht 0-2 nga Tirana. Bardheblutë e Bledi Shkëmbi sigurojnë vendin e tetë dhe tanimë kanë një shans në play-out për të mbijetuar në Superligë. Tirana pret fituesin e sfidës Besa - Pogradeci (Kategoria e Parë) për të mësuar rivalin për një vend në elitë ediconin e ri. Rafa Silva në minutën e 29-të dhe Jarmouni (minuta 88 me penallti) ishin autorët e golave për Tiranën.

Dramë në Korçë. Humbja 1-2 e Skënderbeut kundër Bylisit bën që ekipi bardhekuq të jetë zyrtarisht në Kategorinë e Parë sezonin e ri. Mustapha dhe Përgjoni shënuan për ballshiotët, ndërsa momentalisht te vendasit barazoi Bismarc.

Në "Loro Boriçi" të Shkodrës Vllaznia dhe Laçi barazuan 1-1. Ishin miqtë që zhbllokuan me Bibon, ndërsa Balaj shënoi golin e barazimit. Me 37 pikë Laçi e mbyll renditjen në vendin e fundit dhe pas 16 vitesh do rikthehet në Kategorinë e Parë.

Në "Niko Dovana" të Durrësit ishte Teuta që mposhti 2-1 Egnatian. Kapllanaj dhe Torraj shënuan për vendasit, teksa barazoi momentalisht Yahaya. Paçka humbjes Egnatia e mbyll sezonin e rregullt të Superligës në vendin e parë dhe pret shortin për të mësuar rivalët në "Final 4".

Sipas planit të FSHF, ndeshjet e “Final 4” fillojnë më datën 4 maj 2025, për t’u finalizuar me finalen e madhe më 12 maj.

Superliga shqiptare e futbollit, raundi 36-të (i fundit):

E diel, 27 prill 2025 - 15:30

Dinamo 0-2 Tirana (në Rrogozhinë)

Partizani 2-0 AF Elbasani

Skënderbeu 1-2 Bylis

Teuta 2-1 Egnatia

Vllaznia 1-1 Laçi

Renditja:

Ora 19:47
Katër skuadrat presin shortin, mësohen datat për ndeshjet e 'Final 4' në Superligë! Klubet e avantazhuara


Egnatia (1), Vllaznia (2), Dinamo (3) dhe Partizani (4) do garojnë mes tyre në mini-turneun "Final 4" për të mësuar skuadrën kampione në Superligën e futbollit për edicionin 2024-25. Edhe këtë sezon FSHF vendosi që kampioni të vendoset me "Final 4", kjo pas 36 javëve të rregullta që nxorën katër skuadrat e mësipërme në krye.

Egnatia dhe Vllaznia u pozicionuan e para dhe e dyta, kështu që do të jenë në vazon e skuadrave të forta në shortin që do të hidhet nga FSHF në fillimi e javës. Ndërkohë, në vazon tjetër do të jenë Partizani dhe Dinamo të cilat do të mësojnë gjatë shortit me cilat nga skuadra e para do të ndeshen në gjysmëfinalet e turneut.

Falë pozicionimit në renditje, Egnatia dhe Vllaznia do të kenë një bonus të rëndësishëm pasi në ndeshjet gjysmëfinale mund të kalojnë turin edhe me një barazim, sipas asaj që parashikon rregullorja e turneut, kurse dy skuadrave kryeqytetase u duhen fitoret gjatë 90 minutave.

Sipas planit të FSHF, ndeshjet e “Final 4” fillojnë më datën 4 maj 2025, për t’u finalizuar me finalen e madhe më 12 maj.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?