'Spektakël' në sheshin 'Skëndërbej', forcat e sigurisë italiane 'transferohen' në Tiranë! Lamborghini që shpëton jetë, roboti anti eksploziv që 'fik' valët! Kremtohet 25-vjetori i bashkëpunimit në fushën e sigurisë

7 Qershor 2022, 09:32| Përditesimi: 7 Qershor 2022, 17:13

  • Share

TIRANË-Forca të ndryshme nga Policia, forca të karabienierëve, Guardia di Finanza, forcat speciale Nocs, një numër ushtarësh nga Roja Bregdetare, një njësi qensh kundër drogës, forca anti eksploziv janë 'transferuar' sot në kryeqytetin e vendit, Tiranë, për të ekspozuar ‘arsenalin’ më modern të forcave të sigurisë së vendit fqinj. Policia Rrugore italiane prezantoi për publikun shqiptar Lamborghini Gallardo, Arma dei Carabinieri grupin e Biodiversitetit, Guardia di Finanza një ekspozitë të Njësisë Qendrore të Sigurisë Operacionale të Policisë së Shtetit (Nocs) dhe fluturimin e helikopterit të Guardia di Finanza.

E tillë është edhe një mjet "Lamborghini", i cili në pamje të parë duket thjesht një makinë policie që përdoret për të ndjekur kriminelët, por është shumë më kaq. Gazetari i Report Tv Sokol Dema ka mësuar se kjo makinë e poseduar nga policia italiane ka shpëtuar shumë jetë. Një detyrë themelore e saj është kujdesi shëndetësor. Për këtë qëllim, bagazhi i përparmë i makinës strehon një pajisje speciale frigoriferike për transportin urgjent të organeve për transplantim. Për shpëtimin emergjent të njerëzve, pajisja përfshin gjithashtu një defibrilator, i cili është në gjendje të shpëtojë jetë duke rivendosur rrahjet normale të zemrës përmes goditjeve elektrike të synuara në rast të aritmisë së fortë kardiake ose fibrilacionit ventrikular. 

Në Itali, këto makina janë dhuratë nga vetë kompania "Lamborghini" dhe përdoren në 2 qytete, Romë dhe Bolonja teksa në Tiranë janë prezantuar për shqiptarët, si një nga aktivitetet e ndërmarra nga ambasada italiane në Shqipëri. Ndërkohë, në shesh ka pasur edhe demostrime të tjera të forcave RENEA me homologët e tyre italiane NOCS, një ulje taktike nga Muzeu Historik kombëtar ku në murin e saj u shpalos flamuri kombëtar i dy vendeve, si një shenjë miqësie. NOCS, që kishte sjellë në Tiranë disa efektivë, është një departament i posaçëm që kryen operacione anti-terroriste, aktivitete mbështetëse edhe për zyrat e antikrimit dhe kryen detyrat e mbrojtjes së personazheve, shpesh të huaj, të ekspozuar jashtëzakonisht përsa i përket sigurisë.

Në shesh ka pasur edhe një robot, që është në dispozicion të policisë shqiptare. Robot special antieksploziv, i cili përveç aftësisë së bërjes së çaktivizimit të bombave dhe hapjen e pakove të dyshimta si bomba, bën edhe bllokimin e valëve deri në 1 kilometër, me qëllim parandalimin e aktivizimit të bombës me celular apo telekomandë nga distancë në momentin kur po bëhet çaktivizimi.  Komandohet në distancë dhe është i aftë të kalojë disa lloj pengesash, tepër i manovrueshëm.

Nga sheshi 'Skënderbej' nisi sot edhe fushata udhëtuese "Una vita da Social" me Kamionin e Policisë Postare që gjatë gjithë javës do të takohet me studentët shqiptarë në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Durrës për çështjet e përdorimit të ndërgjegjshëm të internetit dhe rrjet social. Në kamion ka edhe një përfaqësi të Oscad (Observatori për sigurinë kundër akteve diskriminuese), një organ i përbashkët, i cili do t'u flasë studentëve dhe publikut të vizitorëve për aktivitetet e kryera kundër të gjitha formave të diskriminimit (fetar, racor, gjinore, lidhur me orientimin seksual dhe kundër personave me aftësi të kufizuara) për parandalimin dhe luftën kundër krimeve të urrejtjes.

Aktiviteti i bërë në fund të Javës Italiane të Kulturës në Tiranë, u zhvillua në nder të 25-vjetorit të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme italiane dhe asaj shqiptare lidhur me këshillimin dhe ndihmën për riorganizimin e forcave të policisë shqiptare, nënshkruar më 17 shtator 1997.  Të pranishëm ishin edhe ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese, e shoqëruar nga shefi i policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Lamberto Giannini, nga Komandanti i Përgjithshëm i Karabinierëve Teo Luzi dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, Giuseppe Zafarana.  

Ky 'spektakël' i forcave nga matanë Adriatikut është parë me interes shumë të madh nga qytetarët e Tiranës, të cilat panë me kuriozitet risitë e 'arsenalit' italian të sigurisë.  Më herët ministria italiane, Lamorgese, e shoqëruar edhe nga ambasadori Fabrizio Bucci, u prit nga homologu i saj shqiptar Bledi Çuçi dhe gjithashtu nga kryeministri Edi Rama.

“Ka një marrëdhënie të veçantë mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimi dypalësh është aq i ngushtë sa shkon përtej marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit”, vuri në dukje ministri shqiptar, duke vlerësuar veçanërisht “krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore dhe operacionet e përbashkëta të policisë. 30 janë realizuar vetëm në vitin 2021 dhe 9 tashmë në pesë muajt e parë të këtij viti”, ka thënë ajo.

 

 

 

VIDEO-Lamborghini i përdorur nga Policia e Shtetit italian për transportin e organëve

Ora 17:02
25 vite nga ‘Aleanca e sigurisë’ Itali-Shqipëri, ministrja e Brendshme në Tiranë, takon Ramën dhe Çuçin! Lamorgese: Gjithmonë do ta keni mbështetjen tonë

1654614311_1654604547policiaitalianeneshqiperi13.jpeg

“Shqipëria gjithmonë mund të mbështetet në miqësinë dhe mbështetjen e Italisë”. Kjo ka qenë deklarata e ministres së Brendshme italiane, Luciana Lamorgese, në fjalën e saj në ceremoninë e organizuar në Teatrin e Operas në Tiranë për të festuar 25-vjetorin e nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme italiane dhe asaj shqiptare lidhur me këshillimin dhe asistencën për riorganizimin e policisë shqiptare, nënshkruar më 17 shtator 1997.

“Ky protokoll ‘shënjoi’ fillimin e aleancës sonë së sigurisë. Sot mund të them me krenari se nënshkrimi i atij akti përfaqësoi vetëm hapin e parë në një proces të gjatë bashkëpunimi mes autoriteteve të dy vendeve, të cilat me një ndjenjë të lartë detyre kanë kontribuar në krijimin e hapësirave të lirisë dhe zhvillimit”, tha ajo.

Për ministrin e Brendshëm shqiptar, Bledi Çuçi, në 25 vjet “ka pasur një parakalim epokal, nëse mendojmë për Shqipërinë që po eksportonte probleme te fqinjët tanë, ndërsa sot bashkërendojmë punën për të përballuar sfidat e sigurisë”.

Dhe në fakt, jo vetëm në bisedimet e zhvilluara mes dy ministrave, por edhe në takimin që Lamorgese pati me kryeministrin Edi Rama, ishte rasti “për të nisur projekte të reja dhe për të rënë dakord për forma më të strukturuara bashkëpunimi”.

Lamorgese dhe Çuçi vlerësuan rezultatet e shkëlqyera të bashkëpunimit policor italo-shqiptar të kryer nën kujdesin e Departamentit të Sigurisë Publike dhe i shprehur nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Interforcave Italiane (UCI) me detyra bashkëpunimi hetimor dhe trajnimit dhe analizave. Një ekspert për sigurinë e Policisë së Shtetit punon pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, i ndihmuar nga një staf ndërforcues, Eksperti i Guardia di Finanza, ndërsa Njësia e Kufirit Detar të Guardia di Finanza ka seli në Durrës dhe Vlorë. Me rëndësi strategjike janë projektet e financuara nga Komisioni Evropian, IPA dhe EU4LEA, që synojnë rritjen e standardeve të sigurisë së Shqipërisë 

Ora 12:44
Çuçi pret homologen italiane: Punojmë së bashku për të parandaluar dhe goditur krimin

Ministrja e Brendshme e Italisë, Luciana Lamorgese, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare me rastin e 25 vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit Shqipëri-Itali në Fushën e Sigurisë. Ajo u prit nga homologu i saj, Bledi Çuçi. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë thotë se sot 25 vite më pas Shqipëria ka krijuar besim të fortë dhe respekt reciprok te fqinjët, ndryshe nga 25 vite më parë kur eksportonte pasiguri.

“Ndryshe nga çerek shekulli më parë kur Shqipëria përjetoi kolapsin e vitit të mbrapshtë 1997 sot kemi arritur të krijojmë besim të fortë dhe respekt reciprok teksa vijojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit dhe frontalisht të vendosur kundër krimit. E falënderova për mbështejtn maksimale që Italia ka dhënë vazhdimisht për forcat tona të Policisë, si dhe vlerësova bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacioneve policore prej të cilave kemi pasur rezultate impresionuese. 30 operacione të përbashkëta përgjatë vitit 2021 dhe 9 operacione vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti janë dukshëm një punë shumë domethënëse për një të ardhme të sigurt të qytetarët tanë”, shprehet ministri Çuçi.

Më tej ai e falënderoi homologen italiane për mbarëvajtjen e finales së UEFA Conference League, teksa theksoi gjithashtu se ky event dëshmoi edhe njëherë se ne dimë të funksionojmë si një trup i vetëm përballë sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë.

Në vijim ministri Çuçi ndau me ministren e Brendshme të Italisë, Luciana Lamorgese, projektin për transformimin e Akademisë së Sigurisë.

“E njoha gjithashtu ministren Lamorgese me punën që kemi nisur për transformimin rrënjësor të Akademisë tonë të Sigurisë, me një riorganizim total dhe programe edukimi të modernizuara sipas standardeve më të mira bashkëkohore”, tha ministri Çuçi.

Sipas tij të dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale dhe bashkëpunimi dypalësh është shumë më i zgjeruar dhe më i ngushtë nga sa parashikojnë marrëveshjet, memorandumet apo protokollet.

Vetë ministrja italiane, Luciana Lamorgese vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në fushën e rendit, sigurisë dhe çështjeve të brendshme. Në mënyrë të veçantë ajo tha se Shqipëria nuk është më një problem për Italinë prej vitesh përsa iu përket flukseve migratore.

Vizita e një Ministri të Brendshëm italian vjen pothuajse pas 7 vitesh. Kujtojmë që në vitin 2015 Shqipërinë e vizitonte ministri i Brendshëm i asaj kohe, Angelino Alfano.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aleksandri: 07/06/2022 20:05

    Italia do jet gjithmon miku jon me i mire i falenderojm per cdo gje qe na kan dhuruar

    Përgjigju
  • Ana: 07/06/2022 20:02

    Fale zotit Rama jane mbajtur keto marredhenie te mira me vendet e tjera dhe jane mundesuar projekte te tilla i lumte

    Përgjigju
    • Agjenti: 07/06/2022 21:04

      Po mi sufllaqe po fale Rames po shkojme drejt gremines. Rrofte italiani qe na trajton me respekt si popull se politikes sone si plas hic

  • Endri: 07/06/2022 19:17

    Shfaqe e bukur me pelqen qe policia non po modernizohet dhe po kthehet si policit europiane

    Përgjigju
  • mandi: 07/06/2022 18:51

    sa bukur dhe sa te lumtur ndihemi ne kur marrim dhe degjojme vleresime e fjale kaq me peshe nga ministrja italiane faleminderit

    Përgjigju
  • Sami: 07/06/2022 18:43

    Keto marrdhenie te mira me vendet e tjera bejne diferencen midis qeverrisjes se Rames dhe te tjerve. Vazhdoni keshtu z. Rama

    Përgjigju
  • Mario: 07/06/2022 18:38

    Marredheniet e mira me shtetet e tjera jane nje ndihme e madhe per zhvillimin e vendit dhe kjo ka ardhur prej z. Rama.

    Përgjigju
  • Elona: 07/06/2022 18:30

    Keshtu vazhdoni sepse fale jush dhe punees suaj te palodhshme marredhenietme shtetet e tjera jane kaq te mira

    Përgjigju
  • Capo: 07/06/2022 18:11

    Me vjen mire qe kryeministri yne mban relata kaq te mira me vendet e tjera dhe fal bashkpunimeve me vendet e tjera e kemi mbeshtjetjen e tyre ndaj nesh

    Përgjigju
  • Esi: 07/06/2022 18:07

    Bashkepunime shume te mira me vendet e tjera

    Përgjigju
  • Klevi: 07/06/2022 18:03

    Italia ka qene gjithmone nje mbeshtetje shume e mire dhe nje aleate e mire . Keshtu le te vazhdojme se bashkepunimet me Italine kane qene gjithmone fitimprurese.

    Përgjigju
  • tina: 07/06/2022 18:03

    i lumte kryeministrit tone qe ruan marrdheni kaq shume te mira me shtetet e tjera

    Përgjigju
  • Kasi: 07/06/2022 17:21

    Me vjen mir qe kryeministri yne ruan kaq relata te mira me vendet e tjera. Me vjen mir qe kemi arritur ne kete dite

    Përgjigju
  • Klea: 07/06/2022 17:20

    Shohim qe fale bashkepunimeve te qeverise me shtetet e tjera ne kemi mbeshtetjen qe na nevojitet nga ta.

    Përgjigju
  • Ana: 07/06/2022 17:19

    Me vjen mire qe fale bashkepunimeve te qeverise sone me shtetet e tjera ne kemi mbeshtetje nga to. Ju pergezoj per punen

    Përgjigju
  • Tyr: 07/06/2022 16:36

    O Gledisi vogel me emer gruaje. Le name pz

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?