Adoleshentët në Durrës u bënë pjesë e një leksioni të hapur mbi rreziqet e përdorimit të rrjeteve sociale. Trajnerë janë efektivë të policisë italiane që sollën praktikat më të mira në vendin tonë në kuadër të aktiviteteve të javës italiane.
Një auditor lëvizës u vendos në shëtitoren "Taulantia" buzë detit. I pajisur me foni e monitorë, kamioni mbërriti në Durrës bashkë me ekipin e efektivëve italianë, kësaj radhe në rolin e lektorëve. Ata zhvilluan një trajtim me adoleshentët për tema delikate si bullizmi, diskriminimi racial dhe rreziku nga rrjetet sociale.
Ky projekt i policisë italiane në bashkëpunim me postën e këtij shteti, ka disa vjet që lëviz nëpër Itali por edhe nëpër vende të tjera. Sot ishin të rinjtë e shkollës 9 vjeçare"Vinçens Prenushi" të Durrësit, ku italishtja është lëndë që mësohet që nga klasa e parë që dëgjuan lektorët italianë për problematikat me të cilët ndeshen çdo ditë.
Komisar Marco Valerio Cervellini thotë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për edukimin e nxënësve që në klasat fillore derisa të kalojnë adoleshencën.
"Është një projekt shumë i rëndësishëm që ka lindur në Itali për të këshilluar nxënësit se si të përdorin rrjetet sociale. Kemi parë shumë raste, edhe të rinj që kanë tentuar vetëvrasje. Ky është qëllimi ynë që ti sensibilizojmë për rreziqet, të mos bien pre e abuzuesve. Me mijëra të rinj kemi ndihmuar në Itali që të denoncojnë abuzuesit, sidomos ata që fshihen pas adresave false. Ky është qëllimi kryesor!.'- tha Komisar, Marco Valerio Cervellini
Cervellini shprehet se funksionimi i një projekti të tillë nga policia shqiptare do të ishte një investim i shkëlqyer për të ardhmen e fëmijëve. Aktiviteti u zhvillua në kuadrin e javës italiane si dhe të 25 vjetorit të nënshkrimit të bashkëpunimit ndërmjet policisë shqiptare me policinë italiane.