Nga data 2 deri në 8 qershor Java e Kulturës Italiane, Rama: Ia vlen të përjetohet në çdo grimcë

30 Maj, 19:39| Përditesimi: 2 Qershor, 15:24

  • Share

Nga data 2 qershor deri në datën 8 qershor Shqipëria do të mikpresë Italinë në kuadër të Javës Kulturore Italiane.

Kreu i qeverisë Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku thekson se kjo javë do të jetë e mbushur me një seri aktivitetesh, që do të përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e një kulture që admirohet nga e gjithë bota, e që ja vlen të përjetohet në çdo grimcë.

‘Shqipëria mikpret Italinë, nga data 2 deri me 8 qershor në një javë të mbushur me një seri aktivitetesh super, koncerte, opera, shfaqje kontemporane, sport e shumë të tjera, të gjitha aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e një kulture që admirohet nga e gjithë bota, e që ja vlen të përjetohet në çdo grimcë.’- shkruan Rama.

Edhe ministri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhja ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë.

‘Lidhja jonë me Italinë është e shënjuar në shekuj e në breza. Jemi frymëzuar nga kultura e saj me rrënjë të thella dhe jemi tërhequr pafund nga sharmi i saj. Ky është një moment historik, jemi krenarë të presim Javën Italiane të Kulturës. Kjo javë do të jetë e mbushur me aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e kësaj kulture që admirohet nga e gjithë bota dhe është një nga lokomotivat e kulturës së njerëzimit. Koncerte, opera, shfaqje kontemporane, design, arkitekturë, sport, konferenca, një pafundësi aktivitetesh dhe emocionesh, të gjitha për t’u përjetuar në çdo grimcë. Bëhuni pjesë e Javës Kulturore Italiane!  Çdo event është një eksperiencë e gjallë. Na ndiqni!’- shkruan Gonxhja.

Java Kulturore Italianë do të hapet me një event madhështor që feston historinë, kulturën dhe trashëgiminë. Në kuadër të 100 vjetorit të zbulimit të Parkut Kombëtar Arkeologjik të Butrintit, do të ketë një shfaqje artistike që do të zgjojë gurët e antikitetit nga gjumi i thellë.

Grupi artistik “Artemis Danza”, sjell në skenë 4 aktet e veprës opersitike "Voci di Donne", të kompozitorit legjendar Puccini. Ky interpretimin muzikor, koreografik, vizual, pritet të jetë tepër emocionues dhe për t'u mbajtur mend. Eventi unik, me datë 2 Qershor, në orën 20:00, në Teatrin e Butrintit!

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?