Më datë 30 maj, ora 12.00, Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci do të organizojë një ceremoni me rastin e përurimit të “Javës së Italisë”.
Pas suksesit të edicionit të parë, prej datës 1 e deri më 7 qershor 2023, kultura italiane rikthehet në Shqipëri me më shumë se 60 evente e nisma. Muzika, sporti, kuzhina, shkenca, opera, arkitektura dhe dizajni do të jenë vetëm disa nga vlerat italiane protagoniste të një udhëtimi që do të përshkojë Shqipërinë nga Veriu në Jug.
Një program i ngjeshur me veprimtari ku mes të cilave vlejnë për t’u përmendur kremtimi i Festës së Republikës, grupi muzikor Planet Funk, Festivali i Shkencës, dita kushtuar Arbëreshëve, rikthimi i Pizza Village, maratona për autizmin si edhe vepra murale e realizuar nga Tellas si shprehje e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Nuk do të mungojnë as mbrëmjet kushtuar teatrit, operës dhe muzikës me shfaqje në sheshe dedikuar Verdit-t, koncerti i instrumentistit të njohur të trombës, Paolo Fresu dhe shfaqja në kujtim të gjeniut Enio Morricone.
Në ceremoninë e përurimit do të jenë të pranishëm Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.