Java kulturore e Arabisë Saudite

Kultura

Java Kulturore e Arabisë Saudite për herë të parë në Shqipëri! Përjetoni trashëgiminë dhe shijet e Mbretërisë për 5 ditë radhazi

15 Shtator, 15:04| Përditesimi: 15 Shtator, 15:08

  • Share

Nga data 16 deri më 20 shtator, Shqipëria do të mirëpresë për herë të parë Javën Kulturore të Arabisë Saudite, një ngjarje që organizohet në vendin tonë në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, e që sjell pranë publikut shqiptar trashëgiminë e pasur dhe traditat e Mbretërisë Saudite.

Gjatë pesë ditëve, Pallati i Kongreseve do të shndërrohet në një hapësirë arti dhe kulture, ku vizitorët do të kenë mundësinë të ndjekin demonstrime të mjeshtërisë tradicionale nga 11 artizanë, të shijojnë recetat autentike të përgatitura nga 5 shefa të njohur sauditë, dhe të përjetojnë atmosferën festive nga mbi 22 muzikantë. Moda dhe trashëgimia, shfaqjet e filmave, teatrit, koncertet dhe aktivitetet artistiko-kulturore do ta pasurojnë edhe më tej këtë përvojë unike që sjell në vendin tonë një mori personalitetesh.

Java Kulturore e Arabisë Saudite e cila organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, kulturës dhe Inovacionit, do të ofrojë edhe ekspozita me kopje arkeologjike dhe punëtori për artistët dhe profesionistët nga të dy vendet. Do të ketë edhe forume debatuese me intelektualë dhe shkrimtarë, si dhe prezantime mbi trashëgiminë botërore të regjistruar në UNESCO.

Aktivitetet do të përfshijnë po ashtu ekspozita të dorëshkrimeve arabe të rralla nga biblioteka saudite, kaligrafi, veshje tradicionale dhe mundësi për tu fotografuar me kostume autentike. Ekranet interaktive me dorëshkrime digjitale arabe do t’i mundësojnë vizitorëve të eksplorojnë trashëgiminë gjuhësore të tyre.

Një seksion i veçantë do tu dedikohet shkrimtarëve të njohur sauditë, veprat e të cilëve janë përkthyer në shqip. Po ashtu, do të prezantohen romane dhe botime me tregime të shkurtra, ndërsa do të ofrohet një hapësirë informuese për qytetin Taif, të shpallur nga UNESCO si “Qyteti Kreativ i Letërsisë”.

Një eksperiencë kulinarie autentike do të sjellë shije tradicionale të Rajoneve të Arabisë Saudite, ndërsa mikpritja e ngrohtë e këtij vendi, përmes kafesë dhe hurmave, do të jetë një tjetër element kyç.

Pjesë e programit do të jenë artet performuese, të cilat do të pasqyrojnë traditat, ritmet dhe shprehjet artistike të Arabisë Saudite. Shfaqjet do të krijojnë një mundësi për shkëmbim kulturor mes dy popujve.

Ekspozita e instrumenteve muzikore tradicionale do të ofrojë një mundësi për të njohur pasurinë muzikore të Arabisë Saudite, ndërsa do të zhvillohen performanca të përbashkëta mes muzikantëve sauditë dhe shqiptarë, si dhe koncerte nga artistë të njohur.

Po ashtu, një ekspozitë mode do të nxjerrë në pah krijimet më të spikatura të dizajnerëve sauditë, duke prezantuar stilin dhe mjeshtërinë e veshjeve tradicionale.

Në fund, shfaqjet e filmave të shkurtër do të sjellin në ekran pasurinë dhe larminë e rajoneve të ndryshme të Arabisë Saudite, duke pasqyruar trashëgiminë, traditat dhe artin e vendit.

Java Kulturore e Arabisë Saudite, e cila organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, përbën një dëshmi të shkëmbimit kulturor mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë, duke theksuar vlerat e përbashkëta dhe miqësinë që lidh dy vendet.

Pas Arabisë Saudite, radhën e ka Java Kulturore Kineze që do të sjellë në vendin tonë nga data 22 deri më 25 Shtator, ngjarje mbresëlënëse.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt ndiheni nga mashtrimet online?