Politikë
Kultura

Java Kulturore Franceze/ Ambasadorja Suard dhe kryebashkiaku Repentin: Franca mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimi kalon edhe nga kultura

22 Qershor, 19:38| Përditesimi: 22 Qershor, 21:52

  • Share

Java Kulturore Franceze ka nisur prej datës 14 qershor në qytetin e Korçës dhe do mbyllet më 24 qershor.

Qyteti jug-lindor u kthye në një nga skenat artistiko-kulturore nuk munguan performanca nga DJ, ekspozita arti, shfaqje baleti dhe koreografi bashkëkohore dhe deri tek filmat dhe kuzhina e famshme franceze.

I cilësuar edhe si “Parisi i vogël”, Korça ka pasur si mysafitë specialë ambasadoren e Francës në Tiranë, Catherine Suard dhe kryetari i Bashkisë Chambery, Thierry Repentin, njëkohësisht ish-ministër i Çështjeve Evropiane.

Përveç impresionit të tyre për këtë event, ata folën edhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe anëtarësimin në BE, që gjithashtu kalon edhe nga këto aktivitete kulturore artistike që zhvillohen mes vendeve partnere.

Ambasadorja franceze Catherine Suard, nga Korça u shpreh:

"Siç e dini, ne kemi javën e kulturës franceze që është një ngjarje kombëtare dhe kemi vendosur t’ja dedikojmë Korçës. Marrëdhënia jonë me Korçën është tradicionale dhe e largët, qëllimi është që kjo marrëdhënie të bëhet e tashme dhe t’i shërbejë dhe të ardhmes ndaj kemi ardhur këtu. Përveç projektit kulturor, në kuadër të bashkëpunimit që kemi midis bashkisë së Chambery dhe asaj të Korçës, do doja të falenderoja z. Sotiraq Filo dhe z. Thierry Repentin, ish-ministër i Çështjeve Europiane në Francë, i cili ka ardhur posaçërisht për këtë event në Korçë”.

Kurse për rrugën europiane dhe integrimin e Shqipërisë, ajo nënvizoi se Franca e mbështet anëtarësimin e vendit tonë.

“Franca e mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE, kjo është thënë edhe nga presidenti Macron gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe integrimi europian kalon jo vetëm përmes kulturës, por edhe zhvillimit të territoreve, projekteve të bashkëpunimit territorial, zhvillimit të qëndrueshëm ndaj dua të falenderoj dy kryetarët e bashkive për këto projekte që kanë në këtë fushë", u shpreh diplomatja.

Kryetari i bashkisë Chambery, Thierry Repentin, njëkohësisht ish-ministër i Çështjeve Evropiane, theksoi se:

"Fakti që jam sot këtu si kryetar i bashkisë së Chambery, por dhe si ish ministër i punëve europiane, është për të konfirmuar dhe njëherë që Shqipëria është në Evropë dhe ne do ta shoqërojmë këtë proces të pranisë së anëtarësimit në BE. Ky realitet dhe kjo prespektivë europiane është shoqëruar në nivele të larta politike, ka mbështetjen e qeverisë franceze pasi presidenti Macron ka ardhur dy herë në Shqipëri, po ashtu kryeministri Rama ka bërë vizita të vazhdueshme në Francë. Mendoj që vend të rëndësishëm në integrimin në BE, luajnë edhe institucionet territoriale, bashkitë, me qëllim që projektet mes vendeve të zhvillohen”.

Më tej ai vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në projekte dhe evente të ndryshme artistike dhe kulturore, por jo vetëm. Repentin nënvizoi se bashkëpunimi do shtrihet edhe në fusha si inovacioni apo digjitalizimi.

“Kemi bërë thirrje për bashkëpunim në kuadër të projekteve me vendet që aderojnë në BE dhe kemi zgjedhur të punojmë me bashkinë e Korçës sepse kemi afërsi të mëdha gjeografike, por edhe për prioritetet e zhvillimit territorial në kulturë e në arsim. Pas disa muajsh bashkëpunim jemi aktualisht me një projekt konkret në Korçë, për javën e kulturës franceze, me shfaqje por edhe projekte digjitale. Kultura që të pasurohet ka nevojë të zhvillohet sidomos në kohët e sotme një faktor tjetër i rëndësishëm janë teknikat inovative", përfundoi ish-ministri francez.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?