Ishte parashikuar se viti i ri akademik do të niste më 11 tetor, por me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, do të fillojë zyrtarisht më datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor, fokusi të jetë te vaksinimi i studentëve. Vendimi për “Javën e vaksinimit masiv të studentëve” vjen në kuadër të mbrojtjes së studentëve dhe pedagogëve nga COVID-19.
Në një deklaratë për mediat rektorja e Universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi, tha se do të ngrihen 3 qendra vaksinimi në universitet me qëllim që të gjithë studentët ta bëjnë vaksinë dhe të jenë të sigurt gjatë auditorëve ku do të zhvillojnë leksionet. Golemi tha se deri tani 80 % e stafit të Universiteti të Shkodrës është vaksinuar , por ende nuk kanë një shifër për studentët e vaksinuar.
"Universiteti ka marre masat për 3 qendra vaksinimi për studentet. Qendrat do te jene: rektorati, fakulteti ekonomik dhe fakulteti i shkencave te edukimit. Ftoj studentet te marrin pjese ne vaksinim. Pedagoget dhe stafi i Universitetit janë 80% te vaksinuar. Nuk kemi numër për vaksinimin e studenteve. I kemi lënë detyre dekanëve qe te kontaktojnë për vaksinimin e studenteve. Gjithashtu, kemi marre masat për mësimin online", tha rektorja.
Në lidhje me regjistrimet e studentëve, rektorja Golemi tha se "degët më të kërkuara janë Infermieri-mami dhe Ekonomiku", ndërsa më pak e kërkuara është dega e mësuesisë.
Por përtej kësaj tha rektorja " nuk ka degë që rrezikon të mos hapet në Universitetin e Shkodrës".