Një koncert nga Orkestra “Magna Grecia”, interpretuar në Kishën Katolike në Tiranë do të çelë Javën e Kulturës Italiane në Shqipëri mbrëmjen e 1 qershorit. I njëjti koncert do të përsëritet një natë më pas, në 2 qershor, në Amfiteatrin e Durrësit, në një hapësirë që ndërthur historinë dhe artin.
Muzikë, modë, dizajn, kuzhinë e kinemaja do të jenë pjesë e Javës së Kulturës, programi i plotë i së cilës u prezantua këtë të hënë. Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti vuri theksin te një bashkëpunim më i gjerë me të rinjtë.
“Është një program i strukturuar në tre koncepte: E ardhmja- duke përdorur miqësinë dhe të shkuarën, të forcojmë bashkëpunimin, ku do të ketë pjesëmarrje më të gjerë të të rinjve. Fjala e dytë është bashkëpunimi. Java është jo për të promovuar Italinë, por për të realizuar bashkëpunime me Shqipërinë, duke bërë gjëra së bashku. Koncepti i tretë është ndërveprim.”, - thotë Marco Alberti, ambasador i Italisë në Shqipëri.
Gjatë javës do të mbahen 17 veprimtari në qytete të ndryshme
“Si Institut Italian i Kulturës ne organizojmë një seri aktivitetesh gjatë vitit, por Java e Kulturës Italiane është një moment kyç, sepse përpiqet të përmbledhë një seri aktivitetesh në një plan të gjerë veprimtarish e fushash vetëm në një javë. Sa i përket artit pamor, këtë vit kemi zgjedhur një ekspozitë nga Enzo Cucchi-t, një përfaqësues i denjë dhe shumë i njohur i artit bashkëkohor italian.”, vëren Ruggera.
Mes veprimtarive të shumta mund të përmendim një koncert të “Neri per caso”, të cilët rikthehen në skenë për të festuar 30-vjetorin e suksesit të tyre në Festivalin e Sanremos. Në të njëjtën ditë, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, pritet një tjetër performancë klasike nga duoja Lucio Matarazzo dhe Giovanni Masi, një koncert që bashkon teknikat klasike me pasionin bashkëkohor italiante.
3 qershori sjell inovacionin vizual me një video-mapping në ndërtesën historike të ish-hotel “Dajtit”, i ndjekur nga një sfilatë mode me stilistë të rinj.
4 qershori do të jetë dita e muzikës xhaz në Berat, me një koncert të “Aperitivo Italiano”. Në 5 qershor, vëmendja kthehet tek teatri. Në Gjirokastër do të mbahet performanca teatrore "Onora tuo padre - Ndero Babane", një produksion i përbashkët me artistë nga Italia dhe Shqipëria.
Ndërsa 6 qershori rezervon një ngjarje të rëndësishme muzikore të javës në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku pianisti i njohur Giovanni Bertolazzi, i shoqëruar nga Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit nën dirigjimin e Andreas Solinas, do të interpretojë një program të përzgjedhur të muzikës klasike italiane.
Më 7 qershor, në Amfiteatrin e Butrintit, artisti i njohur me origjinë shqiptare Ermal Meta do të mbajë një koncert emocionues në një prej vendeve më simbolike dhe të mrekullueshme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Java Kulturore Italiane do të mbyllet me datë 8 qershor me një festival në natyrë me ushqime italiane dhe muzikë.
Ja kalendari i Javës Kulturore Italiane 2025, pa orare:
E Diel, 1 Qershor
* Koncert nga Orkestra “Magna Grecia”
Vendndodhja: Kisha Katolike, Tiranë
E Hënë, 2 Qershor
* Takim për modën dhe dizajnin – stilistët e rinj italianë
Vendndodhja: Inside Coin, Tiranë
* Koncert nga Orkestra “Magna Grecia”
Vendndodhja: Amfiteatri, Durrës
* Koncert “Neri per caso”
Vendndodhja: Sheshi i Lungomares, Vlorë
* Koncert klasik nga Lucio Matarazzo & Giovanni Masi
Vendndodhja: Liceu Artistik “Jordan Misja”, Tiranë
E Martë, 3 Qershor
* Video-mapping mbi fasadën e ish-hotel “Dajti”
* Sfilatë mode me stilistë të rinj
Vendndodhja: Ish-hotel “Dajti”, Tiranë
E Mërkurë, 4 Qershor
* Koncert jazz “Aperitivo Italiano”
Vendndodhja: Kalaja e Beratit
E Enjte, 5 Qershor
* Shfaqje teatrore “Onora tuo padre – Ndero babanë”
Vendndodhja: Gjirokastër
E Premte, 6 Qershor
* Koncert klasik nga Giovanni Bertolazzi & Orkestra e TOB, dirigjon Andrea Solinas
Vendndodhja: Teatri i Operas dhe Baletit, Tiranë
E Shtunë, 7 Qershor
* Koncert nga këngëtari Ermal Meta
Vendndodhja: Amfiteatri i Butrintit
E Diel, 8 Qershor
* Festival në natyrë me muzikë dhe ushqim italian
Vendndodhja: Tiranë (lokacion në natyrë, pritet konfirmim zyrtar)
Komente
