Sociale

Java e Madhe e Pashkës, thirrje për pastrim shpirtëror dhe vigjilencë nga Kryepiskopi Joani

14 Prill, 23:02| Përditesimi: 14 Prill, 23:13

  • Share

Besimtarët ortodoksë po përjetojnë një nga periudhat më të rëndësishme të kalendarit fetar, Javën e Pësimit, e njohur gjithashtu si "Java e Madhe e Pashkës", që përkujton ditët e fundit të jetës Jezu Krishtit.

Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt mesha e së Martës së Madhe, e cila njihet ndryshe si Shërbesa e Dytë e Dhëndrit. Kjo ceremoni u drejtua nga Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Anastasi.

Pas përfundimit të shërbesës, Kryepiskopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, mbajti një fjalim për besimtarët, duke ndarë tre tematika thelbësore të kësaj dite dhe duke dhënë mesazhe të fuqishme shpirtërore.

Ai theksoi rëndësinë e pastrimit të brendshëm të zemrës, duke vënë në dukje se ndjekja e jashtme e ritualeve fetare si agjërimi dhe lutjet nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen me pendesë dhe pastrim shpirtëror. Sipas tij, besimi i vërtetë kërkon përkushtim të thellë dhe të sinqertë.

“Zoti na thërret të jemi të zgjuar, vigjilentë, jo të plogësht dhe të mos e shtyjmë pendesën për më vonë. Askush nuk e di çfarë sjell e nesërmja, ndaj duhet të jemi gjithmonë të përgatitur,” – theksoi Kryepiskopi Joani.

Ai gjithashtu paralajmëroi se, nëse nuk e fitojmë hirin e Shpirtit të Shenjtë gjatë jetës, nuk do të kemi më mundësi ta fitojmë pas vdekjes. Kjo javë, sipas tij, është një kohë e përshtatshme për reflektim të thellë dhe përkushtim ndaj Zotit.

Gjatë gjithë Javës së Madhe, në të gjitha kishat ortodokse të vendit zhvillohen shërbesa me tematika të veçanta, të cilat vazhdojnë deri në natën e Pashkës, duke udhëhequr besimtarët drejt dritës së Ringjalljes.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?