Për dy ditë me radhë, turistët e huaj dhe qytetarët durrsakë mund të bëjnë një udhëtim imagjinar në trashëgiminë e pasur kulturore.
Në kuadër të "Javës së turizmit" mbërriti në qytetin bregdetar muzeu lëvizës “Tradita".
Për kostumografen Edlira Sulaj, muzeu lëvizës është një copëz e vogël e Shqipërisë, ku pasqyrohen më së miri disa nga vlerat e trashëgimisë.
“Nëpërmjet trashëgimisë kulturore ne gjejmë elementë të veçantë për t’i prezantuar në turizëm dhe fashion. Për t’i prezantuar dhe në brande të veçanta shqiptare sepse nëpërmjet trashëgimisë ne krijojmë dhe ide novative promovimi.”- tha Edlira Sulaj, kostumografe
Turistët e parë patën mundësi të shihnin nga afër muzeun lëvizës. Për të pasur një kujtim nga Shqipëria, nuk mungon edhe këndi i fotografive.
Një vit më parë, Durrësi ishte qyteti kampion i turizmit dhe këtë titull synon ta mbajë edhe këtë vit. Java e turizmit do të konsistojë në një larmi aktivitetesh.
“Është mendoj një aktivitet i veçantë kulturor pasi i shërben më së miri qytetit tonë në kuadër të javës së turizmit, pasi të gjithë të rinjtë, po njëkohësisht qytetarët dhe turistët kanë mundësi të shikojnë më nga afër të gjithë këtë produkt turistik kulturor që i vjen qytetit tonë”- tha Floreta Kërtusha.
Muzeu lëvizës do të qëndrojë i hapur për dy dite në shëtitoren "Taulantia".